MAP

Papa gjatë audiencës me pjesëmarrëset e Kapitujve të Përgjithshëm të Bijave të Dashurisë Hyjnore të Motrave të Urdhrit të Shën Bazilit të Madh dhe Motrave të Kongregatës Augustinas Hermanas del Amparo Papa gjatë audiencës me pjesëmarrëset e Kapitujve të Përgjithshëm të Bijave të Dashurisë Hyjnore të Motrave të Urdhrit të Shën Bazilit të Madh dhe Motrave të Kongregatës Augustinas Hermanas del Amparo

Papa - rregulltareve: rrënjosni e themeloni në bamirësi, për të mbjellë të mirën

Leoni XIV pret Bijat e Dashurisë Hyjnore, Motrat e Urdhrit të Shën Basilit të Madh, të Kongregatës Agustinas Hermanas del Amparo dhe Hermanas Franciscanas de los Sagrados Corazones, me rastin e Kapitujve të Përgjithshëm. Në fjalën që u drejton, ftesa për të marrë shembull nga Shën Agustini, Shën Basili dhe Shën Françesku të cilët "hapën shtigje të reja shërbimi", veçanërisht për fëmijët, të varfërit, jetimët, emigrantët, të moshuarit dhe të sëmurët.

R.SH. / Vatikan

"Sa e shuan Zoti etjen time për jetë, për dashuri e dritë?". Papa Leoni XIV u bën këtë pyetje përfaqësueseve të instituteve të ndryshme fetare femërore, të pritura sot, 30 qershor, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, në Vatikan. Janë Motrat e Urdhrit të Shën Basilit të Madh, Bijat e Bamirësisë Hyjnore, Motrat Augustiniane “del Amparo” dhe Motrat Françeskane të Zemrave Shenjte, në Romë për Kapitullin e tyre të Përgjithshëm e për të jetuar Jubileun. Papa i nxiti të rrënjosin jetën dhe misionin e tyre në Krishtin për t'u shërbyer atyre që kanë më shumë nevojë, duke marrë forcë dhe frymëzim nga themeluesët dhe themelueset e realiteteve të tyre të ndryshme.

Historitë tuaja tregojnë një dinamikë të përbashkët, ku drita e modeleve të mëdha të jetës shpirtërore të së kaluarës - si Augustini, Basili, Françesku - përmes asketizmit, guximit dhe shenjtërisë së jetës së themeluesve dhe themelueseve, frymëzoi dhe bëri të rriten mënyra të reja shërbimi, veçanërisht ndaj më të ligshtëve: fëmijëve, vajzave dhe djemve të varfër, jetimëve, emigrantëve, të cilëve me kalimin e kohës iu shtuan të moshuarit dhe të sëmurët, përveç shumë shërbesave të tjera të bamirësisë.

Lëreni Zotin të mendojë për ju

Duke cituar shenjtin që themeloi urdhrin të cilit i përket, Shën Augustinin, Papa Leoni nënvizoi rëndësinë e "parisë së Zotit në jetën e krishterë". Ipeshkvi i Iponës pohonte se "Zoti është gjithçkaja, gjithçkaja juaj”. Nëse keni uri, Zoti është buka juaj; nëse keni etje, Zoti është uji juaj; nëse jeni në errësirë, Zoti është drita juaj e pashuar; nëse jeni lakuriq, Zoti është veshja juaj e pavdekshme", shpjegoi Papa Leoni XIV. Theksoi se është e rëndësishme "ta pyesim veten" për këto deklarata: "deri në ç'masë është e vërtetë për mua?".

Kjo rrënjosje në Krishtin i shtyu ata që na paraprinë - burra dhe gra si ne, me dhanti dhe kufizime si tonat - të bënin gjëra që ndoshta nuk mendonin kurrë se mund t’i arrinin, duke i lejuar të mbjellin farat e së mirës që, duke kaluar shekuj dhe kontinente, sot kanë arritur praktikisht në mbarë botën, siç e tregon prania juaj.

Ungjilli është shtytësi më i mirë për shërbimin

Përtej arsyes për të qëndruar në Romë - për Jubileun ose për Kapitujt e Përgjithshëm – në të dyja rastet ju vini te varri i Pjetrit për të përtërirë dashurinë tuaj për Zotin e besnikërinë tuaj ndaj Kishës” dhe për të “bërë zgjedhje të rëndësishme, nga të cilat varet e ardhmja juaj, ajo e motrave tuaja dhe ajo e Kishës”, shtoi Papa. Për këtë arsye, ankorimi në Krishtin bëhet edhe më themelor.

Ngjarjet alternative të së kaluarës suaj dhe gjallëria e së tashmes e bëjnë të qartë se si besnikëria ndaj urtësisë së lashtë të Ungjillit është shtytësi më i mirë për ata që, të nxitur nga Shpirti Shenjt, ndërmarrin shtigje të reja dhurimi, të kushtuara dashurisë së Zotit dhe të afërmit, duke dëgjuar me vëmendje shenjat e kohëve.

Të rrënjosur dhe të themeluar në bamirësi

Papa Prevost përmendi edhe dekretin Perfectae caritatis të Koncilit II të Vatikanit për të vënë në pah se si anëtarët e instituteve fetare kushtuar bamirësisë, duhet të frymëzohen nga një "shpirt apostolik, dhe çdo veprim apostolik duhet të frymëzohet nga shpirti rregulltar", që të jetojnë, në radhë të parë, “thirrjen për të ndjekur Krishtin”.

Në përfundim të fjalimit, “urimi” që Shën Pali u drejton Efezianëve: “Që Krishti të banojë në zemrat tuaja nëpërmjet besimit, dhe kështu, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të jeni në gjendje të kuptoni me të gjithë shenjtorët se cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia, dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon njohurinë, në mënyrë që të mbusheni me gjithë përsosurinë e Zotit”.

30 qershor 2025, 14:14