Leoni XIV: të mësojmë të dallojmë shtigjet e jetës, të mos largohemi nga Krishti
R.SH. – Vatikan
Të lutemi që të mësojmë gjithnjë e më shumë të dallojmë, të dimë të zgjedhim shtigjet e jetës dhe të refuzojmë gjithçka që na largon nga Krishti dhe Ungjilli.
Ndjetin e lutjes për muajin korrik Papa Leoni XIV ia kushton formimit për shqyrtim. Video-mesazhi u shpërnda sot, e enjte, 3, përmes Rrjetit Botëror të Lutjes dhe një edicioni të ri të Videos së Papës.
Orientimi gjatë rrugëtimit
Në video-mesazh – realizuar gjithnjë nga Rrjeti Botëror, në bashkëpunim me Dioqezën e Bruklinit – zëri dhe një lutje e papublikuar e Papës drejtuar Shpirtit Shenjt e shoqërojnë rrugëtimin e një vajze nëpër pyje. Ajo ndodhet para një udhëkryqi. Duhet të zgjedhë. Ashtu si udhëtimi i saj orientohet nga një hartë dhe një telefon satelitor, jeta e saj shpirtërore dhe zgjedhjet e saj ushqehen nga leximi i Biblës, lutja e Rruzares, devocioni ndaj Zojës Mari.
Lutja e Papa Leoni XIV për të kërkuar nga Shpirti Shenjt Zot udhëheqjen dhe shqyrtimin në rrugëtimin e saj, përfundon me një lutje të frymëzuar nga Shën Augustini.
Më ndihmo të të njoh më mirë atë që më mban në jetë, për të refuzuar atë që më largon nga Krishti, dhe për ta dashur dhe shërbyer atë gjithnjë e më shumë.
Ipeshkvi i Hiponës, Augustini shkruan në të vërtetë, në veprën e tij Rrëfimet, se njohja gjithnjë e më e madhe e vetvetes çon në një njohje gjithnjë e më të thellë të Zotit. Njohja e birshtësive tona njerëzore na lejon të kërkojmë nga Zoti shërimin dhe dhuratën e një jete të shëndetshme.
Të dish të dallosh në momente konfuzioni
Arti i shqyrtimit, i rekomanduar edhe nga Shën Pali (Romakëve 12, 2) në fillim të historisë së Kishës, sot është më i nevojshëm se kurrë, thekson një shënim i Rrjetit Botëror të Lutjes, shpërndarë si koment i video-mesazhit me ndjetet e lutjes për muajin korrik. Sot, lexohet, jemi të nënshtruar ndaj një sasie të madhe informacioni (jo gjithmonë të vërtetë), ndaj ndryshimeve sociale dhe teknologjike me një shpejtësi shpesh të papërballueshme, ndaj trullosjes së realiteteve paralele të krijuara nga inteligjenca artificiale dhe mediat sociale.
“Në mes të vrullit të jetës së përditshme, duhet të mësojmë të ndalemi dhe të krijojmë momente të shenjta për lutje”, thotë imzot Robert J. Brennan, ipeshkëv i Bruklinit, duke komentuar video-mesazhin e Papës. “Është pikërisht në këto hapësira të qeta të dëgjimit të vëmendshëm – vazhdon prelat – që zbulojmë cilat rrugë kanë vërtet rëndësi dhe gjejmë shqyrtimin për të zgjedhur atë që çon vërtet në gëzimin që vjen vetëm nga Zoti”.
Një art që mund të mësohet
Nëse arti i shqyrtimit është arti që na çon drejt lumturisë, është aq më urgjente ta mësojmë sot. “Formimi për shqyrtim është thelbësor për të lundruar në një botë komplekse”, thekson drejtori ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës, Atë Cristóbal Fones, S.J. Midis një mijë zërave që na shurdhojnë, është e rëndësishme të njohim atë të duhurin. “Kultivimi i një marrëdhënieje të thellë me Jezusin – vazhdon Atë Fones – është ajo që ka më shumë rëndësi, pasi në këtë mënyrë mund të njohim zërin e tij midis shumë zërave të botës dhe të kemi ndërgjegjësimin e nevojshëm për të marrë vendimet tona bazuar në një qëllim dhe një horizont më njerëzor”.
Në këtë udhë formimi na ndihmon spiritualiteti i Shën Injacit të Lojolës, i cili i ka kushtuar shqyrtimit tekstin e Ushtrimeve shpirtërore. “Shën Injaci na ofron rregulla shqyrtimi për të ndjerë dhe njohur atë që na ndodh në brendësi, lëvizjet, lëvizjet e shpirtit tonë, në mënyrë që të mund të zgjedhim atë që na ndihmon të duam dhe të jemi të dashur, dhe të refuzojmë atë që na pengon. Shqyrtimi shpirtëror – përfundon Atë Fones – na ndihmon të ushtrojmë më mirë lirinë tonë”.
Lutja e videomesazhit
Gjatë Vitit të Shenjtë 2025, videomesazhi Papës zbulon qëllimet e lutjes që Papa mban, muaj pas muaji, në zemër. Besimtari që dëshiron të fitojë hirin e ndjesës së plotë jubilare, duhet të lutet për këto ndjete.
Më poshtë është teksti i plotë i lutjes së papublikuar drejtuar Shpirtit Shenjt, e përfshirë në videomesazhin e shpërndarë sot:
O Shpirti Shenjt, ti, dritë e inteligjencës sonë,
frymë dhe ëmbëlsi në vendimet tona,
më jep hirin të dëgjoj me vëmendje zërin tënd
për të dalluar shtigjet sekrete të zemrës sime,
që të mund të kuptoj atë që është vërtet e rëndësishme për ty
dhe të çliroj zemrën time nga mundimet e saj.
Të kërkoj hirin të mësoj të ndalem,
për të kuptuar mënyrën time të veprimit,
ndjenjat që më banojnë,
mendimet që më pushtojnë
dhe që, shumë shpesh, as nuk i perceptoj.
Dëshiroj që zgjedhjet e mia
të më çojnë në gëzimin e Ungjillit.
Edhe nëse do të më duhet të kaloj momente dyshimi dhe lodhjeje,
edhe nëse do të më duhet të luftoj, të reflektoj, të kërkoj, të rifilloj…
Sepse, në fund të udhëtimit,
ngushëllimi yt është fryt i një vendimi të drejtë.
Më jep dhuratën të njoh më mirë atë që më frymëzon,
për të refuzuar atë që më largon nga Krishti,
dhe për ta dashur e shërbyer Krishtin gjithnjë e më shumë.
Amen.