MAP

Papa: “Me Jezusin kemi gjithçka që na duhet për t'i dhënë kuptim jetës sonë”

Papa denoncon mjerimin e shumëkujt, para të cilit “grumbullimi i pakujt është shenjë e një kryelartësie që prodhon dhimbje e padrejtësi. Shumë popuj sot të poshtëruar nga pangopësia e të tjerëve“. Procesion deri në Shën Maria Maggiore: t’ia ofrojmë Sakramentin Eukaristik zemrës së atij që beson dhe të atij që nuk beson “që të pyesë veten për urinë që kemi në shpirt”.

R.SH. / Vatikan

"Me Jezusin kemi gjithçka që na duhet për t'i dhënë forcë dhe kuptim jetës sonë." Këtë e thekson Papa në homelinë e Meshës së kremtuar në Lateran për festën e Korpit të Krishtit (Corpus Domini). "Natyra jonë e uritur," tha Papa Leoni, "mbart shenjën e një varfërie që ngopet nga hiri i Eukaristisë. Siç shkruan Shën Augustini, Krishti është vërtet një bukë që ushqen dhe nuk mbaron; një bukë që mund të hahet, por nuk mund të shterojë. Eukaristia, në fakt, është prania e vërtetë, reale dhe thelbësore e Shpëtimtarit Jezu Krisht, i cili e shndërron bukën në veten e Tij, për të na shndërruar ne në Të. I gjallë dhe jetëdhënës, Korpi Krishtit na bën ne, pra vetë Kishën, pjesë të trupit të Zotit".

Papa Prevost u shpjegoi besimtarëve kuptimin e procesionit që do të udhëheqë në fund të Meshës nga Shën Gjoni i Laternit deri në Shën Maria Maggiore, në Romë: "Së bashku, barinj dhe grigjë, ushqehemi me Sakramentin e Shenjtë të Eukaristisë, e adhurojmë praninë e Krishtit dhe e mbajmë nëpër rrugë. Duke bërë kështu, e paraqesim atë para syve, ndërgjegjes, zemrës së njerëzve. Në zemrën e atij që beson, që të besojë më fort; në zemrën e atij që nuk beson, që të pyesë veten për urinë që kemi në shpirt dhe për bukën që mund ta ngopë atë. Të freskuar nga ushqimi që na jep Zoti, e çojmë Jezusin në zemrën e të gjithëve, sepse Jezusi i përfshin të gjithë në veprën e shpëtimit, duke ftuar secilin të marrë pjesë në tryezën e Tij. Lum ata që të ftuar, që bëhen dëshmitarë të kësaj dashurie".

Homelia e Papës Leoni XIV në Meshën e kremtuar në Lateran për festën e Korpit të Krishtit (Corpus Domini).

E diel, 22. 06.2025

Të dashur vëllezër e motra, është bukur të jesh me Jezusin! Me këto fjalë tejet prekëse e nisi Papa homelinë e Meshës kremtuar në Solemnitetin e Korpit e Gjakut të Shenjtnueshëm të Jezu Krishtit.  

“Ungjilli i sapo shpallur e dëshmon këtë, duke treguar se turmat ndenjën për orë të tëra me Të, se Ai foli për Mbretërinë e Hyjit e se shëroi të sëmurët (Lk 9,11). Mëshira e Jezusit për të vuajturit shpreh afërsinë plot dashuri të Zotit, i cili vjen në botë për të na shpëtuar”.

Kështu e nisi Papa homelinë e Meshës së Solemnitetit të sotëm.  

 Kur Zoti mbretëron - vijoi Ati i Shenjtë Leonio XIV - njeriu çlirohet nga çdo e keqe. Megjithatë, edhe për ata që marrin lajmin e mirë nga Jezusi, vjen ora e provës. Në atë vend të shkretë, ku turmat e dëgjonin Mësuesin, zbret  mbrëmja dhe nuk gjendet asgjë për të ngrënë (shih vargun 12). Uria e njerëzve dhe perëndimi i diellit janë shenja të një kufiri që shtrihet mbi botën, mbi çdo krijesë: dita mbaron, ashtu si edhe jeta e njerëzve. Në këtë orë, në kohën e varfërisë e të hijeve, Jezusi mbetet mes nesh.

Pikërisht kur perëndon dielli dhe uria rritet, ndërsa vetë apostujt kërkojnë t'i largojnë njerëzit, Krishti na befason me mëshirën e tij. Ka dhembshuri për njerëzit e uritur dhe i fton dishepujt e tij të kujdesen për ta: uria nuk është nevojë që s’ka të bëjë fare me shpalljen e Mbretërisë dhe dëshminë e shëlbimit. Përkundrazi, kjo uri ka të bëjë me marrëdhënien tonë me Zotin.

Thirrjes së urisë Krishti i gjegjet me ndarjen e bukës

Pesë bukë dhe dy peshq nuk duket se mjaftojnë për t’ia shuar urinë popullit: në dukje të arsyeshme, llogaritjet e dishepujve zbulojnë mungesën e besimit të tyre. Sepse, në realitet, me Jezusin ka gjithçka që na nevojitet për t'i dhënë forcë dhe kuptim jetës sonë.

Gjestet e Zotit dëshmojnë mirënjohjen ndaj Atit

Turma e njerëzve ka uri! E thirrjes së urisë Jezusi i përgjigjet me shenjën e ndarjes. Ngre sytë, jep bekimin, thyen bukën dhe u jep ushqim të gjithë të pranishmëve (shih vargun 16).

