Papa: migrantët janë "dëshmitarë të shpresës". Dinjitet dhe paqe për të gjithë
R.SH. - Vatikan
Mesazhi i publikuar sot, më 25 korrik, nga Papa Leoni XIV për Ditën e 111-të Botërore të Migrantëve e Refugjatëve, që do të kremtohet më 4 dhe 5 tetor, përqendrohet në lidhjen ndërmjet shpresës, migrimit dhe misionit. "Është e rëndësishme që dëshira për të shpresuar një të ardhme dinjitoze dhe paqësore për të gjitha qeniet njerëzore, të vlojë në zemrat e shumë njerëzve", veçanërisht në rrethana si këto që po jetojmë, të minuara nga lufta, dhuna, padrejtësia dhe fenomenet klimatike të motit: prej këndej burojnë reflektimet në tekstin "Migrantë, migrantë të shpresës".
Të mbrohen interesat e gjithë familjes njerëzore
Gara e armatimeve, kriza klimatike, e cila trajtohet fare pak globalisht, dhe pabarazitë ekonomike krijojnë sfida “impenjative” dhe gjithnjë e më të ndërlikuara. Në këtë kontekst, të keqësuar edhe më shumë nga konflikti, dhuna dhe padrejtësia, pohon Papa, miliona njerëz detyrohen të largohen nga atdheu i tyre në kërkim të një ardhmërie më të sigurt. Prej këndej lind indiferenca në rritje ndaj fatit të të tjerëve.
Prirja e përhapur për t'u kujdesur vetëm për interesat e bashkësive të kufizuara, përbën kërcënim serioz për ndarjen e përgjegjësive, bashkëpunimin shumëpalësh, realizimin e së mirës së përbashkët dhe solidaritetin global, në dobi të të gjithë familjes njerëzore.
Njerëzimi në lëvizje kërkon lumturi
"Skenarë të frikshëm" përvijohen - kujton Papa - përballë të cilëve shpresa për një të ardhme dinjitoze dhe paqësore nuk është vetëm legjitime, por edhe e nevojshme si dhe e paralajmëruar nga profetët në Shkrimet Shenjte. E Papa citon Zakarinë, në shkrimet e të cilit "fara e paqes" duket në sheshet plot me fëmijë, në gëzimin, që buron nga loja pa shqetësime. E në besimin në një Zot “që i mban gjithmonë premtimet e tij", shpresa lidhet ngushtë me dëshirën për lumturi të natyrshme në qeniet njerëzore e, në jetën e sotme të përditshme, mishërohet në shumë migrantë, refugjatë dhe të zhvendosur deri në atë pikë, sa të bëhen "dëshmitarë të privilegjuar" në masën që ata përtërijnë përvojën shëtitëse të popullit të Izraelit, përvojë e fatkeqësive, e qëndresës dhe e besimit.
E kërkimi i lumturisë - dhe perspektiva e gjetjes së saj dikund tjetër - është sigurisht një nga motivimet kryesore për lëvizshmërinë bashkëkohore njerëzore.
Në luftëra, migrantët janë lajmëtarë të shpresës
Vetë Kisha - thekson Papa duke cituar Shën Augustinin - është qytet shtegtar dhe sa herë i dorëzohet tundimit për t’u “vendosur”, nuk është më “në botë”, por bëhet “e botës”. Në dritën e këtij qëndrimi, emigrantët katolikë mund të bëhen lajmëtarë shprese, duke ringjallur energjitë ungjillëzuese ose duke filluar dialogime ndërfetare në varësi të rrethanave gjeografike dhe kulturore. Në veçanti...:
Në një botë të errësuar nga luftërat dhe padrejtësia, edhe aty ku gjithçka duket e humbur, emigrantët dhe refugjatët janë lajmëtarë shprese. Guximi dhe këmbëngulja e tyre është dëshmi heroike e një feje, e cila sheh përtej asaj që mund të shohin sytë tanë dhe që u jep atyre forcën për të sfiduar vdekjen në rrugët e ndryshme bashkëkohore të migrimit.
Misioni Migrantium që rigjallëron shkretëtirën shpirtërore
Papa flet për atë që e quan "missio migrantium” i vërtetë (mision i realizuar nga migrantët), për të cilin, saktëson, duhet të sigurohet përgatitja dhe mbështetja e nevojshme dhe e vazhdueshme, që rrjedh nga një bashkëpunim efektiv ndër-kishtar. Përsërit, kështu çka pati shkruar Shën Pali VI në Evangelii Nuntiandi. Leoni XIV shkon edhe më larg, sa i konsideron migrantët dhe refugjatët "bekim i vërtetë hyjnor" që, si të tillë, duhet të njihen dhe të vlerësohen.
Ata, me entuziazmin dhe gjallërinë e tyre shpirtërore, mund të kontribuojnë në rigjallërimin e bashkësive të ngurta dhe të lodhura kishtare, ku po përparon kërcënueshëm shkretëtira shpirtërore.
Mikpritje në vëllazëri
Shpresa, në Mesazhin e Pasardhësit të Pjetrit, shoqërohet me mikpritjen, e cila mund të garantojë dinjitetin dhe mundësinë për të shprehur më së miri talentet e veta. Ftesa e Papës është, pra, të krijohen kushte në të cilat ata që trokasin në dyert e një kombi tjetër, të mund të marrin pjesë plotësisht në jetën komunitare me frymë të vërtetë vëllazërie.
Në përfundim Papa ia beson migrantët Virgjërës Mari, në mënyrë që të jetë ngushëllimi dhe mbështetja e tyre në realizimin e asaj Mbretërie të Zotit, së cilës bota, shpresojmë, duhet t’i ngjajë gjithnjë e më shumë.