MAP

Fjalimi i Papa Leonit XIV para parlamentarëve për Jubileun e Qeveritarëve, në Sallën e Bekimit në Vatikan Fjalimi i Papa Leonit XIV para parlamentarëve për Jubileun e Qeveritarëve, në Sallën e Bekimit në Vatikan

Leoni XIV: politika nuk është profesion, por mision i së vërtetës e i së mirës

Në fjalimin drejtuar parlamentarëve të 68 vendeve, mbledhur në Sallën e bekimit për Jubileun e qeveritarëve, Papa kujtoi detyrën e "mbrojtjes të së mirës së bashkësisë", të nxitjes së lirisë efektive fetare dhe të përgjigjes dhënë "sfidës së madhe të inteligjencës artificiale" të shëndetshme, të drejtë dhe të sigurt", veçanërisht për të rinjtë. Burimi i frymëzimit është Shën Tomas Moro, "martir i lirisë dhe i përparësisë së ndërgjegjes"

R.SH. / Vatikan

Përfaqësuesit parlamentarë të zgjedhur nga populli, në veprimtarinë e tyre politike, kanë për detyrë "të mbrojnë të mirën e bashkësisë". Por edhe lirinë fetare e "takimin konstruktiv ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare", sepse besimi në Zotin në jetën e komuniteteve është "burim i madh i së mirës dhe i së vërtetës". E, së fundmi, të përballojnë "sfidën e madhe të inteligjencës artificiale", të hartojnë "mënyra jetese të shëndetshme, të drejta dhe të sigurta" veçanërisht për të rinjtë, duke pasur si burim frymëzimi Shën Tomën Moro, i cili e interpretoi politikën "jo si profesion, por si mision" për mbrojtjen e së vërtetës dhe të së mirës”. Ndër konsideratat, është edhe tregimi i modelit të "shërbëtorit të shtetit, pikërisht përmes forcës të fesë së tij”, kujtoi Papa Leoni XIV sot paradite, në Sallën e Bekimit, në Vatikan, duke takuar gjashtëqind parlamentarë nga 68 vende të botës, me rastin e Jubileut të pushtetarëve.

Politika, forma më e lartë e bamirësisë

Papa Prevost e filloi fjalimin në anglisht, duke cituar Piun XI, kur e përkufizon veprimin politik "si forma më e lartë e bamirësisë", si dhe Enciklikën Fratelli tutti të Françeskut, që e përshkruan si "vepër e asaj dashurie të krishterë, që nuk është kurrë teori, por gjithmonë shenjë e dëshmisë konkrete të veprimit të Zotit në favor të njeriut", kur e kryen shërbimin "në favor të shoqërisë dhe të së mirës së përbashkët".

Ta nxisim e ta mbrojmë të mirën e bashkësisë

Mendimi i parë i Leonit XIV ka të bëjë pikërisht me "të mirën e bashkësisë, veçanërisht në mbrojtje të më të ligshtëve dhe të përjashtuarve nga radhët e shoqërisë, të cilën parlamentarët janë të thirrur ta mbrojnë "përtej çdo interesi të veçantë". Që kështu të kapërcehet, shkruante Leoni XIII në enciklikën Rerum novarum, "disproporcioni i papranueshëm ndërmjet pasurisë së zotëruar nga një pakicë, e varfërisë së përhapur përtej çdo mase".

“Ata që jetojnë në kushte ekstreme bërtasin për t'i bërë të dëgjohen zërat e tyre e shpesh nuk gjejnë veshë të gatshëm, që t'i dëgjojnë. Një çekuilibër i tillë krijon situata padrejtësie të përhershme, të cilat shndërrohen lehtësisht në dhunë dhe, herët a vonë, në dramën e luftës”.

Kjo është arsyeja pse "veprimi i mirë politik", që favorizon shpërndarjen e drejtë të burimeve, "mund t'i shërbejë në mënyrë efektive harmonisë dhe paqes si në nivelin shoqëror, ashtu edhe në atë ndërkombëtar". Ndërmjet pjesëmarrësve në audiencën e parlamentarëve në Sallën e bekimit, