MAP

 2025.06.22 Santa Messa, Processione a Santa Maria Maggiore e Benedizione Eucaristica nella Solennità del Santissimo Corpo e Sangue di Cristo

Kumtimi i Krishtit në botë, përparësia "augustiniane" e Papës Leoni XIV

Ta vësh Krishtit në qendër, të jesh i bashkuar në Të, të kthehesh në themelin e fesë: kjo është "urgjenca", të cilën e vë vazhdimisht në dukje Papa. Duke u frymëzuar nga Ipeshkvi i Ipponës, na nxit të dëgjojmë mesazhin e Ungjillit, të rritemi në dashuri, të jemi të vendosur në fe e bujarë në bamirësi

R.SH. - Vatikan

Kthimi "në epërsinë e Krishtit në kumtim". Kjo është një ndër përparësitë e Leonit XIV i cili, dy ditë pas zgjedhjes së tij, më 10 maj, në takimin me Kolegjin e Kardinalëve, i nxiti të përsërisnin angazhimin e tyre në rrugën që po ndjek Kisha pas Koncilit II të Vatikanit. Ati i Shenjtë theksoi se "Papa Françesku e kujtoi dhe e përditësoi me mjeshtëri përmbajtjen e tij në Nxitjen Apostolike Evangelii Gaudium", dhe theksoi disa nga temat e saj themelore, duke përfshirë, përveç "përparësisë së Krishtit në shpallje", "kthesën misionare të të gjithë bashkësisë së krishterë; rritjen në kolegjialitet dhe sinodalitet; vëmendjen ndaj sensus fidei, veçanërisht në format e saj më specifike e më gjithëpërfshirëse, si devotshmëria popullore; kujdesi plot dashuri për më pak fatlumët e të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë; dialogu i guximshëm dhe i besueshëm me botën bashkëkohore në realitetet e saj të ndryshme".

Shën Augustini dhe kërkimi i urtisë

Qendërsia e Krishtit është një karakteristikë tjetër e përshpirtërisë augustiniane, qartësisht e dukshme te Leoni. Augustini e njohu  Jezusin përmes nënës së tij, Monikës, e cila e edukoi në fenë e krishterë si fëmijë, por ai nuk deshi të ecte në atë rrugë. Si adoleshent, u magjeps nga dashuritë e para, nga kalimi i kohës me miqtë, nga teatri... Studioi edhe retorikë për karrierë në forum ose në komuna, por ndërkohë nuk hoqi dorë nga kënaqësitë e jetës. Derisa leximi i Hortensit të Ciceronit, i cili e inkurajoi të ndiqte filozofinë më të fisme, e preku thellësisht.

“Ma ndryshoi mënyrën e të ndjerit… - do të shkruante në Rrëfimet (III, 4,7) - më ngjalli aspirata dhe dëshira të reja, papritmas në sytë e mi më shkatërroi çdo shpresë të kotë dhe më bëri të dëshiroja mençurinë e pavdekshme, me një zjarr të pabesueshëm zemre”. Ky libër e nxiti, e ndezi dhe e përflaku “për të dashur, për të kërkuar, për të ndjekur, për të arritur, për të përqafuar me forcë… mençurinë në vetvete, kudo që të ishte”. Megjithatë, ai mbeti i zhgënjyer nga “mungesa në ato faqe e emrit të Krishtit” të cilin, e kishte “ruajtur” në zemër, të ngulitur nga e ëma, “kështu çdo vepër ku mungonte, edhe nëse e mësuar, e rafinuar dhe e vërtetë”, nuk e pushtoi “plotësisht” (III, 4,8).

Shën Augustini
Shën Augustini   (©Renáta Sedmáková - stock.adobe.com)

Takimi i parë me Shkrimin Shenjt

Djali i harlisur nga Tagaste nisi më pas të lexojë Shkrimet Shenjte: "Dhe ja, unë shoh: diçka të errët për krenarët dhe jo më pak të fshehur për fëmijët, një hyrje të ulët, pastaj një pasazh sublim të mbështjellë me mister" (III, 5, 9). E konsideron "vepër të padenjë për krahasim me madhështinë e Tulliusit", edhe sepse "krenaria e tij e fryrë" "e urrente ... modestinë e saj", "e shikimi i tij nuk depërtonte në skutat e saj". Më vonë do të pranojë se ishte bërë "për t'u rritur me të vegjlit", duke pranuar se e përçmonte ta quante veten "të vogël" sepse "i fryrë nga krenaria", besonte se ishte "i madh" (III, 5, 9).

