MAP

Papa nderon kujtimin e kardinalit të lum rumun Hossu, martir i komunizmit

Kremtimi për kardinalin Iuliu Hossu u zhvillua në Kapelën Sikstine, pikërisht aty ku më 28 prill 1969, Papa i shenjtë Pali VI e krijoi kardinal “in pectore” (pra, pa ia shpallur botërisht emrin), ndërsa bariu i Kishës Rumune vuante në burg thjesht për faktin se i kishte qëndruar besnik Selisë së Shenjtë, siç ndodhte rëndom në vendet komuniste – situatë që shqiptarët e njohin mjaft mirë. Kisha Katolike e ritit lindor në Rumani ka caktuar 2025-ën si vit të veçantë për kardinalin

R.SH. – Vatikan

Papa Leoni XIV mori pjesë sot pasdite (2 qershor) në përkujtimin e kardinalit të lum Iuliu Hossu, ipeshkëv greko-katolik i Cluj-Gherla, martir i fesë gjatë persekutimit komunist në Rumani. Kremtimi u zhvillua në Kapelën Sikstine, një ditë pasi eparkia e Cluj-Gherla e kujtoi me një meshë në Altarin e Katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit. Më 28 prill 1969, Papa i shenjtë Pali VI e krijoi kardinal “in pectore” (pra, pa ia shpallur botërisht emrin), ndërsa bariu i Kishës Rumune vuante në burg thjesht për faktin se i kishte qëndruar besnik Selisë së Shenjtë, siç ndodhte rëndom në vendet komuniste – situatë që shqiptarët e njohin mjaft mirë.

Kardinali Iuliu Hossu
Kardinali Iuliu Hossu

Kardinali, që shpëtoi hebrenjtë nga vdekja

Kisha Katolike e ritit lindor në Rumani ka caktuar 2025-ën si vit të veçantë për kardinalin Iuliu Hossu, “simbol vëllazërimi përtej çdo kufiri etnik e fetar”, siç e quajti sot Papa Leoni XIV, gjatë fjalës, që u drejtoi të pranishmëve: përfaqësues të Kishës Greko-Katolike të Rumanisë, autoritete, kryetari i Federatës së Bashkësive Hebraike në Rumani. Kujtoi edhe se që nga viti 2022, ka filluar procesi për njohjen e kardinalit si “I drejtë ndër kombe”, për shkak të impenjimit të tij në shpëtimin e hebrenjve të Transilvanisë së Veriut, kur ndërmjet 1940-ës dhe 1941-shit, nazistët zbatuan planin tragjik të internimit të tyre në kampet e shfarosjes. Pati shkruar edhe një letër, me të cilën i ftonte të krishterët t’i shpëtonin hebrenjtë, edhe duke u sakrifikuar, “duke e ditur se sot nuk mund të bëjmë një vepër më fisnike se kjo ndihmë e krishterë e rumune, lindur nga dashuria e zjarrtë njerëzore”. Kështu, arriti të shpëtojë mijëra hebrenj e, “dyert e ferrit – perifrazoi Papa Ungjillin – nuk ngadhnjyen kundër veprës së Zotit”.

“Jeta e tij ishte dëshmi e fesë së jetuar deri në fund, në lutje dhe me përkushtim ndaj të tjerëve – vërejti Leoni XIV. - Ishte njeri i dialogut e profet i shpresës dhe Papa Françesku e shpalli të Lum më 2 qershor 2019, në Blaj. Me atë rast, në homeli, citoi një nga frazat e tij si sintezë e jetës së kardinalit: ‘Zoti na dërgoi në këtë terr ​​vuajtjesh për të dhuruar faljen dhe për t'u lutur që të gjithë të bëjnë kthesë".

Liturgjia Hyjnore e 1 qershorit në Bazilikën e Shën Pjetrit
Liturgjia Hyjnore e 1 qershorit në Bazilikën e Shën Pjetrit

Shpirti i martirit të fesë

Këto fjalë shprehin thelbin e shpirtit të martirëve, vijoi më tej Ati i Shenjtë, duke nënvizuar fenë e palëkundur të kardinalit rumun në Zotin, pa urrejtje, por me mëshirën, që e shndërron vuajtjen në dashuri edhe për persekutuesit. Mesazhi, vepra e tij prej “njeriu të lirë, guximtar e bujar deri në flijimin e epërm” mbetet aktuale e profetike edhe sot, nënvizoi Papa, i cili i ftoi të gjithë ta marrin kardinalin Hussu për model, sidomos moton e tij “Feja jonë është jeta jonë”.

“Uroj që shembulli i tij, i cili i parapriu përmbajtjes së shprehur më vonë në Deklaratën ‘Nostra Aetate’ të Koncilit II Ekumenik të Vatikanit – përvjetori i gjashtëdhjetë i së cilës po afron – si dhe miqësia juaj, të jenë dritë për botën e sotme: t’i themi ‘jo’ dhunës, çdo dhune, aq më tepër nëse ushtrohet kundër njerëzve të pambrojtur, siç janë fëmijët dhe familjet!”, përfundoi Papa Leoni XIV, duke u dhënë bekimin të gjithëve.

  (@Vatican Media)

Iuliu Hossu, kardinali in pectore i Palit VI

Iuliu Hossu ishte kapelan ushtarak gjatë Luftës I Botërore, më pas u emërua ipeshkëv i Gherla-s. I njohur për angazhimin e tij baritor në favor të Transilvanisë, ai u arrestua së bashku me gjashtë ipeshkvij të tjerë (shpallur të lum me të), nga urrejtja për fenë, natën ndërmjet 28 dhe 29 tetorit 1948. Pas lirimit të tij të parë nga burgu i Sighet, vazhdoi t'i nxiste besimtarët ta dëshmonin fenë me guxim dhe u përpoq të riorganizonte në fshehtësi strukturat e Kishës Katolike. I detyruar nga autoritetet të jetonte në arrest shtëpiak, historia e tij arriti në veshët e Papës Pali VI, i cili në vitin 1969 e shpalli kardinal in pectore, sepse rrethanat nuk lejonin publikimin e emrit të tij, të cilin Papa e mbante në zemër. Kardinalit Hossu iu dha mundësia të largohej nga Rumania, vend shumë i rrezikshëm për të dhe, të strehohej në Romë, por ai refuzoi për të qëndruar pranë popullit të tij. Fjalët e fundit para se të vdiste në vitin 1970, i sprovuar nga mundimet, ishin për ipeshkvin tjetër rumun Todea: “Lufta ime mbaroi, e jotja vazhdon”.

02 qershor 2025, 17:38