Papa: të mbrohet dinjiteti personal i të sëmurëve rëndë
R.SH. / Vatikan
Misteri i vuajtjes, “kaq i pranishëm në gjendjen njerëzore”, mund “të transformohet nga hiri e dhimbja në një përvojë të pranisë së Zotit”. Këtë e kujton Papa Leoni XIV, në një telegram në anglisht të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin, dërguar kryeipeshkvit të Liverpulit John Sherrington, me rastin e Ditës për Jetën 2025, e kremtuar këtë 15 qershor bashkërisht nga Konferencat Ipeshkvore të Anglisë dhe Uellsit, Skocisë dhe Irlandës.
Në këtë vit jubilar, i përqendruar në virtytin teologjik të shpresës, telegrami e cilëson veçanërisht domethënës temën e Ditës për Jetën 2025 “Shpresa nuk zhgënjen – gjetja e kuptimit në vuajtje”. Zoti, në fakt, është gjithmonë pranë atyre që vuajnë dhe na udhëheq të kuptojmë domethënien më të thellë të jetës, në dashuri dhe afërsi, siç shkruan Papa Françesku në mesazhin për Ditën e XXXIII Botërore të të Sëmurëve, kremtuar më 11 shkurt 2025.
Papa Prevost lutet, shkruan kardinali Parolin, që, “përmes dëshmisë suaj të përbashkët të dinjitetit që Zoti i jep çdo personi, pa përjashtim”, dhe shoqërimit “të butë dhe të krishterë ndaj të sëmurëve rëndë, e gjithë shoqëria të inkurajohet të mbrojë, në vend që të minojë, një qytetërim të bazuar në dashurinë autentike dhe dhembshurinë e vërtetë”. Papa bën thirrje për shoqërim "të butë dhe të krishterë ndaj të sëmurëve rëndë" dhe ia beson përpjekjet e pjesëmarrësve në Ditën për Jetën 2025 ndërmjetësimit të Zojës së Këshillit të Mirë.