Leoni XIV: të formohen priftërinjtë për vëllazërim me të gjithë, e të mos ndihen si "prijës vetmitarë"
R.SH. - Vatikan
Audienca me formuesit e Kursit XXXIII organizuar nga Universiteti Papnor Regina Apostolorum për ata që janë të angazhuar në formimin priftëror dhe me pjesëmarrësit në Kapitullin e Përgjithshëm të Vëllezërve Saverianë, mbajtur sot paradite, më 25 korrik, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, i krijoi Leonit XIV mundësinë t’i nxiste të gjithë për një angazhim më të madh, atë të shpalljes së Ungjillit në botën e sotme. Pa harruar të infektohen nga "gëzimi" i Lajmit të Mirë, në mënyrë që të ketë "të krishterë të lumtur, dishepuj të lumtur dhe misionarë të lumtur".
Jemi të thirrur të hyjmë në dinamizmin e misionit dhe të përballemi me sfidat e ungjillëzimit. Kjo thirrje kërkon nga të gjithë, meshtarët e shuguruar dhe besimtarët laikë, një formim të fortë dhe gjithëpërfshirës. Ky formim nuk kufizohet vetëm në disa aftësi njohëse, por duhet të synojë ta shndërrojë njerëzimin dhe përshpirtërinë tonë në mënyrë që të marrin formën e Ungjillit dhe të na lejojnë të përqafojmë "të njëjtat ndjenja të Krishtit Jezus".
Formimi
Formim do të thotë ta ndërtosh "mbi shkëmb" "shtëpinë" e "jetës sate" dhe të "shtegtimit tënd”, "qoftë priftëror apo laik", shpjegoi Papa, e do të thotë edhe të kesh "një themel të fortë me të cilin të mund të ndeshesh me stuhitë njerëzore dhe shpirtërore nga të cilat nuk përjashtohet as jeta e të krishterit, e priftit as e misionarit". E për këtë, duhet të "kultivojmë miqësinë me Jezusin", "të jetojmë një vëllazëri efektive dhe afektive ndërmjet nesh" dhe "të ndajmë misionin me të gjithë të pagëzuarit".
Të kultivojmë miqësinë me Jezusin. Ky është themeli i shtëpisë, i cili duhet të vendoset në qendër të çdo thirrjeje dhe misioni apostolik. Ne duhet t’i jetojmë personalisht intimitet me Mësuesin, pasi u pamë, u deshëm, u zgjodhëm prej Tij pa meritë e për hir të pastër”.
Miqësia me Krishtin
Në këtë përvojë u përqendrua Papa, duke theksuar se është para së gjithash kjo që transmetohet "në shërbesë", sepse kur dikush stërvit "të tjerët për jetën priftërore dhe kur", në "thirrjen" e tij specifike, shpall "Ungjillin në vendet e misionit", transmeton para së gjithash "përvojën personale të miqësisë me Krishtin", e cila "është e dukshme në 'mënyrën e të jetuarit', në 'stilin', 'njerëzinë', 'aftësinë për të jetuar marrëdhënie të mira'".
Një udhëtim i vazhdueshëm kthese
Në këtë drejtim, Leoni kujtoi fjalët e Papës Françesku në audiencën e përgjithshme të 22 marsit 2023: "Ungjillizimi është më shumë sesa transmetim i thjeshtë i doktrinës dhe i moralit". Është kryesisht "dëshmi", "dëshmi e takimit personal me Jezu Krishtin, Fjalën e Mishëruar në të cilën u realizua shëlbimi". Prandaj, "nuk është transmetim i një ideologjie apo një 'doktrine' rreth Zotit", por "transmetim i Zotit që bëhet jetë në mua". E, për këtë arsye, është i nevojshëm një "shtegtim i vazhdueshëm pendese".
Formuesit dhe ata që kujdesen për formimin e tyre nuk duhet të harrojnë se ata vetë janë në udhëtim kthese të vazhdueshme ungjillore; misionarët, njëkohësisht, nuk duhet të harrojnë se janë gjithmonë të parët që e marrin Ungjillin, të parët që ungjillëzohen. E kjo do të thotë punë e vazhdueshme vetjake, angazhim për të zbritur në zemrat tona dhe për të parë edhe hijet e plagët që na shënjojnë, e guxim për të hequr qafe maskat tona, duke kultivuar miqësi të ngushtë me Krishtin. Në këtë mënyrë, ne do ta lejojmë veten të shndërrohemi nga jeta e Ungjillit dhe të bëhemi dishepuj të vërtetë misionarë.
Katër afërsitë
Lidhur me "vëllazërinë afektive", Papa Leoni këshillon që priftërinjtë të mbajnë mend "katër afërsitë" për të cilat fliste Papa Françesku: "marrëdhëniet me Zotin, me ipeshkvin, ndërmjet presbiterëve dhe me Popullin":
Duhet të mësojmë të jetojmë si vëllezër ndërmjet priftërinjve, si dhe brenda bashkësive fetare, me ipeshkvijtë dhe eprorët tanë. Duhet të punojmë shumë me veten tonë për të kapërcyer individualizmin dhe dëshirën për t'i tejkaluar të tjerët, gjë që na shndërron në konkurrentë, e të mësojmë gradualisht të ndërtojmë marrëdhënie të mira vëllazërore, njerëzore dhe shpirtërore. Në parim, mendoj se të gjithë janë dakord për këtë, por në realitet, ka ende shumë rrugë për të bërë.
Priftërinj ndërmjet popullit, jo "prijës vetmitarë"
Në përfundim, Papa nxiti për ta rifituar atë angazhim të përbashkët që karakterizonte në shekujt e parë të krishterët, për të cilët ishte "e natyrshme" të ndiheshin si "dishepuj misionarë" dhe të angazhoheshin "personalisht si ungjillëzues". Kjo do të thotë "ndarje e misionit", dhe për këtë arsye ne duhet të "kthehemi në këtë pjesëmarrje të të gjithë të pagëzuarve në dëshminë dhe shpalljen e Ungjillit". Për Leonin, është e rëndësishme të "punojmë së bashku me motrat dhe vëllezërit" e bashkësive të krishtera në vendet e misionit. E për këtë arsye u drejtohet formuesve në veçanti.
Dëshiroj të them se duhet t'i stërvitim priftërinjtë për këtë, të mos mendojnë për veten si udhëheqës të vetmuar, të mos e marrim meshtarinë e shuguruar me një ndjenjë superioriteti. Kemi nevojë për priftërinj të aftë të dallojnë dhe të njohin tek të gjithë hirin e Pagëzimit dhe karizmat që rrjedhin prej tij, ndoshta edhe të ndihmojnë njerëzit t’i dëshirojnë këto dhurata, të gjejnë guximin dhe entuziazmin për t'u angazhuar në jetën e Kishës dhe të shoqërisë.
Thënë shkurtimisht, Leoni kërkon që “përgatitja e meshtarëve të ardhshëm” të “hyjë gjithnjë e më thellë në realitetin e Popullit të Zotit dhe të kryhet me kontributin e të gjithë anëtarëve të tij: meshtarëve, laikëve dhe të shuguruarve, burrave e grave”.