Papa Leoni XIV: të mësojmë nga zemra e Krishtit dhembshurinë për botën
R.SH. – Vatikan
U paraqit sot videoja me ndjetin e lutjes së Papës Leoni XIV për qershorin 2025: “Të lutemi që të rritemi në dhembshuri për botën”. Kjo është hera e parë që zëri i Leonit XIV regjistrohet për Videon e Papës, me të cilën Ati i Shenjtë u kërkon besimtarëve të luten për ndjetet e tij. Këtë muaj, ai kërkon lutje “që secili prej nesh të gjejë ngushëllim në marrëdhëniet personale me Jezusin dhe të mësojë nga zemra e tij dhembshurinë për botën”.
Videoja përmban një lutje të pabotuar drejtuar Zemrës së Krishtit, me të cilën i kërkojmë Birit të Zotit të na ndihmojë ta njohim më mirë, të rrimë me të, të mësojmë nga dashuria e tij; i lutemi të na transformojë në mënyrë që ai të jetë në qendër të çdo rrethane të jetës së përditshme; si edhe të na dërgojë në mision dhembshurie për t'i çuar botës ngushëllimin e tij. Pamjet, që shoqërojnë këtë lutje, janë filmuar në kishën e Jezusit në Romë - ku ndodhet piktura e famshme e Zemrës së Krishtit me autor Pompeo Batoni, restaurimi i së cilës do të përfundojë këtë muaj - dhe në shenjtëroren kombëtare të Zemrës së Krishtit në Makati të Filipineve, destinacion i përshpirtërisë popullore për gjithë kryedioqezën e Manilës.
Simbol i dashurisë së Zotit
Tradicionalisht, Kisha ia kushton gjithë muajin qershor Zemrës së Krishtit, duke i ftuar besimtarët ta bëjnë të tyrin vizionin e Krishtit për njerëzimin dhe të veprojnë me ndjenjat e Zemrës së tij, sidomos për të lehtësuar vuajtjet e më të brishtëve. Zemra e Krishtit simbolizon qendrën e personit të tij, burimin nga i cili rrjedh dashuria e tij për njerëzimin: është misteri i zemrës së Zotit, që preket dhe derdh dashurinë e tij mbi të gjithë gratë e burrat e botës, të të gjitha kohërave.
Megjithëse përkushtimi ndaj Zemrës së Krishtit ka qenë gjithmonë i pranishëm në përshpirtërinë e krishterë, ai mori një shtysë të re me dukjet e Jezusit për Shën Margaritën Maria Alakok dhe me interpretimin e tyre nga Shën Claude de La Colombière, jezuit, në shekullin XVII. Papa Piu IX themeloi festën e Zemrës së Krishtit në vitin 1856; më vonë, Leoni XIII e përforcoi rëndësinë e saj duke e ngritur në rangun e solemnitetit në vitin 1889.
Katër enciklika
Një dëshmi e qartë për rëndësinë e Zemrës së Krishtit në jetën e Kishës është përkushtimi i gjithë popullit të Zotit ndaj saj, si edhe fakti se katër Papë i kanë kushtuar një enciklikë. Leoni XIII, nga i cili e mori emrin Papa aktual, shkroi “Annum sacrum” në vitin 1899; në të, ai ia kushtoi gjithë njerëzimin Zemrës së Krishtit. Në vitin 1928, Papa Piu XI, me enciklikën “Miserentissimum Redemptor”, na ftoi t’i shërojmë me gjeste dashurie plagët e shkaktuara Zemrës së Krishtit nga mëkatet tona. Piu XII, në vitin 1956, botoi “Haurietis aquas”, në të cilën reflektoi mbi bazën teologjike të përkushtimit ndaj Zemrës së Krishtit. Së fundi, Papa Françesku, në vitin 2024, shkroi enciklikën “Dilexit nos” dhe propozoi përkushtimin ndaj Zemrës së Krishtit si përgjigje ndaj kulturës së hedhurinave dhe indiferencës.
Të veprojmë me dhembshuri
Ndjeti i lutjes së Papës Leoni XIV përqendrohet në shtimin e dhembshurisë për botën përmes marrëdhënieve personale me Jezu Krishtin. Vetëm kështu, zemrat tona përputhen gjithnjë e më shumë me të tijën, ne jetojmë në dashuri dhe mëshirë dhe mësojmë më mirë se ç’është dhembshuria. Jezusi tregoi dashuri pa kushte për të gjithë, veçanërisht për të varfrit, të sëmurët dhe të vuajturit. Papa na inkurajon ta imitojmë këtë dashuri të dhembshur, duke u shtrirë dorën njerëzve në vështirësi. Dhembshuria i lehtëson vuajtjet dhe u jep njerëzve dinjitet, nëse shndërrohet në veprime konkrete për të çrrënjosur varfërinë, pabarazinë dhe përjashtimin, duke kontribuar në ndërtimin e një bote më të drejtë dhe solidare.
Ja teksti i plotë i lutjes së Papës
“Të lutemi që secili prej nesh të gjejë ngushëllim në marrëdhëniet personale me Jezu Krishtin dhe të mësojë nga zemra e tij dhembshurinë për botën”.
(Leoni XIV)
O Zot, sot vij te zemra jote e butë:
tek ti, që ke fjalë, të cilat ma përflakin zemrën,
tek ti, që derdh dhembshuri mbi të vegjlit dhe të varfrit,
mbi të vuajturit dhe mbi të gjitha mjerimet njerëzore.
Dua të të njoh më mirë, të të kundroj në Ungjill,
të jem me ty dhe të mësoj prej teje
dhe prej bamirësisë, me të cilën lejove të prekesh
nga çdo formë varfërie.
Na dëshmove dashurinë e Atit, duke na dashur pa masë
me zemrën tënde, hyjnore dhe njerëzore.
Jepu të gjithë bijve të tu hirin e takimit me ty.
Ndryshoji, palzmoji dhe transformoi planet tona,
që të të kërkojmë vetëm ty, në çdo rrethanë:
në lutje, në punë, në takime dhe në rutinën tonë të përditshme.
Nga ky takim, na dërgo në mision:
në një mision dhembshurie për botën,
ku ti je burimi, nga i cili rrjedh çdo ngushëllim.