MAP

Një imazh i Papa Palit VI, i cili kritikoi moton "Nëse do paqe, përgatitu për luftë" Një imazh i Papa Palit VI, i cili kritikoi moton "Nëse do paqe, përgatitu për luftë"

“Nëse do paqe, përgatit paqen”. Papët dhe Doktrina Sociale, përtej frenimit

Në kulmin e stinës së re të riarmatimit global, me 56 konflikte në vijim e me shpenzime ushtarake globale në rritje, bëhet përsëri aktual dënimi i frikësimit të armatosur i shprehur nga papët, pacifistët dhe mendimtarët e shekullit të njëzetë. Nga Gjoni XXIII - te Françesku, deri te fjalët e fundit të Leonit XIV, Doktrina Sociale e Kishës propozon një alternativë ungjillore për logjikën e luftës.

R.SH. / Vatikan

“Shprehja e lashtë, që ka dhënë e vazhdon të japë mësim në politikë: «se vis pacem, para bellum» (Nëse do paqen, përgatit luftën) nuk është e pranueshme pa rezerva rrënjësore. Ne, me guximin e hapur të parimeve tona, denoncojmë kështu programin e rremë dhe të rrezikshëm të “garës së armëve e të konkurrencës së fshehtë për epërsi ushtarake ndërmjet popujve”. Në dhjetor të vitit 1976, në mes të Luftës së Ftohtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, karakterizuar nga tensione në rritje dhe garë armatimesh, Papa Pali VI shkroi këto fjalë në Mesazhin e tij për Ditën e 10-të Botërore të Paqes:

“Edhe nëse, nëpërmjet një mençurie të lumtur që mbijeton, ose nëpërmjet një ‘përleshjeje krahësh’ të heshtur, por tashmë të jashtëzakonshme në ekuilibrin e forcave vdekjeprurëse kundërshtare, lufta (dhe çfarë lufte do të ishte!) nuk shpërthen - shkroi Papa Montini në atë tekst – si mund të mos vajtojmë humbjen e pallogaritshme të mjeteve ekonomike dhe energjisë njerëzore për të ruajtur për secilin shtet individual armë gjithnjë e më të shtrenjta, gjithnjë e më efikase, në dëm të buxheteve shkollore, kulturore, bujqësore, shëndetësore, civile”.

Gjoni XXIII: paqe e vërtetë, jo ekuilibër i terrorit

Çka përsëriti këtu me tone pasionante Pali VI, është dënimi i qartë i të ashtuquajturës “teori e parandalimit”, shprehur tashmë nga paraardhësi i tij, Papa Gjoni XXIII, në veprën e famshme Pacem in terris, botuar në vitin 1963, pas krizës së raketave kubaneze që e pati çuar botën në prag të luftës bërthamore. “Armatimet, siç dihet, justifikohen zakonisht me argumentin se kur paqja është e mundur sot, mund të jetë vetëm paqe e bazuar në ekuilibrin e fuqive” - shkroi Papa Roncalli në enciklikën e tij të fundit.

“Si rezultat, qeniet njerëzore jetojnë nën makthin e një uragani që mund të shpërthejë në çdo çast me një forcë të papërfytyrueshme”. “Drejtësia, mençuria dhe njerëzimi”, vazhdonGjoni XXIII , “kërkojnë që gara e armatimeve të ndalet”.

Françesku dhe “Fratelli tutti”: paqja nuk është ekuilibër fuqish

Ky parim, qendror në Magjisterin e Papëve mbi paqen në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, u aktualizua nga enciklika  e Bergoglios Fratelli tutti.

“Çështja është se, duke filluar me zhvillimin e armëve bërthamore, kimike dhe biologjike, e me mundësitë e mëdha dhe në rritje të ofruara nga teknologjitë e reja, luftës iu dha një fuqi shkatërruese e pakontrollueshme, e cila prek shumë civilë të pafajshëm”, shpjegoi Papa Françesku në tekstin e tij të nënshkruar në mënyrë domethënëse në Asizi, më 3 tetor 2020. E, më tej, shpjegoi: “Paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar nuk mund të themelohen mbi një ndjenjë të rreme sigurie, mbi kërcënimin e shkatërrimit të ndërsjellë ose shfarosjes totale a mbi ruajtjen e thjeshtë të një ekuilibri fuqish”.

Këto janë të gjitha deklarata, të marra nga mësimet e Papëve, të cilat kanë kuptim të veçantë sot kur paqja botërore duket e ekuilibruar më pak se kurrë, për shkak të konfliktit të ri dramatik që përfshiu Izraelin, SHBA-në dhe Iranin, e Këshilli Evropian mblidhet në Bruksel për të diskutuar të ashtuquajturin plan “ReArm Europe”. Por është interesante të vihet re se si vjetërsimi i motos latine “Se vis pacem, para bellum” (Nëse do paqen, përgatitu për luftën) - riformulim i një perikopeje marrë nga Epitoma rei militaris e Vegetius (shekulli i 4-5-të) - është nënvizuar gjerësisht në këtë shekull edhe në kontekste larg Doktrinës Sociale të Kishës.

Kur edhe laikët i thanë jo “si vis pacem...”

Që më 12 qershor 1909, Filippo Turati, një nga etërit e socializmit italian, në fjalimin “Marramendja e armatimeve dhe reformave sociale”,  mbajtur në Dhomën e Deputetëve të Italisë, deklaroi: “E famshmja si vis pacem, para bellum nuk është gjë tjetër veçse lojë fjalësh nga orakulli i Delfit. Le të kthehemi, zotërinj, te logjika e shëndoshë, e cila thotë: si vis pacem, para pacemLe t'i japim fund kësaj marrëzie të kotë të garës së armatimeve që i rraskapit kombet". Pastaj në vitin 1947, pas tragjedisë së Hiroshimës dhe Nagasakit, Mahatma Gandhi shkroi: "Morali që mund të nxirret (...) është se një bombë nuk mund të shkatërrohet nga një bombë tjetër, ashtu si dhuna nuk mund të shkatërrohet nga dhuna". Ndërsa në Itali, filozofi dhe politikani antifashist Aldo Capitini, - i frymëzuar nga vetë udhëheqësi indian - përsëriti se "qëllimi i dashurisë mund të arrihet vetëm përmes dashurisë, qëllimi i ndershmërisë me mjete të ndershme, qëllimi i paqes jo përmes ligjit të vjetër me efekt kaq të paqëndrueshëm nëse doni paqe përgatitni luftë, por përmes një ligji tjetër: gjatë paqes, përgatitni paqen".

Shifrat në dorë: armët dhe luftërat nuk sjellin paqe

Sipas Institutit Suedez Sipri, shpenzimet ushtarake globale arritën kulmin e tyre historik në vitin 2024 (mbi 2,700 miliardë), ndërsa sot në botë ka 56 konflikte të armatosura aktive që përfshijnë më shumë se 92 vende, numri më i lartë që nga fundi i Luftës II Botërore. Një konfirmim që pohon se "përgatitja për luftë" jo vetëm që devijon burimet ekonomike nga buxhetet e shteteve, por nuk çon në paqe. Përballë shkatërrimit të shkaktuar, ndër të tjera, nga konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, fjalët e fundit të Papës Leoni XIV mbeten busull e qartë dhe e fortë, në vazhdimësi me magisterium pacis të paraardhësve të tij:

"Nuk duhet të mësohemi me luftën, përkundrazi, duhet të hedhim poshtë si tundim joshjen e armatimeve të fuqishme dhe të sofistikuara".

28 qershor 2025, 10:40