MAP

Il Papa in Piazza San Pietro per l'udienza generale

Papa: "jo" hakmarrjes dhe arrogancës në Lindjen e Mesme. Të krishterëve u them: jam pranë jush

Në fund të audiencës së përgjithshme, Leoni XIV shpreh shqetësimet e shpresat për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet Iranit dhe Izraelit, duke uruar të bëhen përpjekje për të ndjekur "rrugën e dialogut, të diplomacisë, të paqes": "Të shërohen plagët e shkaktuara nga veprimet e përgjakshme të ditëve të fundit". Papa dënon "sulmin e shëmtuar" në kishën e Mar Elias në Damask dhe i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të mos e harrojë Sirinë, por ta përkrahë

R.SH. – Vatikan

Papa Leoni XIV bën thirrje edhe një herë për paqen në Lindjen e Mesme, tashmë, nën kontrollin e përçarjeve, dhunës, "logjikës së arrogancës dhe të hakmarrjes", e tronditur të dielën edhe nga atentati terrorist në Damask të Sirisë. Në fund të audiencës së përgjithshme, para përshëndetjes së besimtarëve italianë, Ati i Shenjtë ngriti zërin në lutje për këtë rajon të botës. Lutje për ata, që kanë role me përgjegjësi në këtë botë, që të ecin në "rrugën e dialogut, të diplomacisë dhe të paqes". Papa Leoni XIV siguron se po e ndjek situatën me "vëmendje", por edhe me "shpresën” që armëpushimi ndërmjet Iranit dhe Izraelit - pas sulmeve të ditëve të fundit - të jetë afatgjatë dhe i frytshëm.

“Vazhdojmë të ndjekim, me vëmendje dhe shpresë, zhvillimet e situatës në Iran, Izrael dhe Palestinë. Fjalët e Isaisë profet tingëllojnë më urgjente se kurrë: kombi nuk do ta ngrejë më shpatën kundër kombit, ata nuk do të mësojnë më artin e luftës”.

Shkatërrimi i shtëpive në Iran pas bombardimeve
Shkatërrimi i shtëpive në Iran pas bombardimeve   (ANSA)

Të zgjedhim dialogun, diplomacinë, paqen

Papa fton të dëgjohet zëri i Zotit e të shërohen plagët e shkaktuara nga veprimet e përgjakshme të ditëve të fundit.

“Të hedhim poshtë çdo logjikë arrogance dhe hakmarrjeje dhe të zgjedhim me vendosmëri rrugën e dialogut, të diplomacisë dhe të paqes”.

Afërsi me besimtarët në Siri

Papa Leoni nuk harroi edhe të dënonte "sulmin e shëmtuar terrorist kundër bashkësisë greko-ortodokse në kishën e Mar Elias, në Damask". Ngjarje e përgjakshme, që s’ishte parë prej kohësh në Siri, marrë përsipër nga një grup i al-Kaedës që nuk i përket ISIS-it, por formohet nga ish-anëtarë të tij, të cilët shkaktuan rreth 30 të vdekur e mbi 60 të plagosur. Tronditje e madhe për vendin, i cili ra sërish në një gjendje lufte, që shpresohej të ishte kapërcyer. Edhe dje, përmes një telegrami të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Ati i Shenjtë shprehu gjithë dhimbjen dhe solidaritetin e tij.

“Ia besojmë viktimat mëshirës së Zotit dhe lartojmë lutje për të plagosurit e familjet e tyre. Të krishterëve të Lindjes së Mesme u them: jam pranë jush, e gjithë Kisha është pranë jush”.

Lutja për viktimat e atentatit në Damask
Lutja për viktimat e atentatit në Damask   (ANSA)

Impenjim i përtërirë për paqe dhe pajtim

Kjo “ngjarje tragjike”, sipas Leonit XIV, “kujton brishtësinë e thellë, që ende e karakterizon Sirinë, pas viteve të tëra konflikti dhe paqëndrueshmërie”. Prandaj, për Papën, është themelore që “bashkësia ndërkombëtare të mos e harrojë këtë vend, por të vazhdojë ta përkrahë përmes gjesteve të solidaritetit dhe me impenjimin e përtërirë për paqe dhe pajtim”.

25 qershor 2025, 11:51