Kthesa

Udhëtimi i numidianit të ri drejt kthesës ishte i gjatë dhe i mundimshëm, kur ai vendosi të rivishej "me Zotin Jezu Krisht", të distancohej përfundimisht nga "shthurjet", "dehja", "përqafimet" e  të mos jepej "pas mishit ndër epshe" (VIII, 12, 29), por t'i kushtohej plotësisht Zotit dhe të vazhdonte kërkimin e tij për të Vërtetën brenda Kishës. Që nga ai çast, Krishti u bë pikë mbështetje e jetës së Agustinit ("Ai të cilit ia kam kushtuar plotësisht veten", Kontradikta Akademike II, 1, 2). I njohur si qendra e fesë, Mishërimi i Fjalës së Zotit duke qenë qendra e historisë së shpëtimit, do të ishte edhe zemra e reflektimit të tij teologjik. Por duhet të mbahet mend se për shenjtin e Afrikës së Veriut, teologjia është gjithmonë filozofi, edhe nëse është pjesa më e lartë, sepse objekti i saj është Zoti. Sigurisht, pasi është tërhequr në Cassiciaco, në fshatin Brianza, në Lombardinë e sotme, ish-retoriku është ende i mbushur me filozofinë "e kësaj bote të ndjeshme" që kishte ndikuar aq shumë në mendimin e tij dhe me të cilën e kundërshton, me metodën e dialogut, "filozofinë e vërtetë" (Kontradikta Akademike III, 19, 42), siç dëshmojnë veprat e tij të para, lindur pikërisht në atë periudhë të christianae vitae otium (Tërheqjet I, 1, 1) që i paraprin përgatitjes për pagëzim. Megjithatë, Augustini është i bindur se "Biri nuk quhet Zot në një mënyrë të papërshtatshme" (De ordine I,10,29) dhe disa vite më vonë, në Fenë e Vërtetë (16,30), do të pohojë se "vetë Urtia e Perëndisë, domethënë Biri i vetëm, bashkëqenësor dhe i bashkëpërjetshëm me Atin, denjoi të merrte përsipër të gjithë natyrën e njeriut, e Fjala u bë njeri dhe erdhi e banoi ndër ne". Pastaj, në Komentin mbi Ungjillin e Gjonit(2,3), do të specifikojë: "Ai u bë njeri për ne, në mënyrë që të jetë në gjendje të mbartë të ligshtit përtej detit të këtij shekulli dhe t'i bëjë të arrijnë në atdheun e tyre".

Shkopi baritor i Leonit XIV
Shkopi baritor i Leonit XIV   (@Vatican Media)

Njohja e Krishtit

Shkurt, duke fituar vazhdimisht pjekurinë në fe, edhe nëpërmjet studimit të Shkrimit Shenjt, Ipeshkvi i Iponës donte ta bënte Krishtin të njohur sipas mësimit të Kishës Katolike. Siç e shpjegoi Ati Augustinian Nello Cipriani në një nga shkrimet e tij të fundit (Jezu Krishti në jetën dhe reflektimet e Shën Agustinit), ai “i ndihmonte besimtarët të rriteshin në njohurinë dhe dashurinë e tyre për misterin e Krishtit, në mënyrë që t'i bashkonte ata gjithnjë e më ngushtë me të, me Kokën e korpin e tij, që është Kisha", e "duke i udhëzuar të jetojnë një përvojë vërtetë të krishterë, në mënyrë që rrëfimi i saktë i doktrinës katolike të përkojë me fenë e jetuar vërtetësisht".

 “Urgjenca” e Papës Leoni

"T’ia çojmë Krishtin të gjithë popujve" është “nevoja urgjente" e Papës Leoni, e theksuar më 22 majin e kaluar në fjalimin e tij drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Shoqërive Misionare Papnore, pasi kishte kujtuar, disa ditë më parë, se motoja e zgjedhur për shërbesën e tij ipeshkvnore - "In Illo uno unum", marrë nga Ekspozimet mbi Psalmet 127:3 - dhe e konfirmuar për shërbesën e tij papnore, synon të ribëjë thirrje për unitet në Krishtin, sepse "bashkimi ynë realizohet" nëse "konvergojmë në Zotin Jezus”. Sa më besnikë dhe të bindur të jemi ndaj Tij, aq më të bashkuar jemi ndërmjet nesh. Prandaj, si të krishterë, të gjithë jemi të thirrur të lutemi dhe të punojmë së bashku për ta arritur, hap pas hapi, këtë qëllim, i cili është dhe mbetet vepër e Shpirtit Shenjt" (Fjalim drejtuar përfaqësuesve të Kishave dhe bashkësive të tjera kishtare dhe të feve të tjera, 19 maj). Ftesë e bërë gjatë Meshës për fillimin e shërbesës papnore (18 maj) dhe e paraprirë nga një citat i shkëputur prej një fjalimi (359,9) të Ipeshkvit të Iponës:

"Kisha përbëhet nga të gjithë ata që janë në harmoni me vëllezërit dhe motrat e tyre dhe që e duan të afërmin".

