Papa, ipeshkvijve të Madagaskarit: të jeni pranë meshtarëve, pa i harruar të varfrit
Duke kaluar nëpër Portën Shenjte "ju, që jeni barinj, kujtuat se jeni, para së gjithash, delet e grigjës" por, njëkohësisht duhet të bëheni "shtegtarë shprese për popullin tuaj, për familjet, për të moshuarit, fëmijët, të rinjtë", e edhe për priftërinjtë, rregulltarët, të varfrit. Kështu i inkurajoi Leoni XIV ipeshkvijtë e Madagaskarit, të cilët erdhën në Romë në shtegtimin Jubilar dhe u pritën sot, 16 qershor, në audiencë në Sallën e Papëve, në Pallatin Apostolik. “Ky takim ka një kuptim të veçantë për mua, sepse është i pari” - u tha Papa - duke nënvizuar admirimin e tij personal ndaj vendimit të ipeshkvnisë për ta jetuar Jubileun së bashku: “Është shenjë e bukur uniteti, e mirëpritur me Papën e dashur Françesku, të cilin e ndiejmë shpirtërisht të pranishëm edhe në këtë çast”.
Kujtojini gjithnjë meshtarët dhe të varfrit
Në fjalimin e tij, Papa Prevost i ftoi ipeshkvijtë të kujdesen për kategoritë e ndryshme të njerëzve, që shërbejnë në misionin e tyre, duke nisur nga “meshtarët, të cilët - kujtoi Leoni XIV - janë bashkëpunëtorët tuaj të parë dhe vëllezërit tuaj më të ngushtë, si dhe nga burrat e gratë rregulltare, që i kushtohen shërbimit”. Pastaj Ati i Shenjtë Prevost i nxiti ipeshkvijtë e Madagaskarit “të mos largohen nga të varfrit” të cilët janë “në qendër të Ungjillit, marrës të privilegjuar të shpalljes së Lajmit të Mirë - Ungjillit”.
Duhet ta njihni tek ata, fytyrën e Krishtit - vijoi Papa - e uroj që veprimtaria juaj baritore të jetë gjithnjë e frymëzuar nga një shqetësim konkret për më të vegjlit. Shërbesa juaj në këtë Jubile, përtej sprovave, i ndihmon të ndriçojnë horizontet gjithmonë të reja të shpresës, që ofron Krishti.
Rëndësia e kujdesit për krijimin.
“Duke ndjekur Papën Françesku - vazhdoi Ati i Shenjtë Prevost - ju ftoj të kujdeseni për shtëpinë tonë të përbashkët, për të ruajtur pamjen e Ishullit të Madh, bukuria dhe brishtësia e të cilit ju janë besuar”.
Kujtoi, më pas, se kujdesi për Krijimin është “pjesë e pandarë” e “misionit profetik” të ipeshkvijve, të cilëve u bën thirrje t’u mësojnë besimtarëve “artin e mbrojtjes së tij, me drejtësi dhe paqe”.
Dëshmia e shenjtorëve.
Së fundmi, Leoni XIV u ndalua tek shumë histori shenjtërie dhe ungjillëzimi, që kujtohen në Madagaskar, me njerëz që “nuk patën frikë as nga refuzimi e as nga persekutimi” por dhanë ndihmesën e tyre të çmuar për “vitalitetin misionar të Kishave tuaja të veçanta”. Kujtoi, sidomos, Henri de Solages, “misionarin e parë që nuk u çkurajua nga dështimi dhe burgosja”, ose martirin shenjt, Jacques Berthieu, “gjaku i të cilit qe fara e të krishterëve në Madagaskar”. Përmendi gjithashtu edhe të Lumin Raphael Rafiringa, të Lumen Victoire Rasoamanarivo dhe Shën Jacques Berthieu.
Shembulli i tyre vazhdoftë t'ju forcojë dhurimin e vetvetes për Krishtin dhe Kishën e tij, ndërmjet sukseseve dhe sprovave baritore që kaloni për të arritur popullin e Zotit në realitetet e ndryshme të dioqezave tuaja!