Papa: ipeshkvi duhet të jetë pranë familjeve, të rinjve, të moshuarve
R.SH. / Vatikan
Ipeshkvi “është njeri i fesë” e “njeri i shpresës”, sepse “besimi është themeli i asaj që shpresohet dhe prova e asaj që nuk shihet’”. Këtë theksoi Papa Leoni XIV në meditimin drejtuar ipeshkvijve në Bazilikën e Shën Pjetrit, me rastin e Jubileut të tyre.
Ipeshkvi është pra, njeri “plotësisht i bindur ndaj veprimit të Shpirtit Shenjt Zot, i cili frymëzon tek ai fe, shpresë dhe dashuri duke i ushqyer ato, si flaka e zjarrit, në situata të ndryshme ekzistenciale”. Ky është identikiti i ipeshkvit, i përvijuar nga Papa Leoni XIV në meditimin e sotëm për Jubileun e ipeshkvijve, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.
“Ipeshkvi është njeri i fesë”, shpjegoi Leoni XIV, duke u ndaluar veçanërisht te figura e Moisiut, ‘tek ai që, me hirin e Zotit, sheh përtej, sheh qëllimin dhe mbetet i palëkundur në sprova’. Sidomos kur shtegtimi i popullit bëhet më i vështirë, Bariu, me anë të virtytit teologal, e ndihmon atë të mos dëshpërohet: jo me fjalë, por me afërsi”.
E tregoi kështu Papa Leoni XIV rrugën:
“Kur familjet ngarkohen me barrë të tepërta e institucionet publike nuk i mbështesin në mënyrë të mjaftueshme; kur të rinjtë zhgënjehen dhe neveriten nga mesazhet iluzore; kur të moshuarit dhe njerëzit me aftësi të kufizuara të rënda ndihen të braktisur, ipeshkvi është afër dhe nuk ofron receta, por përvojën e bashkësive që kërkojnë ta jetojnë Ungjillin në thjeshtësi e ndarje të përbashkët. E kështu feja dhe shpresa bashkohen në të si njeri i dashurisë baritore”.
E gjithë jeta e ipeshkvit, e gjithë shërbesa e tij, kaq e larmishme dhe shumëplanëshe, gjen unitetin në atë që Shën Augustini e quan “amoris officium”, përmbledh Papa Leoni:
“Në predikim, në vizita në bashkësi, në dëgjimin e meshtarëve dhe të diakonëve, në zgjedhjet administrative, gjithçka është e gjallë dhe e motivuar nga bamirësia e Jezu Krishtit Bari. Me hirin e tij, marrë çdo ditë nga Eukaristia dhe nga lutja, ipeshkvi i jep shembullin e dashurisë vëllazërore bashkëndihmësit ose ndihmësit të tij, ipeshkvit të nderit dhe ipeshkvijve të dioqezave fqinje, bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si dhe meshtarëve në vështirësi ose të sëmurë. Zemra e tij është e hapur dhe mikpritëse, e kështu është edhe shtëpia e tij”.
Maturia baritore, varfëria, çelibati dhe virtytet njerëzore
“Maturia baritore, varfëria, vetëpërmbajtja e përsosur në celibat dhe virtytet njerëzore”. Këto janë, për Papën Prevost, disa nga “virtytet e domosdoshme” të ipeshkvit. “Maturia baritore është urti praktike, që e udhëheq ipeshkvin në zgjedhjet e tij, në qeverisje, në marrëdhëniet me besimtarët dhe me shoqatat e tyre”, shpjegoi Leoni XIV, sipas të cilit “një shenjë e qartë e maturisë është ushtrimi i dialogut si stil dhe metodë në marrëdhëniet dhe gjithashtu në kryesimin e organeve pjesëmarrëse, domethënë në drejtimin e sinodalitetit në Kishën e veçantë”.
“Në këtë aspekt, Papa Françesku na nxiti të bëjmë një hap të madh përpara, duke këmbëngulur, me urti pedagogjike, në sinodalitetin si përmasë të jetës së Kishës”, vërejti Papa. “Maturia baritore e lejon ipeshkvin edhe ta udhëheqë bashkësinë dioqezane, si duke forcuar traditat e saj, ashtu edhe duke nxitur rrugë të reja dhe nisma të reja”.