Papa ROACO-s: “Në natën e konflikteve jini dëshmitarë të dritës së Lindjes”
R.SH. - Vatikan
Me dashuri dhe mirënjohje, Papa Leone XIV u drejtohet pjesëmarrësve të sesionit plenar të Mbledhjes së Veprave për Ndihmën e Kishave Lindore (ROACO) për mbështetjen e ofruar popujve të tronditur nga luftërat. Një mbështetje që, thotë Ati i Shenjtë Prevost, është si "një bombol oksigjeni" në një ajër që është bërë tashmë "toksik". Papa u kërkon të gjithëve të demaskojnë çdo mistifikim që fshihet pas konflikteve: "Njerëzit nuk mund të vdesin për shkak të fake news". Ndër pyetjet që shtron Leoni XIV është e kjo: "Si mund të tradhtohen dëshirat e paqes së popujve me propagandat e rreme të riarmatimit, në iluzionin e kotë se supremacia zgjidh problemet, kur ushqen urrejtje dhe hakmarrje?". Para një realiteti të tillë Papa fton të lutemi, të ndihmojmë dhe të dëshmojmë Krishtin për të dalë nga logjikat e hakmarrjes dhe ndarjes.
Dhuna e luftës ka një egërsi djallëzore
Në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, në Vatikan, Papa takon anëtarët e Agjencive të Veprave për Ndihmën e Kishave Lindore (ROACO) në fund të sesionit vjetor të punimeve, ku shumë prej tyre nuk kanë mundur të jenë të pranishëm sepse udhëtimi nga Toka e Shenjtë është penguar nga lufta. Delegacionin e ROACO-s e drejton kardinali Claudio Gugerotti, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Kishat Lindore. Papa Prevost kujtoi dëshirën dhe kërkesën, e shprehur 40 vjet më parë nga Shën Gjon Pali II: "Kisha duhet të mësojë sërish të marrë frymë me dy mushkëritë e saj, atë lindore dhe atë perëndimore".
Dhe pikërisht lufta që gjakos këto toka, nga Ukraina në "situatën tragjike e çnjerëzore të Gazës" dhe në të gjithë Lindjen e Mesme, përbën temën thelbësore të fjalimit të sotëm, 26 qershor, mbajtur nga Papa Leoni XIV. Lufta "që ushqen urrejtje" dhe që, historikisht ka karakterizuar këto rajone, tani tërbohet me një forcë perverse:
Sot dhuna e luftës duket se godet territoret e Lindjes së krishterë me një egërsi djallëzore të paparë më parë.
Njerëzit nuk mund të vdesin për shkak të rreme fake news
Papa bën thirrje për qartësi dhe kur flet për Kishat Lindore nuk lë pa theksuar, me keqardhje, se edhe brenda bashkësisë katolike nuk kanë munguar deri më tani "mbizotërime dhe keqkuptime". Për konfliktet në zhvillim fjalët e Papa Prevost janë të qarta:
Ne të gjithë, njerëzimi, jemi të thirrur të vlerësojmë shkaqet e këtyre konflikteve, të verifikojmë ato të vërteta e të përpiqemi t'i kapërcejmë, dhe të hedhim poshtë ato të rreme, fryt i simulimeve emocionale dhe retorikës, duke i demaskuar me vendosmëri. Njerëzit nuk mund të vdesin për shkak të fake news.
Të detyrosh të tjerët me forcë, është e turpshme
Denoncimi i Pasardhësit të Pjetrit shprehet shumë qartë e me një nënvizim të veçantë edhe kur vë në diskutim efikasitetin e veprimeve të komunitetit ndërkombëtar, të dobësuara qartë nga një përmbysje e konsiderimit të të drejtave:
Është dëshpëruese të shohësh se forca e së drejtës ndërkombëtare dhe e së drejtës humanitare nuk duket më se obligon, madje është zëvendësuar nga e drejta e supozuar për të detyruar të tjerët me forcë. Kjo është e padenjë për njeriun, është e turpshme për njerëzimin dhe për përgjegjësit e kombeve.
Propagandat e rreme të riarmatimit
Papa shtron një sërë pyetjesh për të theksuar sa iluzore është të mendosh se veprimet luftarake sjellin paqe, se "supremacia zgjidh problemet, kur dihet se këto veprime ushqejnë urrejtje dhe hakmarrje". Ati i Shenjtë Prevost pyet si mund të "tradhtohen dëshirat e paqes së popujve me propagandat e rreme të riarmatimit". Dhe bën thirrje për nevojën e kohezionit, të punohet për të mirën e përbashkët, duke theksuar se njerëzit tashmë nuk arrijnë t’i shpëtojnë mekanizmit ekonomik që ushqen konfliktet:
Njerëzit janë gjithnjë e më pak të pavetëdijshëm për sasinë e parave që shkojnë në xhepat e tregtarëve të vdekjes dhe me të cilat mund të ndërtoheshin spitale e shkolla; dhe në vend të kësaj shkatërrohen edhe ato që janë ndërtuar tashmë!
Të dëshmosh pa u ngatërruar në tentakulat e pushtetit
Detyra e të krishterëve, thotë Leone XIV, përballë këtyre dëshpërimeve që do të bënin të humbiste shpresa, është të mbajnë ndezur dritën e shpresës kundër errësirës së urrejtjes. Lutja është rrugë e domosdoshme: "Të bëjmë nga çdo lajm dhe imazh tragjik që na godet një britmë lutjeje ndërmjetësimi drejt Zotit". Të mos lodhemi duke ngritur pa pushim lutjen tonë për paqe ndërmjet kombeve, duke mbetur të rrënjosur në Jezusin, kjo është ftesa e Papës që kujton rrezikun pilatian për të mbetur indiferentë "deri në pragun e të pariparueshmes" përballë popujve të shkatërruar nga bombat:
Të ndjekim Krishtin, që ka çliruar zemrat nga urrejtja, dhe të japim shembull se si duhet të dalim nga logjikat e ndarjes dhe hakmarrjes. Do të doja të falënderoja dhe idealisht të përqafoja të gjithë të krishterët lindorë që i përgjigjen të keqes me të mirën: faleminderit, vëllezër dhe motra, për dëshminë që jepni sidomos kur qëndroni në tokat tuaja si dishepuj dhe dëshmitarë të Krishtit.
Të njohim më shumë Lindjen e krishterë
Mendimi i Papa Prevost shkon më pas te "atentati i tmerrshëm" i së dielës së kaluar në Kishën e Shën Elisë në Damask, Siri, viktimat e të cilit i shtohen martirëve të shumtë të Lindjes së krishterë. Një traditë feje ajo e Lindjes së krishterë që duhet njohur më mirë, vëren në fund Papa, sepse ende ka shumë injorancë të përhapur që rrezikon të bëjë "asfiktike" fenë nëse privohet nga mushkëria e dytë me të cilën merr frymë. Të dobishme do të ishin, sipas dëshirës së Papës, kurset bazë mbi Kishat Lindore në Seminare, në Fakultetet Teologjike, në Universitetet katolike, si dhe rritja e takimeve dhe veprimeve pastorale me "kushërinjtë" e riteve kishtare lindore. Këto Kisha Lindore janë shprehje e gjallë e një pasurie dhe thellësie të shenjtë nga e cila mund të mësohet shumë: Ndjenja e tyre që kanë për të shenjtën, feja e tyre e kristaltë, e bërë granitike nga provat, dhe spiritualiteti i tyre që mban aromën e misterit hyjnor mund të ndihmojnë etjen për Zotin, e fshehur por e pranishme në Perëndim.