Papa: Inteligjenca Artificiale duhet ta ndihmojë zhvillimin e të rinjve
R.SH. – Vatikan
"Inteligjenca Artificiale, veçanërisht ajo Gjenerative, ka hapur horizonte të reja në shumë nivele të ndryshme, duke përfshirë shtimin e punës kërkimore-shkencore në shëndetësi dhe zbulimet shkencore, por duke ngritur edhe pyetje shqetësuese mbi pasojat e mundshme në botëkuptimin e njerëzimit për të vërtetën dhe bukurinë, në aftësinë tonë të veçantë për të kuptuar dhe përpunuar realitetin".
Kështu shkruan Papa Leoni XIV në mesazhin e tij për Konferencën II Vjetore të Romës mbi Inteligjencën Artificiale, që përfundoi sot në Pallatin Apostolik, në Vatikan. Ati i Shenjtë vë në dukje "nevojën urgjente për reflektim serioz dhe diskutim të vazhdueshëm mbi përmasën etike të Inteligjencës Artificiale, si edhe për administrimin e saj me përgjegjësi".
"Së bashku me potencialin e saj të jashtëzakonshëm për t’i sjellë përfitime familjes njerëzore, zhvillimi i shpejtë i Inteligjencës Artificiale – paralajmëron Papa - ngre çështje më të thella" lidhur me përdorimin e një teknologjie të tillë për një shoqëri globale më të drejtë dhe më njerëzore.
Produkt i jashtëzakonshëm i gjenisë njerëzore, por gjithnjë, vetëm mjet
Inteligjenca artificiale, vëren Papa Leoni XIV, duke cituar paraardhësin e tij Françeskun, është "pa dyshim një produkt i jashtëzakonshëm i gjenisë njerëzore", por mbetet vetëm një mjet.
"Të gjithë ne, jam i sigurt, jemi të shqetësuar për fëmijët dhe të rinjtë dhe për pasojat e mundshme të përdorimit të IA-së në zhvillimin e tyre intelektual dhe neurologjik". "Rinia jonë", thekson Papa, "duhet të ndihmohet dhe jo të pengohet, në rrugëtimin e saj drejt pjekurisë dhe përgjegjësisë së vërtetë", pasi është “shpresa jonë për të ardhmen".
"Mirëqenia e shoqërisë", nënvizon Ati i Shenjtë, "varet nga mundësia që u jepet të rinjve për të zhvilluar talentet e dhuruara prej Zotit dhe nga aftësia e tyre për t'iu përgjigjur kërkesave të kohës dhe nevojave të të tjerëve lirisht dhe bujarisht".
Ajo artificiale nuk duhet të ngatërrohet me inteligjencën e njeriut
Asnjë brez, pranon Leoni XIV, nuk ka pasur ndonjëherë kaq shumë informacion, vënë në dispozicion përmes IA-së. "Por sasia e të dhënave - sado e madhe - nuk duhet të ngatërrohet me inteligjencën, e cila, domosdoshmërisht, përfshin interesin e njeriut për çështjet përfundimtare të jetës dhe pasqyron orientimin e tij drejt së Vërtetës dhe së Mirës".
Megjithëse Inteligjenca Artificiale mund të përdoret pozitivisht dhe fisnikërisht për të promovuar barazi më të madhe, Papa Leoni XIV denoncon "mundësinë e keqpërdorimit të saj për përfitime egoiste në kurriz të të tjerëve, ose edhe më keq, për të nxitur konflikt dhe agresion". Nga ana e saj, përfundon ai, Kisha dëshiron të kontribuojë në një diskutim të paqtë dhe të informuar mbi këto çështje urgjente, duke theksuar nevojën për të vlerësuar pasojat e përdorimit të IA-së në dritën e "zhvillimit të gjithanshëm të njeriut e të shoqërisë".