MAP

Leoni XIV pret Presidentin e Republikës së Polonisë

Andrzej Duda u prit sot paradite në Pallatin Apostolik në Vatikan. Bisedime në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, u përqendruan në marrëdhëniet dypalëshe, situatën socio-politike të vendit, çështjet ndërkombëtare, me një vëmendje të veçantë ndaj luftës në Ukrainë.

R. SH, / Vatikan

Papa Leoni XIV priti, sot paradite në audiencë, në Pallatin Apostolik në Vatikan, Presidentin në largim të Republikës së Polonisë, Andrzej Duda. Presidenca e Dudës përfundon zyrtarisht në gusht 2025. I zgjedhur për herë të parë në 2015 dhe i rizgjedhur në 2020, ligji polak ndalon shërbimin më shumë se dy mandate presidenciale të njëpasnjëshme. Presidenti i zgjedhur, Karol Nawrocki, i cili fitoi zgjedhjet e fundit, do të bëjë betimin më 6 gusht.

Sipas një deklarate të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Presidenti Duda më pas u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, i cili shoqërohej nga Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

“Gjatë bisedimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, të dyja palët shprehën vlerësimin e tyre të ndërsjellë për marrëdhëniet e forta dypalëshe midis Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Polonisë. Biseda ofroi gjithashtu edhe një mundësi për të shkëmbyer pikëpamje mbi situatën aktuale socio-politike të vendit”, thuhej në deklaratë. Salla e Shtypit të Selisë së Shenjtë shtoi se “takimi vazhdoi duke u ndalur edhe në çështjet ndërkombëtare, me një vëmendje të veçantë ndaj luftës që vazhdon në Ukrainë”.

03 korrik 2025, 16:09