MAP

MAP Leo XIV leads the Angelus prayer in Castel Gandolfo

Papa - Pax Christi USA: jini krijues të paqes e të pajtimit, në një botë në luftë

Në një mesazh drejtuar asamblesë kombëtare të lëvizjes katolike, mbledhur në Detroit nga 25 korriku, deri të dielën, më 27, Leoni XIV kujton se, veçanërisht në periferi, Kisha është e thirrur të jetë mjet pajtimi, se është e nevojshme të punohet për të ndërtuar "shtëpi paqeje" dhe se duhen shuar armiqësitë

R.SH. - Vatikan

"Paqe" është fjala që Papa Leoni e përsërit në çdo takim, që nga fillimi i papnisë. E ka më pranë zemrës, veçanërisht përballë një bote të rrënuar nga dhuna e nga lufta. Ndaj e përsërit këtë në mesazhin, nënshkruar më 20 korrik, dërguar Pax Christi USA që dje, 25 korrik, nisi punimet e Asamblesë Kombëtare dyvjeçare, në Detroit, Michigan, planifikuar të zgjasë deri nesër, e diel, 27 korrik.

"Në mes të shumë sfidave, shkruan Papa, që botës sonë i duhet t’i përballojë aktualisht, duke përfshirë edhe konfliktet e armatosura të përhapura, përçarjet ndërmjet popujve dhe sfidat e migrimit të detyruar, përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës janë më të nevojshme se kurrë".

Ati i Shenjtë kujtoi edhe fjalët e Krishtit të ringjallur, që apostujve u foli fjalët e paqes, "paqes të çarmatosur dhe paqes çarmatosëse, të përvuajtur e këmbëngulëse", siç e pati përsëritur në fjalimin "Urbi et Orbi" - “Romës dhe Botës” më 8 maj 2025.

Prandaj është e nevojshme që ithtarët e Jezusit, të cilët ai vazhdon t'i dërgojë, "të bëhen krijues të paqes në jetën e tyre të përditshme". "Në famulli, lagje dhe veçanërisht në periferi, është edhe më e rëndësishme që një Kishë e aftë për pajtim të jetë e pranishme dhe e dukshme".

Ftesa drejtuar Pax Christi është t’i shndërrojë bashkësitë lokale në "shtëpi paqeje", "ku mësojmë të zbusim armiqësinë përmes dialogut, ku drejtësia praktikohet e falja ruhet".

Kjo është rruga që duhet ndjekur, për t'u bërë vëllezër e motra.

26 korrik 2025, 10:53