MAP

Papa pret delegacionin e Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës Papa pret delegacionin e Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës

Papa - Patriarkanës Ekumenike: të rivendoset bashkimi i plotë

Në Pallatin Apostolik, takimi i Papës me delegacionin e "Kishës motër të Kostandinopojës", për festën e Shën Pjetrit dhe Shën Palit. Papa i dërgoi përshëndetjet dhe falënderimet Patriarkut Bartolomeu dhe nxiti vazhdimin e rrugës për rivendosjen "e bashkësisë së plotë e të dukshme" të Kishave tona: "Ky qëllim mund të arrihet vetëm me ndihmën e Zotit, përmes përpjekjes së vazhdueshme për dëgjim të respektueshëm dhe dialog vëllazëror. Ati i Shenjtë, i gatshëm për çdo këshillim".

R.SH. / Vatikan

Ndjek gjurmët e paraardhësve të tij, Papa Leoni XIV, e vazhdon rrugën e dialogut me "Kishën motër të Kostandinopojës", të nisur nga Pali VI dhe Atenagora e të forcuar nga Françesku dhe Bartolomeu, drejt objektivit të "rivendosjes së bashkësisë së plotë e të dukshme të Kishave tona". Qëllim që “mund të arrihet vetëm me ndihmën e Zotit, nëpërmjet një angazhimi të vazhdueshëm për dëgjim me respekt dhe dialog vëllazëror” - i kujtoi   Papa delegacionit të Patriarkanës Ekumenike, pritur sot në mëngjes në audiencë, në Vatikan. Çast kulmor i shtegtimit këto ditë festive, kur delegacionet shkëmbejnë vizitat për festat e Pajtorëve të tyre përkatës.  

Jam i gatshëm për çdo sugjerim në këtë drejtim, duke u këshilluar gjithnjë me vëllezërit e mi Ipeshkvij të Kishës Katolike të cilët mbartin me mua, secili në mënyrën e vet, përgjegjësinë për unitetin e plotë dhe të dukshëm të Kishës – kujtoi Ati i Shenjtë Prevost.

Hapat “e guximshëm dhe largpamës” të Palit VI dhe Athenagoras

Sot është takimi i parë i Papës Leoni me një delegacion të Patriarkanës Ortodokse e cila, siç ka qenë traditë për dekada, e kremton festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit me Kishën e Romës. Ndërsa një delegacion i Selisë së Shenjtë do të shkojë në Stamboll më 30 nëntor për kremtimin e Shën Andreut, Pajtorit të vet. Për Leonin XIV, ky shkëmbim delegacionesh “është shenjë e bashkimit të thellë që ekziston tashmë ndërmjet nesh e edhe pasqyrim i lidhjes së vëllazërisë që bashkon Apostujt Pjetër dhe Andre”.

Papa kujton se si “pas shekujsh mosmarrëveshjesh dhe keqkuptimesh”, rifillimi i një dialogu “të mirëfilltë” ndërmjet dy Kishave motra u bë i mundur nëpërmjet “hapave të guximshëm dhe largpamës” të ndërmarrë nga Pali VI dhe Athenagoras I. Papa dhe Patriarku, me përqafimin e tyre në Jerusalem, në janar 1964, anuluan kështu shkishërimin që kishte rënduar mbi Kishat e tyre përkatëse qysh nga skizma e madhe e vitit 1054. Të dy u takuan edhe në raste të tjera, më vonë, në Romë dhe në Fanar, duke i dhënë kështu jetë e korp një rruge të forcuar me kalimin e kohës.

Rivendosja e bashkimit të plotë, të dukshëm

“Pasardhësit e tyre të nderuar në Selitë e Romës dhe të Kostandinopojës   vazhduan me bindje ecjen në të njëjtën rrugë pajtimi, duke forcuar më tej marrëdhëniet tona”, pohoi Leoni XIV. E, duke e kujtuar “me mirënjohje të thellë” rrugën e përshkuar deri tani, siguroi se ka për qëllimin të “këmbëngulë në përpjekjet për të rivendosur bashkimin e plotë e të dukshëm ndërmjet Kishave tona”. Nënvizoi, në vijim, edhe se do të pranojë këshilla e sugjerime në këtë drejtim, “gjithmonë - kujtoi - duke u këshilluar me vëllezërit e tij, ipeshkvijtë e Kishës Katolike “që kanë të përbashkët me mua, secili në mënyrën e vet”, përgjegjësinë për unitetin e plotë dhe të dukshëm të Kishës.

Mirënjohje Patriarkut Bartolomeu

Në fjalën e tij, Papa i drejtoi, më pas, një mendim mirënjohës Patriarkut Bartolomeu, duke kujtuar “dëshminë e afërsisë së përzemërt me Kishën Katolike” të cilën e shprehu “me pjesëmarrjen e tij personale në funeralin e Papës Françesku dhe, më pas, në Meshën përuruese të Papnisë së Tij”. Më pas i kërkoi delegacionit të pritur në Vatikan t’ua përcjellë Patriarkut dhe anëtarëve të Sinodit të Shenjtë “përshëndetjet e përzemërta” së bashku me “mirënjohjen për dërgimin e Delegacionit përsëri këtë vit”.

28 qershor 2025, 12:32