MAP

2025.06.16 Partecipanti alla Scuola estiva di Astrofisica promossa dalla Specola Vaticana

Leone XIV: shkenca le t'i shërbejë familjes së vetme njerëzore

Papa takon 24 studiuesit e rinj të astronomisë të cilët, nga 1 deri më 27 qershor, do të ndjekin një kurs kushtuar “Eksplorimit të universit me teleskopin kozmik të James Webb”, në Observatorin e Castel Gandolfo-s: “Mos harroni se gjithçka bëni është për të gjithë. Të shohësh botën që na rrethon në një mënyrë të re është një sipërmarrje e jashtëzakonshme".

R.SH. – Vatikan

“Mos hezitoni ta ndani gëzimin dhe mrekullinë, që lind nga soditja e ‘farave’ të cilat, sipas fjalëve të Shën Augustinit, Zoti i ka shpërndarë në harmoninë e universit”. Duke përmendur “De Genesis ad litteram”, interpretimin e Librit të Zanafillës nga Ipeshkvi i Iponës, Papa Leoni XIV priti sot paradite, 16 qershor, në Sallën e Koncistorit, pjesëmarrësit në Shkollën Verore të Observatorit të Vatikanit (Specola Vaticana), të cilëve u drejtoi ftesën për t’i ndarë bujarisht njohuritë, duke i bërë të tjerët pjesëmarrës në një dhuratë, që i jep kuptim përpjekjeve të atyre, që nuk e mbajnë dijen vetëm për vete.

“Mos harroni kurrë se ajo që bëni ka për qëllim të na sjellë dobi të gjithëve. Jini bujarë në bashkëndarjen e gjithçkaje mësoni e eksperimentoni, sipas aftësive tuaja më të mira e në çfarëdo mënyre që të mundeni”.

Deri më 27 qershor, leksione astronomie, por edhe ekskursione

Shkolla Verore e Observatorit të Vatikanit, mbajtur në Specola Vaticana në Castel Gandolfo, filloi zyrtarisht më 1 qershor. Marrin pjesë 24 astronomë të rinj nga 22 vende. Deri më 27 qershor, ata do të ndjekin leksione nga disa prej ekspertëve kryesorë të astronomisë në botë, do të punojnë në projekte, që lidhen me punën e tyre kërkimore dhe do të marrin pjesë në ekskursione të ndryshme (Subiako, Firence, Orvieto, Ostia Antica).

Specola Vaticana
Specola Vaticana

Në kërkim të jetës me teleskopin Webb

Titulli i këtij edicioni të 19-të të Shkollës është "Eksplorimi i universit me teleskopin kozmik James Webb". Ky teleskop është në funksion që nga viti 2022 e kohët e fundit arriti të bënte një fotografi, që quhet Cosmos-Web Field (Fusha Kozmos-Web), ku përfshihen pothuajse 800 mijë galaktika. Është fotografia më e madhe dhe më e detajuar bërë ndonjëherë, me kohë ekspozimi prej 255 orësh, në të cilën astronomët do të mund të shqyrtojnë "farat" e origjinës së universit dhe jetës. Atyre iu referua Papa Leoni XIV në fjalën e tij: "Falë këtij mjeti vërtet të jashtëzakonshëm - pohoi ai - për herë të parë, jemi në gjendje të shohim thellë në atmosferën e ekzoplanetëve [planetë jashtë sistemit tonë diellor], ku mund të zhvillohet jeta, si edhe të studiojmë nebulat (mjegullnajat), ku formohen sistemet planetare".

“Me Webb-in mund të gjurmojmë edhe dritën e lashtë të galaktikave të largëta, e cila flet për fillimin e universit tonë”.

  (@VATICAN MEDIA)

Puna e shkencës është për të mirën e gjithë njerëzimit

Papa theksoi më pas se ndërtimi i vetë teleskopit është fryt i përpjekjeve të përbashkëta, ashtu siç është edhe puna kërkimoro-shkencore. "Secili prej jush – nënvizoi Ati i Shenjtë - është pjesë e një bashkësie shumë më të madhe”. Edhe për teleskopin kozmik kanë punuar shumë njerëz gjatë 30 viteve të fundit.

“Përveç kontributit të kolegëve tuaj shkencëtarë, inxhinierë dhe matematikanë, është edhe falë mbështetjes së familjeve dhe shumë miqve tuaj, që keni pasur mundësinë ta vlerësoni dhe të merrni pjesë në këtë sipërmarrje të jashtëzakonshme, e cila na lejon ta shohim botën përreth nesh në një mënyrë të re”.

  (@Vatican Media)
16 qershor 2025, 13:06