MAP

Papa gjatë audiencës me mësuesit e shkollave katolike në Irlandë, Angli, Uells dhe Skoci, si dhe me disa të rinj nga dioqeza e Kopenhagës (@Vatican Media) Papa gjatë audiencës me mësuesit e shkollave katolike në Irlandë, Angli, Uells dhe Skoci, si dhe me disa të rinj nga dioqeza e Kopenhagës (@Vatican Media)

Leoni XIV, në dëgjim e lutje ndjejmë zërin e Zotit

Në audiencën me një grup të rinjsh, mësuesish dhe priftërinjsh nga Danimarka, Irlanda, Anglia, Uellsi dhe Skocia, në Romë me rastin e Vitit Shenjt, Papa theksoi se vizita në vendet ku Shenjtorët Pjetër dhe Pal e dëshmuan "dashurinë e tyre për Krishtin duke flijuar jetën si martirë", mund ta forcojë fenë, "në mënyrë që të mund të besohet më lehtë edhe nga të tjerët".

R.SH. / Vatikan

"Mundësi për dëgjim e lutje" për të "dëgjuar më qartë zërin e Zotit" që thërret në thellësitë e zemrës: ky mund të jetë shtegtimi në Romë për Vitin Jubile. Leoni XIV ua shpjegoi këtë të rinjve të dioqezës së Kopenhagenit dhe mësuesve nga Irlanda, Anglia, Uellsi dhe Skocia, ardhur në Romë për Jubileun, e pritur në audiencë sot, 5 korrik, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik. Fjalët e para të Papës i kujtuan miqve se "Zoti e krijoi" secilin "me një qëllim dhe një mision në jetë", duke i nxitur të jenë ‘zemërhapur’ për të lejuar hirin e Zotit ta forcojë besimin e tyre në Jezusin, në mënyrë që ta ndajnë më lehtë edhe me të tjerët".

Përvoja e rëndësishme e shtegtimit

Papa Leoni XIV theksoi se "Qyteti i Amshuar" është "shtëpi e veçantë për të krishterët", sepse "vendi ku Apostujt Pjetër e Pal dhanë dëshminë më të lartë të dashurisë së tyre për Jezusin, duke flijuar jetën si martirë". Në vijim, i falënderoi të rinjtë që erdhën në Romë dhe i siguroi për lutjet e tij, në mënyrë që "duke vizituar Viset e ndryshme Shenjte", të fitojnë frymëzim e shpresë nga shembulli i thellë i shenjtorëve dhe martirëve, për t’i përngjarë Krishtit".

Shtegtimi luan rol themelor në jetën tonë të fesë, sepse na largon nga shtëpitë dhe rutina jonë e përditshme dhe na dhuron kohë e hapësirë ​​për t'u takuar më në thellësi me Zotin. Këto çaste na ndihmojnë gjithmonë të rritemi, sepse përmes tyre Shpirti Shenjt na formon butësisht për të qenë gjithnjë e më në përputhje me mendjen dhe zemrën e Jezu Krishtit.

Krishti, model i çdo mësimdhënieje të vërtetë

Pastaj, duke iu drejtuar mësuesve, Papa përsëriti çka u tha fëmijëve dhe theksoi "rolin e tyre të rëndësishëm në edukimin e nxënësve". "Ata do t'ju kundrojnë si modele feje, veçanërisht në mënyrën se si i mësoni dhe si jetoni" - shtoi - me shpresën që secili prej tyre të mund të kultivojë "çdo ditë" "marrëdhënien e vet me Krishtin, i cili na ofron modelin e çdo mësimdhënieje të mirëfilltë", për të qenë më pas në gjendje t’i "udhëzojnë dhe t’i inkurajojnë" ata “që iu besuan kujdesit të tyre gjatë ndjekjes së Krishtit në jetë”.

Çdo shtegtim vazhdon në jetën e përditshme

Së fundmi, para se të jepte bekimin, Papa Leoni u dha edhe këshillën e fundit të gjithëve:

Ju lutemi mbani mend se shtegtimi nuk përfundon, por e zhvendos fokusin e tij në "shtegtimin e përditshëm të dishepullimit". Ne të gjithë jemi shtegtarë, e jemi gjithnjë shtegtarë në shtegtim, ndërsa kërkojmë të ndjekim Zotin e e edhe rrugën që është vërtet e jona në jetë. Sigurisht që nuk është e lehtë, por me ndihmën e Zotit, me ndërmjetësimin e shenjtorëve dhe inkurajimin e njëri-tjetrit, mund të jeni të sigurt se për sa kohë qëndroni besnikë, duke besuar gjithmonë në mëshirën e Zotit, përvoja e këtij shtegtimi do të vazhdojë të japë fryte gjatë gjithë jetës suaj.

05 korrik 2025, 12:17