MAP

Leoni XIV: lufta në Ukrainë është e pakuptimtë, lutem që paqja të kthehet sa më shpejt

Në një audiencë me anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës Katolike Greke të Ukrainës, Papa Leoni XIV kujton detyrën e Ipeshkvijve “për t’i shërbyer Krishtit në çdo person të plagosur e të vuajtur që u drejtohet bashkësive tuaja për ndihmë konkrete”, dhe lutet që paqja të kthehet në Ukrainë “sa më shpejt të jetë e mundur”.

R.SH. - Vatikan

Papa Leoni XIV priti sot paradite në Vatikan anëtarët e Sinodit të Kishës Greko-Katolike të Ukrainës. "Luftë në Ukrainë është e pakuptimtë", Leoni XIV ripohoi dënimin e tij, që pati shprehur edhe të shtunën e kaluar më 28 qershor, kundër konfliktit që vazhdon prej më shumë se tre vjetësh në Ukrainë. "Paqja u ktheftë sa më shpejt në atdheun tuaj". Kjo,pra, është lutja që Papa bashkëndau sot me anëtarët e Sinodit të Kishës Greko-Katolike të Ukrainës, të mbledhur në Romë, ditët e fundit, pas shtegtimit të tyre jubilar më 28 qershor, vulosur pikërisht nga takimi me Papën në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Një takim që preku zemrën e Leonit XIV (i cili me atë rast bekoi edhe një grup nënash të ushtarëve të rënë në luftë), siç u vu re gjatë këngës së lutjes së Ati Ynë-s në gjuhën ukrainase, kënduar në kor nga të gjithë besimtarët ukrainas të pranishëm në Bazilikën e Vatikanit. Papa kujtoi atë moment në audiencën e sotme me anëtarët e Sinodit të Kishës Greko-Katolike të Ukrainës: "Atë ditë më pëlqeu shumë...", tha Papa në italisht, për të vazhduar më pas në anglisht:

"Na pëlqeu shumë kënga e Ati Ynë-s në gjuhën ukrainase. Po ta këndonit për ne, ne mund të këndonim së bashku lutjen e Ati Ynë-s".

Në fjalën e tij drejtuar anëtarëve të Sinodit të Kishës Greko-Katolike të Ukrainës, Leoni XIV foli për shpresën e krishterë, në kontekstin e Vitit Jubilar, sepse e fton gjithë Popullin e Zotit të ripërtërihet në shpresën që nuk zhgënjen".

Siç i pëlqente të përsëriste Papa Françeskut, shpresa në Krishtin nuk zhgënjen, sepse është e bazuar në dashurinë e Zotit në Krishtin Jezus, Zotin tonë.

Sigurisht, "në kontekstin aktual historik, nuk është e lehtë të flasësh për shpresën", pranoi Papa Leoni XIV.

"Nuk është e lehtë të gjesh fjalë ngushëllimi për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre në këtë luftë të pakuptimtë", theksoi Ati i Shenjtë. "Imagjinoj se kështu është edhe për ju, që jeni në kontakt çdo ditë me njerëzit e plagosur në zemër dhe në trup". Pavarësisht kësaj, Papa Prevost siguroi se merr "shumë dëshmi feje dhe shprese nga burra e gra" të popullit ukrainas. Një "shenjë kjo e fuqisë së Zotit që shfaqet mes rrënojave të shkatërrimit".

Dhe këtë forcë Papa nxiti të mos e humbasin përballë sfidave dhe nevojave që duhen përballuar, "si në fushën kishtare ashtu edhe në atë humanitare".

Jeni thirrur t’i shërbeni Krishtit në çdo person të plagosur dhe të pikëlluar, që i drejtohet komuniteteve tuaja duke kërkuar ndihmë konkrete. Jam pranë jush, dhe nëpërmjet jush, jam pranë të gjithë besimtarëve të Kishës suaj. Të qëndrojmë të bashkuar në fe dhe në shpresë”, tha Papa Leoni XIV.

02 korrik 2025, 11:55