Papa: vizitë e papritur në selinë e antenave të Radio Vatikanit
R.SH. – Vatikan
Sot paradite, Papa Leoni XIV vizitoi qendrën Santa Maria di Galeria, zonë në pronësi vatikanase, seli e Radio Vatikanit, nga ku ajo transmeton në gjithë botën me valë të shkurtra. Njoftimin e jep Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.
'Papa u takua me personelin e qendrës, me të cilët bisedoi, vizitoi sallën e transmetuesve të projektuar nga arkitekti Pier Luigi Nervi dhe u ul në sallën e kontrollit për transmetimet me valë të shkurtra. Papa u informua rreth funksionimit të antenave, transmetimeve dhe sistemit dixhital të rimëkëmbjes nga fatkeqësitë. Së bashku me punonjësit, ndër të cilët edhe përgjegjësi i programit shqip në Radio Vatikan, don David Xhuxha, ai kremtoi edhe 43-vjetorin e meshtarisë, që bie pikërisht sot.
Ati i Shenjtë theksoi se gjatë punës së tij misionare në Amerikën Latine dhe në Afrikë, ishte gjë shumë e çmuar të dëgjonte transmetimet me valë të shkurtra të Radio Vatikanit, të cilat arrijnë në vende ku pak emitente mbërrijnë, duke ripohuar kështu, vlerën e komunikimit për misionin, shpjegon nota e Sallës së Shtypit të Vatikanit.
''Së fundi - vijon nota - duke bekuar të gjithë të pranishmit, i falënderoi për punën e kryer me besnikëri dhe vazhdimësi, edhe në një ditë feste si sot, solemniteti i Korpit të Krishtit, që në Vatikan është ditë pushimi. Papa pati më pas mundësinë të shikonte zonën, statusi i së cilës përcaktohet nga marrëveshjet e vitit 1951 me qeverinë italiane, sipas të cilave, mbi bazën e motu proprio ‘Fratello Sole’, po studiohet një projekt për një sistem agrovoltaik, që do të sigurojë jo vetëm furnizimin me energji elektrike të stacionit radiofonik, por edhe mbulimin e plotë nga pikëpamja energjitike për Shtet-Qytetin e Vatikanit. Qendra e Radios u përurua nga Papa Piu XII në vitin 1957. Vizita e fundit e një Pape në të dhe zonën e Santa Maria di Galeria daton në vitin 1991, vit në të cilin shkoi atje Gjon Pali II ''.