Leoni XIV: dialog e jo konflikte të bazuara në etni, politikë, fe apo ideologji
R.SH. – Vatikan
Në një botë që - siç u tha influencërve katolikë - është "e shpërbërë nga armiqësia dhe lufta", në kohë "frike dhe përçarjeje", para një individualizmi të përgjithshëm, ndërsa në vend të urave po ndërtohen "mure që na ndajnë nga njëri-tjetri", Papa Leoni XIV u kërkon të gjithëve: mos u dorëzoni para "tundimit të konfliktit". E, sidomos në ato shoqëri ku "bashkëjetesa duket më e vështirë", shmangni konfliktet "mbi baza etnike, politike, fetare, ose ideologjike".
Është sfidë për njerëzimin dhe mision për Kishën ndjeti i Papës për muajin gusht, shprehur përmes videos me titull "Për të jetuar së bashku", realizuar në bashkëpunim me Fondacionin jezuit të Komunikimeve (JesCom). Në video, Leoni XIV flet në anglisht, i shoqëruar nga pamje kuptimplote: ndërtesa të shkatërruara, shtëpi të bombarduara, rrënoja, familje në ikje përgjatë kufijve, forca policore mes protestave dhe bombave të tymit. Pamje përleshjesh, dhune, shkatërrimi dhe vetmie ekzistenciale, si ato që përjetohen çdo ditë në Gaza dhe në Ukrainë, ose në vende të tjera të Afrikës dhe Azisë Juglindore.
Larmia, pasuri që na bën më njerëzorë
"Jetojmë në kohë frike dhe përçarjeje. Nganjëherë, sillemi sikur të ishim vetëm, duke ndërtuar mure, që na ndajnë nga njëri-tjetri", pohon Papa, i cili fton të kemi guximin të "kërkojmë udhë dialogu dhe t'u përgjigjemi konflikteve me gjeste vëllazërimi". Për të kapërcyer dallimet dhe ideologjitë, duhet t'i shohim të tjerët "me sytë e zemrës", pohon Ati i Shenjtë. Vetëm kështu, mund ta njohim dinjitetin e paprekshëm të të gjithë njerëzve; vetëm kështu, duke ua hapur zemrën të tjerëve, pa frikë, mund të zbulojmë se dallimet nuk përbëjnë kërcënim.
Në video, Leoni XIV thotë një lutje të shkruar posaçërisht për ndjetin e gushtit nga Rrjeti i tij Botëror i Lutjeve. Edhe ajo shoqërohet me pamje të ndryshme e të shumta: me qirinj, duar të bashkuara në lutje, rruzare, fëmijë të mbledhur në një strehim të mbushur me lodra, bimë dhe dritë.
Bij të një Ati të vetëm
Skena vëllazërimi, si ajo që Robert Francis Prevost ua beson si mandat të rinjve, të cilët, pikërisht në ditën e publikimit të videomesazhit, kanë ardhur në Romë nga e gjithë bota për Jubileun kushtuar atyre. Baza e çdo ndarjeje është harresa e një të vërtete themelore: të gjithë jemi vëllezër e motra, bij të një Ati të vetëm. Të gjithë vëllezër, siç predikonte Papa Françesku.
"Dërgoje Shpirtin tënd, o Zot, për të rindezur brenda nesh dëshirën për ta kuptuar njëri-tjetrin, për ta dëgjuar njëri-tjetrin, për të jetuar së bashku me respekt dhe dhembshuri": kjo, lutja e Papës. "Na jep guximin të kërkojmë udhë dialogu, t'u përgjigjemi konflikteve me gjeste vëllazërimi, t'ua hapim zemrat të tjerëve pa frikën nga dallimet", shton Leoni XIV. "Na bëj ndërtues urash, të aftë për të kapërcyer kufijtë dhe ideologjitë, të aftë për t’i parë të tjerët me sytë e zemrës, duke njohur në çdo njeri një dinjitet të paprekshëm". “Na ndihmo”, i lutet Zotit Ati i Shenjtë, “të krijojmë hapësira ku shpresa mund të lulëzojë, ku ndryshimet nuk janë kërcënim, por pasuri që na bën më njerëzorë”.