Papa, paqja kthehet nëse nuk sillemi më si grabitqarë
R.SH. / Vatikan
Viti i hirit të Zotit, shprehje e të cilit është Jubileu, mbart në vetvete këtë frymë: në një botë të copëtuar dhe pa paqe, Shpirti Shenjt na edukon të ecim së bashku. Toka do të prehet, drejtësia do të vendoset, të varfrit do të gëzohen, paqja do të kthehet nëse nuk do të lëvizim më si grabitqarë, por si shtegtarë". Ky është mesazhi i Papa Leonit XIV në Vigjiljen e Rrëshajëve në Sheshin e Shën Pjetrit, me rastin e Jubileut të Lëvizjeve, Shoqatave dhe Komuniteteve. Më pas, Ati i Shenjtë Prevost pohoi: "jo më secili për vete, por duke harmonizuar hapat tanë me hapat e të tjerëve." Natën e Rrëshajëve, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa Leoni XIV nxiti edhe një herë për unitet, për një “harmoni të përsosur” në udhëtimin e Kishës, e cila shtrihet "midis asaj që është tashmë dhe asaj që ende nuk është".
Në vijim predikimi i Papës Leonit XIV
7 qershor 2025
VIGJILJA E RRËSHAJVE ME LËVIZJET, SHOQATAT DHE BASHKËSITË E REJA
HOMELIA E ATIT TË SHENJTË
E shtunë, 7 qershor 2025
Motra dhe vëllezër të dashur!
Shpirti Krijues, të cilin e thirrëm në këngë – Veni creator Spiritus – është Shpirti që zbriti mbi Jezusin, protagonistin e heshtur të misionit të tij: “Shpirti i Zotit është mbi mua” (Lk 4,18). Duke i kërkuar që të vizitojë mendjet tona, të shumëfishojë gjuhët tona, të ndezë shqisat tona, të mbjellë dashuri, të forcojë trupat tanë, të na japë paqe, ne ia kemi hapur zemrën Mbretërisë së Perëndisë. Kjo është pendesë, sipas Ungjillit: të kthehemi në Mbretërinë, që tani është pranë.
Në Jezusin shohim dhe nga Jezusi dëgjojmë se gjithçka është transformuar, sepse Hyji mbretëron, sepse Hyji është afër. Në këtë prag të Rrëshajëve jemi thellësisht të përfshirë pranë Hyjit, Shpirtit të tij që bashkon historitë tona, me ato të Jezusit. Jemi të përfshirë, domethënë, në gjërat e reja që bën Zoti, në mënyrë që vullneti i tij për jetën të realizohet dhe të mbizotërojë mbi vullnetin për vdekjen.
"Më shenjtëroi me vajosje për t'u sjellë lajmin e mirë të varfërve. Më dërgoi t'u shpall lirinë robërve dhe të verbërve dritën e syve, për t'i lënë të lirë të shtypurit, për të shpallur vitin e hirit të Zotit" (Lk 4:18-19). Nuhasim këtu aromën e bagmit, me të cilin është lyer edhe balli ynë. Pagëzimi dhe Krezmimi, të dashur vëllezër dhe motra, na bashkuan me misionin shndërrues të Jezusit, në Mbretërinë e Zotit. Ashtu si dashuria na e bën të njohur aromën e një të dashuri, kështu këtë mbrëmje ne nuhasim tek njëri-tjetri aromën e Krishtit. Është mister që na mahnit dhe na bën të mendojmë.
Në Rrëshajë, Maria, Apostujt dhe dishepujt që ishin me ta u mbështollën nga një Shpirt uniteti, i cili rrënjosi përgjithmonë në të vetmin Zot Jezu Krisht, diversitetin e tyre. Jo shumë misione, por një mision i vetëm. Jo i rëndë e grindavec, por i lehtë dhe i ndritshëm. Ky Shesh i Shën Pjetrit, që është si përqafim i hapur dhe mikpritës, shpreh në mënyrë madhështore bashkimin e Kishës, të jetuar nga secili prej jush në përvojat e ndryshme shoqëruese dhe komunitare, shumë prej të cilave përfaqësojnë frytet e Koncilit II të Vatikanit.
