Papa për seminaristët e Trivenetos: mos mendoni se jeni vetëm, ju mbështet Kisha
R.SH. – Vatikan
“Zemra e shqetësuar” e Shën Augustinit është busulla, së cilës i referohet Papa Leoni XIV, sepse është e aftë të orientojë rrugën e atyre, që i përgjigjen thirrjes për meshtari. Këto shqetësime kthehen në çaste shoshitjeje, vënë në dukje “besimin e pakufishëm në Zotin”, që duhet ushqyer me lutje, sakramente dhe Fjalën e Hyjit. Kështu u foli Ati i Shenjtë seminaristëve të dioqezës italiane të Trivenetos, në Romë për shtegtimin e tyre jubilar, të cilët i priti para audiencës së sotme të përgjithshme.
“Mos mendoni se jeni vetëm, dhe as mos mendoni për veten të vetmuar. Pa dyshim – siç thotë Ratio fundamentalis – secili prej jush është protagonist i formimit të vet dhe është i thirrur të ecë vazhdimisht në udhën e zhvillimit në sferën njerëzore, shpirtërore, intelektuale dhe baritore; por protagonistë nuk do të thotë solistë!”
Mësohuni me disiplinën
Këshilla e parë e Leonit XIV, që nxiti të merret shembull nga Papa i lum Gjon Pali I, është të vazhdohet "vepra apasionuese" e Kishës së lashtë të Akuilesë, dhuratë e shumë martirëve, barinjve të Kishës dhe misionarëve. "Histori e pasur hiri, për ta ruajtur dhe për ta ripërtërirë duke ndjekur Zotin".
“Mos u shkurajoni nëse, nganjëherë, rruga përpara jush bëhet e vështirë. Siç i tha i Lumi Gjon Pali I klerit të Romës, mësohuni me disiplinën e përpjekjeve të vazhdueshme, të gjata dhe jo gjithmonë të lehta”.
Celibati, karizmë që duhet mbrojtur dhe edukuar
Papa kujtoi më pas një fragment nga “Rrëfimet e Shën Agustinit”, që shpreh mirë dilemën e zemrës së atyre, të cilët dëshirojnë t'ia kushtojnë jetën Zotit. "Hidhuni në krahët e Zotit pa frikë. Ai nuk tërhiqet - shkruante shenjti i Iponës – e nuk ju lë të bini. Hidhuni në krahët e tij me besim, ai do t'ju mirëpresë dhe do t'ju shërojë". Fjalë, që "nuk janë të vlefshme vetëm për celibatin, i cili është karizmë që duhet njohur, mbrojtur dhe edukuar, por mund të orientojnë gjithë udhën tuaj të shoshitjes e të formimit për shërbesën e shuguruar".
“Këto fjalë ju ftojnë të keni besim të pakufishëm te Zoti që ju ka thirrur, duke hequr dorë nga pretendimi se i mjaftoni vetvetes, ose se mund t’ia dilni me forcat tuaja. E kjo vlen jo vetëm për vitet e seminarit, por për gjithë jetën: në çdo moment, veçanërisht në ato të deziluzionimit e, madje edhe në ato të mëkatit, përsëritini vetes fjalët e psalmistit: "E lëshoj veten në duart e besnikërisë së Zotit, tani e përgjithmonë".
Papa Leoni XIV i këshilloi edukatorët e seminaristëve t’u japin atyre dëshminë e jetës e t’i shoqërojnë me dashuri të sinqertë. Këshilla e fundit e Atit të Shenjtë për të gjithë ishte ta mbajnë vështrimin e ngulur në Jezu Krishtin, miqësia me të cilin është sekreti i shenjtorëve për jetën sipas Ungjillit.