Një Kishë e bashkuar

Mbi këtë premisë, Papa shpreh "dëshirën e madhe" për "një Kishë të bashkuar, një shenjë uniteti dhe bashkësie, e cila bëhet maja për një botë të pajtuar", duke e ftuar "botën" të shikojë "drejt Krishtit", t­­­­’i afrohet "Atij", të mirëpresë "Fjalën e Tij që ndriçon dhe ngushëllon", të dëgjojë "propozimin e Tij të dashurisë për t'u bërë familja e tij e vetme", sepse "në të vetmin Krisht ne jemi një". Dhe kjo është rruga që duhet të ndjekim së bashku, ndërmjet nesh, por edhe me Kishat tona simotra të krishtera, me ata që ndjekin rrugë të tjera fetare, me ata që kultivojnë kërkimin e paduruar për Zotin, me të gjitha gratë dhe gjithë burrat vullnetmirë, për të ndërtuar një botë të re, ku mbretëron paqja.

  (@Vatican Media)

Ripërtëritja e kumtimit të Ungjillit

Papa Leoni ia ofron këtë këshillë edhe Konferencës Ipeshkvnore Italiane (17 qershor), duke shtuar se "nevojitet një shtysë e re në shpalljen dhe transmetimin e fesë", e se kjo do të thotë "ta vendosim Jezu Krishtin në qendër dhe, në rrugën e treguar nga Evangelii Gaudium, t’i ndihmojmë njerëzit të jetojnë  marrëdhënie personale me Të e të zbulojnë gëzimin e Ungjillit". "Në një kohë fragmentimi të madh, është e nevojshme të kthehemi te themelet e fesë tonë, te kerygma", pohon Papa. Për këtë arsye, "angazhimi i parë i madh që motivon të gjithë të tjerët" është "të sjellim Krishtin 'në venat' e njerëzimit, duke ripërtërirë dhe duke ndarë misionin apostolik", domethënë shpalljen e Lajmit të Mirë. Megjithatë, është e nevojshme të "dallojmë" mënyrat për ta bërë atë "të arrijë tek të gjithë", sepse kemi nevojën e "veprimeve baritore të afta për të arritur ata që janë më larg" dhe "të mjeteve të përshtatshme për ripërtëritjen e katekizmit dhe gjuhëve të shpalljes".

Mësimet e ipeshkvit të Iponës

Këto janë disa nga këshillat që ofron Ipeshkvi i Iponës në traktatet e tij, "Katekizmi i parë i Krishterë" dhe "Doktrina e Krishterë", në të cilat kujdeset të përshkruajë se si të interpretohet saktë Shkrimi  Shenjt dhe si të shpjegohet, varësisht nga bashkëbiseduesit ose audienca. Në shkrimet e tij të panumërta, Agustini e paraqet Krishtin si shëmbëlltyrën e Atit ("Duke marrë një trup, ai u mishërua për t'u shfaqur në shqisat e njerëzve", Rrëfimet XIV, 20),   model për njerëzimin, "i paaftë për të parë Perëndinë për shkak të mëkateve që e bënë të papastër" (Triniteti VII, 3, 5); por edhe si e vërtetë, si shkencë dhe mençuri (shih XIII, 19, 24) dhe gjithashtu si ndërmjetës (“Zoti Jezu Krisht nuk erdhi në mish për asnjë arsye tjetër... përveçse për të gjallëruar, për të shpëtuar, për të çliruar, për të shpenguar, për të ndriçuar ata që më parë ishin në vdekje, në dobësi, në skllavëri, në burg, në errësirën e mëkatit”. Ndëshkimi dhe falja e mëkateve dhe pagëzimi i fëmijëve (I, 26, 39) është “dera për të shkuar tek Ati”(Koment mbi Ungjillin e Gjonit 47,3), dhe pastaj, përsëri, si mësues (“Ne kemi Krishtin brenda nesh... Çkado që nuk mund ta kuptoni për shkak të mungesës së inteligjencës suaj dhe të fjalës sime, drejtohuni në zemrën tuaj tek ai që ju mëson atë që thotë dhe ju shpërndan, ashtu siç beson”, Koment mbi Ungjillin e Gjonit 20,3), dhe si shembull përvujtërie.