Në mbrëmjen e zgjedhjes sime, duke parë me emocion popullin e Zotit të mbledhur këtu, m'u kujtua fjala "sinodalitet", e cila shpreh lumturisht mënyrën se si Shpirti e modelon Kishën. Në këtë fjalë rijehon syn - me - që përbën sekretin e jetës së Zotit. Zoti nuk është vetmi. Zoti është "me" në vetvete - Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt - e është edhe Zoti me ne. Në të njëjtën kohë, sinodaliteti na kujton rrugën - odós - sepse ku është Shpirti, ka lëvizje, ka udhëtim. Ne jemi popull për udhë. Kjo vetëdije nuk na largon, por na zhyt në njerëzim, si majàja në brumë, që e bën të tërin të fermentohet.
Viti i hirit të Zotit, shprehje e të cilit është Jubileu, ka në vetevte këtë ferment.
“Në një botë të copëtuar dhe pa paqe, Shpirti Shenjt na mëson të ecim së bashku. Toka do të pushojë, drejtësia do të mbrohet, të varfrit do të gëzohen, paqja do të kthehet nëse nuk lëvizim më si grabitqarë, por si shtegtarë. Jo më secili për veten e tij, por duke harmonizuar hapat tanë me hapat e të tjerëve. Jo duke e konsumuar botën me lakmi, por duke e kultivuar e duke e mbrojtur, siç na mëson Enciklika Laudato si’”.
Të dashur, Zoti krijoi botën që ne të mund të ishim së bashku. “Sinodalitet” është emri kishtar i kësaj vetëdije. Është rruga që i kërkon secilit njeri ta njohë borxhin dhe thesarin e vet, duke u ndjerë pjesë e një të tëre, jashtë së cilës gjithçka vyshket, madje edhe karizmat më origjinale. Shikoni: i gjithë krijimi ekziston vetëm sepse është së bashku, ndonjëherë rrezikshëm, por prapë një qenie së bashku (shih Laudato si’, 16; 117). E ajo, që ne e quajmë “histori”, merr formë vetëm në mënyrën e qenies së bashku, të të jetuarit së bashku, shpesh plot mosmarrëveshje, por prapë, së bashku.
E kundërta është vdekjeprurëse, por për fat të keq është para syve tanë, çdo ditë. Le të jenë grupet dhe bashkësitë tuaja atëherë palestra vëllazërie dhe pjesëmarrjeje, jo vetëm si vende takimi, por edhe si vende përshpirtërie.
“Shpirti i Jezusit e ndryshon botën, sepse ndryshon zemrat”. Frymëzon atë përmasë kundruese të jetës, që mohon vetëpohimin, ankesat, frymën e grindjes, sundimin e ndërgjegjes dhe të burimeve.
“Zoti është Shpirti, e ku është Shpirti i Zotit, atje është liria (krh. 2 Kor 3:17).
Prandaj, përshpirtëria e vërtetë na angazhon në zhvillimin integral njerëzor, duke e aktualizuar ndërmjet nesh fjalën e Jezusit. Atje ku ndodh kjo, ka gëzim. Gëzim dhe shpresë. Ungjillëzimi, vëllezër dhe motra të dashura, nuk është fitore njerëzore e botës, por hir i pafund që përhapet nga jetët e ndryshuara prej Mbretërisë së Zotit.
“Është rruga e Lumturive, një rrugë që e përshkojmë së bashku, të tensionuar ndërmjet "tashmë" dhe "jo ende", të uritur dhe të etur për drejtësi, të varfër në shpirt, të mëshirshëm, të butë, me zemër të pastër, veprimtarë të paqes”.
Për të ndjekur Jezusin në këtë rrugë të zgjedhur prej Tij, nuk është nevoja të kemi miq të fuqishëm, kompromise të kësaj bote, strategji emocionale. Ungjillëzimi është vepër e Zotit dhe, nëse ndonjëherë kalon përmes popullit tonë, është për shkak të lidhjeve që i bën të mundura. Të jini, prandaj, thellësisht të lidhur me secilën prej Kishave dhe bashkësive famullitare të veçanta, ku ushqeni dhe shpenzoni karizmat tuaja. Rreth ipeshkvijve tuaj dhe në sinergji me të gjithë anëtarët e tjerë të Korpit të Krishtit, ne do të veprojmë atëherë në sintoni të harmonishme.
Sfidat me të cilat përballet njerëzimi, do të jenë më pak të frikshme, e ardhmja do të jetë më pak e errët, dallimi më pak i vështirë. Nëse së bashku i bindemi Shpirtit Shenjt!
Maria, Mbretëresha e Apostujve dhe Nëna e Kishës, ndërmjetësoftë për ne.