Leoni XIV: të shumta fatkeqësitë shkaktuar nga teprimet njerëzore, duhet bërë kthesë!
R.SH. / Vatikan
Sot paradite Papa Leoni XIV kremtoi "Meshën e parë për kujdesin ndaj krijimit" në Kopshtin e Zojës së Vogël, në Borgo Laudato Si', në Castel Gandolfo. Të ftuar në Meshën për Kujdesin e Krijimit ishin Imzot Vittorio Viola, Imzot John Kennedy, Imzot Flavio Pace, Imzot Phillipe Curbelie dhe Ati Dan Groody i Universitetit Notre Dame.
Papa Leoni XIV e kremtoi Meshën për Kujdesin ndaj Krijimit sipas formulës së lutjeve dhe leximeve biblike të Mesharit, përgatitur nga Dikasteri i Vatikanit për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor dhe Dikasteri për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, dhe prezantuar më 3 korrik, gjatë një konference shtypi në Vatikan
"Në këtë ditë të bukur" - ishin fjalët e para të homelisë së Papës Prevost - "para së gjithash, dëshiroj t'ju ftoj, duke nisur nga vetvetja, të përjetojmë atë që po festojmë në bukurinë e një katedraleje - mund të thuhet një katedraleje natyrore - me bimë dhe kaq shumë elemente të krijimit, që na sollën këtu për të kremtuar Eukaristinë, do të thotë: për t’i dhënë falënderime Zotit".
"Në fillim të Meshës"- vijoi Papa Leoni XIV - u lutëm për kthesën, për pendesën tonë. Dëshiroj të shtoj se duhet të lutemi edhe për pendesën e turmës e njerëzve, brenda dhe jashtë Kishës, që nuk e njohin ende urgjencën e kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët. Shumë fatkeqësi natyrore, që ende i shohim në të gjithë botën, pothuajse çdo ditë në një mori vendesh, janë pjesërisht të shkaktuara nga teprimet njerëzore, nga stili i tyre i jetesës. Prandaj, duhet të pyesim veten nëse po e përjetojmë apo jo atë pendesë: sa shumë kemi nevojë për të."
Jetojmë - vërejti Papa Leoni - në një botë që digjet, si për shkak të ngrohjes globale, ashtu edhe për shkak të konflikteve të armatosura. Por në zemër të Vitit Jubile, ne rrëfejmë, e mund ta themi shumë herë: ka shpresë! E takuam në Jezusin. Ai vijon ta qetësojë stuhinë. Fuqia e Tij nuk përmbys, por krijon; nuk shkatërron, por sjell në jetë, në një jetë krejt të re”.
Duke u kthyer te Ungjilli i Meshës (Mt 8,27), Leoni XIV theksoi: “Sot, me fenë që e trashëguam, mund të vazhdojmë: Krishti është edhe kreu i korpit, i Kishës. Është fillimi, i parëlinduri nga ata, të cilët rilindin nga të vdekurit, që Ai të ketë përparësi mbi të gjitha gjërat.
Këto janë fjalë të cilat na angazhojnë gjatë gjithë historisë, që bëjnë nga ne një korp të gjallë, korpin, kreu i të cilit është Krishti. Misioni ynë për të mbrojtur krijimin, për t'i sjellë paqe dhe pajtim, është misioni i tij: misioni që Zoti na ka besuar. Ne dëgjojmë britmën e tokës, dëgjojmë britmën e të varfërve, sepse kjo britmë ka arritur në zemrën e Zotit. Zemërimi jonë, është zemërimi i tij, puna jonë - puna e tij”.