Me luftën në sy, një grup të rinjsh nga Kharkiv takojnë Papën
R.SH. – Vatikan
“Ngjarje e pabesueshme. Do të thosha se edhe tani nuk jam plotësisht e vetëdijshme për gjithçka ndodhi”. Ngjarja në fjalë, për të cilën flet për mediat e Vatikanit Tetiana, ukrainase 17-vjeçare, është një takim e një fotografi me Papën Leoni XIV, larg sirenave, bombave dhe dhunës së luftës. Ajo, së bashku me 31 të rinj të tjerë nga Ukraina, e takoi Atin e Shenjtë dje paradite, gjatë audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit. Grupi i përket katedrales greko-katolike të Shën Nikollës në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë dhe një nga më të dëmtuarit nga konflikti, pak kilometra larg kufirit me Rusinë.
Nga 8 qershori deri më 5 korrik në Itali
Falë marrëdhënieve të Ekzarkatit greko-katolik të Kharkiv-it dhe Karitasit vendas me organizata të ndryshme humanitare italiane, për të dytin vit radhazi, u arrit të organizohej një udhëtim për të sjellë një grup djemsh dhe vajzash për tre javë, nga 8 qershori deri më 5 korrik në Itali, ku do të vizitojnë jo vetëm Romën, por edhe Komon e Ponte di Legno në Lombardi. Ndërsa Kharkiv vijon të goditet nga dronët rusë, që shkaktojnë të vdekur e të plagosur, këta të rinj të moshës 10 deri në 17 vjeç kanë mundësinë të kalojnë pak kohë larg konfliktit, duke ndjerë edhe afërsinë e Papës së ri, fjalët e para të të cilit pas zgjedhjes qenë pikërisht për paqen.
Mbështetja e Papës ndërsa lutet për Ukrainën
“Ta shohësh Papën personalisht është diçka e mrekullueshme. Por të jesh në të njëjtën foto me të është diçka, që nuk mund ta imagjinoja. Këto janë vërtet emocione që nuk mund të shprehen me fjalë”, thotë Vitaliy, 15 vjeç. Për Motër Oleksia Pohrsnychna nga Kongregata e Shën Jozefit, e cila shërben në katedralen e Shën Nikollës që nga viti 2018, të shihte emocionin në fytyrat e fëmijëve të saj para turmës në Sheshin e Shën Pjetrit ishte një çast gëzimi i madh. Ashtu si edhe “përkrahja” e Papës, të cilën ajo e ndjeu kur patën mundësinë ta përshëndesnin, pas audiencës. “Na tha ‘gjithmonë lutem për ju’”, shpjegon murgesha, “një skenë vërtet prekëse”. E një vullnetari, që i kërkoi të mos e harronte Ukrainën, Ati i Shenjtë iu përgjigj “Jo, kurrë!”
Duke kujtuar Marinë
Grupi i të rinjve i dhuroi Papës Leoni XIV një fotografi të shoqes së tyre, Marisë, e cila, më se një vit më parë, në moshën 12-vjeçare, vdiq gjatë një bombardimi ndërsa bënte pazar me nënën, një muaj para udhëtimit në Itali. Mediave të Vatikanit, të rinjtë u treguan "vështirësitë e shumta", që përjetojnë çdo ditë. Për shembull, nuk mund të studiojnë, ose të takohen me miqtë, tmerrohen nga zhurma e raketave dhe e bombave ndërsa dëmi i shkaktuar prej tyre shtohet vazhdimisht. Shumë prej fëmijëve e të rinjve janë detyruar të ikin nga shtëpitë ku janë rritur.