“Gjestet e Zotit nuk përurojnë një ritual magjik të ndërlikuar, por dëshmojnë me thjeshtësi mirënjohjen e tij ndaj Atit, lutjen bijnore të Krishtit dhe bashkimin vëllazëror që mbështet Shpirti Shenjt. Për të shumëfishuar bukët dhe peshqit, Jezusi i ndan ata që janë atje: pikërisht në këtë mënyrë ato janë të mjaftueshme për të gjithë, madje, janë tepër. Si hëngrën - e si u ngopën – mblodhën dymbëdhjetë shporta (shih vargun 17).

Stili i Jezusit është stili i Zotit

Logjika e Krishtit i shpëton njerëzit e uritur: Jezusi vepron sipas stilit të Zotit, duke na mësuar të bëjmë të njëjtën gjë – theksoi në vijim Ati i Shenjtë.  

Sot, në vend të turmave të kujtuara në Ungjill, ka popuj të tërë, të poshtëruar nga lakmia e të tjerëve edhe më shumë sesa nga uria e tyre. Përballë mjerimit të shumë njerëzve, grumbullimi i pakicave është shenjë e krenarisë indiferente, e cila prodhon dhimbje dhe padrejtësi.

Në vend të ndarjes, bollëku shpërdoron frytet e tokës dhe të punës së njeriut. Sidomos në këtë Vit Jubilar....

“... shembulli i Zotit mbetet për ne kriter urgjent veprimi dhe shërbimi: ndarja e bukës, për të shumëfishuar shpresën, shpall ardhjen e Mbretërisë së Tij”.

Misteri i fesë: shpëtimi nga vdekja

Duke shpëtuar turmat nga uria - vijoi homelinë Papa - Jezusi shpall se do t'i shpëtojë të gjithë nga vdekja. Ky është misteri i fesë, të cilin e kremtojmë në sakramentin e Eukaristisë.

Ashtu si uria është shenjë rrënjësore e varfërisë të jetës sonë, ashtu edhe thyerja e bukës është shenjë e dhuratës hyjnore të shëlbimit.

Krishti, përgjigjja e Zotit - njeriut

Krishti është përgjigjja që i jep Zoti urisë së njeriut, sepse korpi i tij është buka e jetës së amshuar: merreni e hajeni të gjithë! Ftesa e Jezusit rrok përvojën tonë të përditshme: për të jetuar, duhet të ushqehemi me jetë, duke e marrë atë nga bimët dhe kafshët - kujtoi Papa, që vijoi të shpjegonte: “Megjithatë, të hash diçka të vdekur na kujton se edhe ne, pavarësisht sa hamë, do të vdesim”:

“Po kur ushqehemi me Jezusin, bukën e gjallë dhe të vërtetë, jetojmë për Të”.

Duke dhuruar gjithë vetveten, Krishti i Kryqëzuar dhe i Ngjallur na dorëzohet ne, që kështu zbulojmë se jemi krijuar për t'u ushqyer me Zotin. Natyra jonë e uritur ka shenjën e një varfërie që ngopet nga hiri i Eukaristisë. Siç shkruan Shën Augustini, Krishti është vërtet "panis qui reficit, et non deficit; panis qui sumi potest, consumi non potest" (Sermo 130, 2): bukë që ushqen e nuk mbaron; bukë që mund të hahet, por nuk mund të mbarojë.

Eukaristia është prania e vërtetë, reale dhe substanciale e Shëlbuesit (shih Katekizmin e Kishës Katolike, 1413), e cila e shndërron bukën në vetvete, për të na shndërruar ne, në Të. I gjallë e gjallërues, Corpus Domini na bën ne, domethënë vetë Kishën, korp i Zotit.

Besimtarët: një korp i vetëm në Krishtin

Prandaj - vijoi homelinë Papa - sipas fjalëve të Palit Apostull (shih 1 Kor 10,17), Koncili II i Vatikanit na mëson se "me sakramentin e bukës eukaristike, përfaqësohet dhe realizohet uniteti i besimtarëve, të cilët përbëjnë një trup të vetëm në Krishtin.

“Të gjithë njerëzit janë të thirrur në këtë bashkim me Krishtin, i cili është drita e botës: prej Tij vijmë, nëpërmjet Tij jetojmë dhe drejt Tij drejtohemi" (Kushtetuta Dogmatike Lumen Gentium, 3).

Shtegtimi i Sakramentit ...

Procesioni, të cilin do ta fillojmë së shpejti - kujtoi Papa në përfundim të homelisë - është shenjë e këtij udhëtimi. Së bashku, barinj dhe grigjë, ushqehemi me të Shenjtnueshmin Sakrament, e adhurojmë dhe e çojmë nëpër rrugë. Duke vepruar kështu, e çojmë në shikimin, në ndërgjegjen, në zemrën e njerëzve. Në zemrën e atyre që besojnë, në mënyrë që të besojnë më fort; në zemrën e atyre që nuk besojnë, në mënyrë që të vënë në dyshim urinë të cilën e kemi në shpirtin tonë dhe bukën që mund t’ua shuajë edhe atyre etjen e urinë”.

Të përtërirë nga ushqimi që na jep Zoti – përfundoi homelinë Papa - e çojmë Jezusin në zemrën e të gjithëve, sepse Jezusi i përfshin të gjithë në veprën e shëlbimit, duke i ftuar në tryezën e tij.

Lum të ftuarit, që bëhen dëshmitarë të kësaj dashurie!

22 qershor 2025, 12:50