Rruga e përvujtërisë

Përvujtëria e Krishtit është pikërisht pjesa e fundit e enigmës të kthesës së Atit të madh të Kishës, i cili e kuptoi se mund ta lartonte veten te Perëndia vetëm duke u kapur pas "ndërmjetësit ndëmjet Perëndisë dhe njerëzve, njeriut Jezu Krisht". Në të vërtetë, duke ndjekur rrugën e përvujtërisë së "Jezusit të përvuajtur"  Agustini gjen rrugën që e çon atë drejt së Vërtetës (shih Rrëfimet VII, 18, 24). "Ai na tregoi rrugën e përvujtërisë përmes mësimit të tij dhe e përshkoi atë duke vuajtur për ne", thotë Ndjekësi i Krishtit në Predikimin 23/A, 3, dhe "Le të përpiqemi të jemi të vegjël; ta kërkojmë dhe ta mësojmë nga Mjeshtri ynë i madh", në Predikimin 68, 9. Jehona e këtyre fjalëve të fundit gjendet lehtësisht në predikimin e Papës gjatë Meshës pro ecclesia më 9 maj. Në të ai thekson se "një angazhim i domosdoshëm për këdo në Kishë që ushtron një shërbesë autoriteti" është "të zhduket, në mënyrë që Krishti të mbetet; të bëhet i vogël, në mënyrë që Ai të njihet dhe të lavdërohet; të jepet plotësisht, në mënyrë që askush të mos e humbasë mundësinë për ta njohur dhe për ta dashur Atë".

"Ai na deshi në mënyrë që edhe ne të mund ta duam njëri-tjetrin. Duke dashur njëri-tjetrin, na dha ndihmën në mënyrë që përmes dashurisë së ndërsjellë të mund të afrohemi më shumë me njëri-tjetrin dhe gjymtyrët tona të lidhura nga një lidhje kaq e ëmbël, të mund të jenë trupi i një Koke kaq të madhe" (Koment mbi Ungjillin e Gjonit 65.2) - është sinteza e Ipeshkvit të Iponës.

  (@Vatican Media)

Të vendosur në fe, duarhapur në bamirësi

Ndërsa Leoni, në Meshën për Jubileun e Familjeve, Gjyshërve dhe të Moshuarve (1 qershor), duke këmbëngulur në ftesën e Krishtit që të gjithë të jenë "një" - "e mira më e madhe që mund të dëshirohet, sepse ky bashkim universal realizon ndërmjet krijesave bashkimin e përjetshëm të dashurisë, në të cilin identifikohet vetë Zoti, si Ati që jep jetë, Biri që e merr dhe Shpirti që e ndan" – këshillon të ecim së bashku në "gjurmët" e Krishtit, "të përvuajtur, të vendosur, të patundur në fe dhe të gatshëm për të gjithë në bamirësi" (Jubileu i Priftërinjve, 27 qershor). Më saktësisht, Papa sqaron se të besosh në Jezu Krishtin "dhe ta ndjekësh atë si dishepuj të tij do të thotë ta lejojmë veten të shndërrohemi në mënyrë që edhe ne të kemi të njëjtat ndjenja që ka ai vetë:  zemër që preket,  shikim që sheh dhe nuk kalon, dy duar që ndihmojnë dhe qetësojnë plagët, supe të forta që mbështesin ata të cilët kanë nevojë" (Homelia në Famullinë Papnore të Shën Thomait të Villanovës në Castel Gandolfo, 13 korrik).

Të duash si Jezusi

Dhe kështu, për Papën, ta vësh Krishtin në qendër do të thotë "kthim në zemrën e dikujt", zbulim i "ligjit të dashurisë" të shkruar nga Zoti. Do të thotë të kuptosh, pra, se sa shumë "na do Jezusi dhe sa kujdeset për ne" na shtyn ta "duam në të njëjtën mënyrë", të bëhemi "shenja të dashurisë së tij". Leoni, shkurtimisht, bën thirrje për "revolucionin e dashurisë", "dashuri që jep - e  nuk zotëron; dashuri që fal - e nuk kërkon; dashuri që ndihmon - e nuk të braktisë kurrë", por na shtyn të "bëhemi fqinj" me ata që takojmë gjatë shtegtimit tonë, ashtu si "në Krishtin, Zoti u bë fqinj me çdo burrë dhe grua" (Angelus, 13 korrik).

29 korrik 2025, 14:47