ÐÓMAPµ¼º½

2025.06.05 Membri della Pontificia Commissione per la Tutela dei Minori

Papa Leoni XIV takohet me Komisionin Papnor për Mbrojtjen e të Miturve

Pas audiencës së paradites së sotme me Atin e Shenjtë, organizmi papnor ripohon angazhimin e tij për mbrojtjen e të miturve dhe fëmijëve, bën një vlerësim të veprimtarisë me përditësimin e raportit të vitit 2024, i cili jep vërejtje për 22 vende dhe 2 kongregata fetare, duke uruar vazhdimin e misionit të filluar në vitin 2014, shoqërimin e Kishës në krijimin e një kulture përgjegjësie, drejtësie dhe dhembshurie

R.SH. – Vatikan

         Papa Leoni XIV priti sot paradite në audiencë Komisionin Papnor për Mbrojtjen e të Miturve. Në procesin e ristrukturimit të Kuries Romake, ishte Papa Françesku ai, që e themeloi këtë Komision, i cili punon për të mbrojtur dhe për të parandaluar abuzimet. Ky organizëm papnor ka pavarësinë e tij për të bërë gjithçka duhet për të ndihmuar në luftën kundër abuzimeve seksuale të disa anëtarëve të klerit, por i raporton drejtpërdrejt Atit të Shenjtë.

Edhe Papa Leoni XIV, në takimin me dyer të mbyllura, i bëri thirrje Komisionit që të vazhdojë këtë komunikim të drejtpërdrejtë me të, në mënyrë që të sigurojë përpjekje maksimale për mbrojtjen e të miturve dhe të njerëzve të brishtë, në të gjitha aspektet.

  (@Vatican Media)

Në një deklaratë pas audiencës, Komisioni vë në dukje se Kisha ka ndërmarrë hapa të rëndësishme për të trajtuar rastet e abuzimeve, një nga të cilat është pikërisht themelimi i këtij Komisioni, por edhe përshtatja e së Drejtës kanonike dhe krijimi i mjeteve të tjera ligjore, që ofrojnë mekanizma jo vetëm për raportimin e abuzimit, por edhe për të bërë të ditur reagimin e pamjaftueshëm nga ipeshkvijtë; detyrimi i raportimit të detyrueshëm tek autoritetet civile në juridiksione të caktuara dhe përhapja e një numri gjithnjë e në rritje udhëzimesh kombëtare dhe protokollesh mbrojtëse. Megjithatë, Komisioni nënvizon se duhet bërë më shumë në disa nivele.

Në prill të vitit 2022, Papa Françesku i kërkoi Komisionit t'i paraqiste një Raport Vjetor, që do të shërbente si “informacion i besueshëm për gjithçka bën Kisha dhe për çfarë duhet të ndryshojë, në mënyrë që të ndihmohet veprimtaria e autoriteteve kompetente".

  (@Vatican Media)

Raporti, që mbulon vitin kalendarik 2023, u paraqit nga Komisioni më 29 tetor 2024 dhe mund të lexohet . Ai është i ndarë në katër seksione dhe shqyrton situatën e Kishave lokale në të gjitha kontinentet, punën e Kuries Romake në mbrojtjen e të abuzuarve, mënyrën si e ndihmon Kisha shoqërinë në këtë fushë dhe rrugën e Komisionit për t’u bërë një mjet i besueshëm llogaridhënieje dhe transparence. Në notën për shtyp, Komisioni ofron sot një përditësim të këtij raporti, i cili jep vërejtje për 22 vende dhe 2 kongregata fetare, duke uruar vazhdimin e misionit të filluar në vitin 2014, shoqërimin e Kishës në krijimin e një kulture përgjegjësie, drejtësie dhe dhembshurie.

05 qershor 2025, 15:16