Papa - Pax Christi USA: jini krijues t? paqes e t? pajtimit, n? nj? bot? n? luft?
R.SH. - Vatikan
"Paqe" është fjala që Papa Leoni e përsërit në çdo takim, që nga fillimi i papnisë. E ka më pranë zemrës, veçanërisht përballë një bote të rrënuar nga dhuna e nga lufta. Ndaj e përsërit këtë në mesazhin, nënshkruar më 20 korrik, dërguar Pax Christi USA që dje, 25 korrik, nisi punimet e Asamblesë Kombëtare dyvjeçare, në Detroit, Michigan, planifikuar të zgjasë deri nesër, e diel, 27 korrik.
"Në mes të shumë sfidave, shkruan Papa, që botës sonë i duhet t’i përballojë aktualisht, duke përfshirë edhe konfliktet e armatosura të përhapura, përçarjet ndërmjet popujve dhe sfidat e migrimit të detyruar, përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës janë më të nevojshme se kurrë".
Ati i Shenjtë kujtoi edhe fjalët e Krishtit të ringjallur, që apostujve u foli fjalët e paqes, "paqes të çarmatosur dhe paqes çarmatosëse, të përvuajtur e këmbëngulëse", siç e pati përsëritur në fjalimin "Urbi et Orbi" - “Romës dhe Botës” më 8 maj 2025.
Prandaj është e nevojshme që ithtarët e Jezusit, të cilët ai vazhdon t'i dërgojë, "të bëhen krijues të paqes në jetën e tyre të përditshme". "Në famulli, lagje dhe veçanërisht në periferi, është edhe më e rëndësishme që një Kishë e aftë për pajtim të jetë e pranishme dhe e dukshme".
Ftesa drejtuar Pax Christi është t’i shndërrojë bashkësitë lokale në "shtëpi paqeje", "ku mësojmë të zbusim armiqësinë përmes dialogut, ku drejtësia praktikohet e falja ruhet".
Kjo është rruga që duhet ndjekur, për t'u bërë vëllezër e motra.