ÐÓMAPµ¼º½

Leoni XIV - Motrave Augustiniane: kultura pa të vërtetë është mjet i të fuqishmëve

Në përshëndetjen drejtuar Shërbyeseve të Jezusit e Marisë, Papa i nxiti ta përtërijnë besnikërinë e tyre ndaj karizmës së themelueses, Motër Maria Teresa Spinelli, duke qenë të duruara në sprova, të guximshme në mision dhe në formimin e "mendjeve të mençura e zemrave të afta për dëgjim e dhimbje për njerëzimin".

R.SH. / Vatikan

Një takim në emër të Shën Augustinit. Është audienca e sotme, 5 korrik, në Sallën e Koncistorit, në Vatikan, në të cilën Papa Leoni priti rreth 40 Motra Augustiniane, Shërbëtore të Jezusit e të Marisë, në fund të Kapitullit Provincial të provincës italiane, që përfshin edhe bashkësitë e Republikës Demokratike të Kongos, Indisë dhe misionet e reja në Tanzani e Indonezi. Një javë "lutjeje, dallimi dhe planifikimi të përbashkët", nënvizoi Papa, në të cilën "të përtërijmë besnikërinë ndaj karizmës së themelueses suaj, Motrës së nderuar Maria Teresa Spinelli".

Ndërsa procesi i saj i kanonizimit vazhdon, vazhdon edhe rruga juaj drejt shenjtërisë! Si Motra Augustiniane, Shërbëtore të Jezusit dhe Marisë, ju inkurajoj të udhëhiqeni gjithmonë nga emri që mbani. Shërbimi, që jetoni çdo ditë, realizohet para së gjithash në kushtimin e jetës Zotit dhe forcohet në kushtimin e sinqertë ndaj Nënës së Tij e Nënës sonë.

Kulturë, larg botës

Shërbim, por edhe durim në prova, në të cilat Zoti - vazhdoi Papa Prevost - vërteton besnikërinë e tij; guxim në mision, "në mënyrë që vepra edukative së cilës i kushtoheni të formojë mendje dhe zemra të mençura, të afta për të dëgjuar e edhe për të vuajtur për njerëzimin"; e këmbëngulje në ndjekjen e Krishtit, "kriteri i të gjitha nismave tona kulturore".

E dimë se kultura pa të vërtetën bëhet mjet i të fuqishmëve: në vend që të çlirojë ndërgjegjet, i ngatërron dhe i shpërqendron sipas interesave të tregut, modës ose suksesit botëror.

Udha për të takuar Jezusin

Ftesa e Papës është ta marrim në dorë De Magistro të Shën Augustinit,  vepër në të cilën ipeshkvi i Iponës pohon se "mësimi i jashtëm duhet të çojë gjithmonë në takimin me Mësuesin e brendshëm, që është Jezusi".

Motrat Augustiniane, Shërbëtore të Jezusit e Marisë, e kryejnë apostullimin e tyre veçanërisht ndërmjet të rinjve, përmes mësimdhënies, katekizmit dhe shërbesës rinore. Në vendet misionare i përkushtohen ndihmës së fëmijëve të varfër dhe të braktisur, përparimit të grave dhe kujdesit shëndetësor.

Përveç Italisë, janë të pranishme në Maltë, Angli, Shtetet e Bashkuara, Australi, Brazil, Republikën Demokratike të Kongos, Indi dhe Filipine. Në audiencën e sotme me Papën morën pjesë edhe rrregulltare të bashkësive të ndryshme italiane.

05 korrik 2025, 14:34