Papa: feja katolike, shtyllë e emigrantëve italianë në Shtetet e Bashkuara
R.SH. / Vatikan
Italinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bashkojnë histori të panumërta migrimi. Kush largohej në kërkim të "një ardhmërie të begatë" shpesh gjeti, në fenë katolike - me tiparet tipike italiane të "devotshmërisë popullore" e të "devocionit" - një gurrë shprese, edhe në kohë të vështira. Një shikim në të kaluarën dhe një në të tashmen: me këtë frymë Papa Leoni XIV mirëpriti sot, 4 qershor, në Sallën e vogël të Sallës Pali VI, anëtarët e Këshillit të Administratës së Fondacionit Kombëtar Italo-Amerikan (NIAF), me rastin e pesëdhjetëvjetorit të themelimit. Përshëndetja e tij, e shqiptuar anglisht, ishte vlerësim për angazhimin e gjatë të organizatës me seli në Uashington, D.C., për nxitjen e lidhjeve kulturore dhe bamirëse ndërmjet dy vendeve.
Siç e dini mirë, dhjetra miliona amerikanë shpallin me krenari trashëgiminë e tyre italiane, edhe pse paraardhësit e tyre erdhën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kohë më parë.
"Kërkoj ndjesë që ju lashë të prisni"
"Jam i lumtur që ju takoj. E kërkoj ndjesë që ju lashë të prisni". E nisi Papa Leoni XIV bisedën me miqtë. "Sistemi i planifikimit të Vatikanit parashikon katër audienca në të njëjtën kohë. Në këtë mënyrë, për fat të keq, ju u detyruat të më prisni mua, e jo anasjelltas"- shtoi. Pastaj kujtoi se si, pas përshëndetjes dhe takimit individual me secilin anëtar të delegacionit, e priste audienca e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit.
Shpresa për një të ardhme të begatë
Leoni XIV foli, më pas, për veprimtaritë e shumta të NIAF (Këshillit të Administratës së Fondacionit Kombëtar Italo-Amerikan): nga nxitja e zhvillimit të kulturës dhe historisë italiane ndërmjet të rinjve, deri te dhënia e bursave dhe mbështetja e veprimtarive bamirëse, në Itali dhe në Shtetet e Bashkuara, duke kontribuar kështu në ruajtjen e "një lidhjeje konkrete dhe reciprokisht të dobishme" ndërmjet dy kombeve.
Sipas Papës Prevost, bashkësia italiane e emigrantëve karakterizohej, mbi të gjitha, nga feja e fortë katolike, ushqehej nga tradita dhe ishte e aftë t'i bënte ball çrrënjosjes kulturore dhe sociale.
Kjo fe i mbështeti në kohë të vështira, edhe kur patën arritur me ndjenja shprese për një të ardhme të begatë, në vendin e tyre të ri.
Ruajtja e trashëgimisë shpirtërore
Sjellje, kjo, që Papa e krahasoi me ndjenjën e pritjes, shprehur në Bulën e Jubileut, Spes non confundit (Shpresa nuk të zhgënjen) (Rm 5,5): "shpresa e parë si dëshirë dhe pritje për të mirën, edhe pa e ditur se çfarë do të sjellë e nesërmja". Në një epokë të përshkuar nga "shumë sfida", Leoni XIV shpreson se qëndrimi në Romë - "qytet i varreve të apostujve Pjetër dhe Pal, si dhe i shumë shenjtorëve që e forcuan Kishën në periudha të vështira të historisë" - do të ripërtërijë tek të pranishmit "ndjenjën e shpresës" dhe "besimin në të ardhmen".
Lutem që secili prej jush dhe familjet tuaja të ruajnë gjithmonë trashëgiminë e pasur shpirtërore dhe kulturore, trashëguar nga ata që ju paraprinë. “Bekimi është shkruar në latinisht”, përfundoi Papa Leoni XIV, duke dhënë Bekimin Apostolik në përfundim të audiencës, “por mendoj se mund ta bëjmë në anglisht”.
Zoti qoftë me ju. [Dhe me Shpirtin tuaj]. Ju bekoftë Zoti i Gjithëpushtetshëm: Ati, Biri e Shpirti Shenjt zbritët mbi ju të gjithë e qoftë me ju përgjithmonë, Amen.