Papa, seminaristëve: të doni me zemrën e Krishtit, shërbëtorë të një Kishe misionare
R.SH. – Vatikan
Një “aventurë interesante”, “motori” i së cilës është zemra, ku gjenden gjurmët e Zotit. Kështu e përshkruan Papa Leoni XIV thirrjen meshtarake për rreth katër mijë seminaristët e takuar paraditen e sotme, 24 qershor, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Meshtarët e ardhshëm janë nga vende të ndryshme të botës e ndodhen në Romë për Jubileun kushtuar atyre. E pritën Papën me duartrokitje e brohoritje. Ipeshkvi i Romës – që foli italisht e spanjisht – i quajti “shtegtarë” e “dëshmitarë të shpresës”, të thirrur për t’u bërë “ura e jo pengesa në takimin me Krishtin”, “lajmëtarë të butë e të fuqishëm të Fjalës që shpëton, shërbëtorë të një Kishe të hapur dhe misionare”.
Qëndroni pranë të vuajturve
Ati i Shenjtë i ftoi të duan “me zemrën e Krishtit”, sidomos në shoqërinë aktuale, të karakterizuar nga një kulturë konfliktuale dhe narciziste:
“Kur zbresim deri në zemër, nganjëherë, mund të trembemi, sepse në të ka edhe plagë. Mos kini frikë të kujdeseni për to, kërkoni ndihmë, sepse pikërisht nga ato plagë lind aftësia për t’u qëndruar pranë të vuajturve. Pa jetë të brendshme, as jeta shpirtërore nuk është e mundur, sepse Zoti na flet pikërisht aty”.
Krizat janë rast për veprimin e hirit të Tënzot
Rruga e privilegjuar për ta ushqyer shpirtin, nënvizoi Papa, është lutja, pasi lejon të ndihet prania e Zotit dhe të njihet më mirë vetvetja. Ati i Shenjtë i nxiti seminaristët të dëgjojnë mendjehapur zërat e kulturës, për të kuptuar sfidat e sotme të saj si Inteligjenca Artificiale e mediat shoqërore. Por sidomos, siç bënte Jezu Krishti, të dëgjojnë britmën e heshtur të të varfërve e të të shtypurve, të atyre që kërkojnë kuptimin e jetës. Rruga tjetër drejt zemrës është shoshitja, meditimi jo sipërfaqësor, që i ndihmon të ruajnë ëndrrat, dëshirat dhe aspiratat më të mira.
“Duke e mbajtur vështrimin e ngulur mbi Jezu Krishtin, duhet mësuar t’i japim emër dhe zë edhe trishtimit, frikës, ankthit, indinjatës, duke e lidhur gjithçka me Zotin. Krizat, kufizimet, brishtësitë nuk duhen fshehur, përkundrazi, ato janë raste hiri dhe përvoje Pashkësh”.
Dëshmoni mëshirën e Zotit mes etjes për pushtet të botës
“Bëjeni jetën tuaj dhuratë dashurie”, theksoi sërish Papa, duke kujtuar se zemra e Krishtit është plot me “dhembshuri pa fund”:
“Në një botë ku shpesh ka mosmirënjohje dhe etje për pushtet, ku nganjëherë duket se mbizotëron logjika e hedhurinave, jeni të thirrur të dëshmoni mirënjohjen dhe bujarinë e Krishtit, ngazëllimin dhe gëzimin, butësinë dhe mëshirën e Zemrës së tij. Të praktikoni stilin e mikpritjes dhe të afërsisë, të shërbimit bujar dhe vetëmohues, duke lënë që Shpirti Shenjt të “vajojë” humanizmin tuaj më parë se shugurimin meshtarak”.
Shtegtimi në Portën Shenjte
Së fundi, Ipeshkvi i Romës i ftoi seminaristët të mos kënaqen me pak, të apasionohen pas jetës meshtarake e ta shohin të ardhmen me zemër profetike. Takimi i sotëm me Papën ishte çasti kulmor i Jubileut të seminaristëve, filluar dje pasdite, 23 qershor, me lutjen në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, ndjekur nga një koncert i korit të dioqezës së Romës dhe i orkestrës “Fideles et amati” dirigjuar nga imzot Marco Frisina. Shtegtimi vijoi sot paradite me kalimin e Portës Shenjte të bazilikës së Shën Pjetrit, ndërsa në orën 18.00, në 10 kisha të qendrës së Romës, kremtohen meshë, që mbyllin Jubileun e seminaristëve për t’ia lënë vendin, nesër, 25 qershor, Jubileut të Ipeshkvijve.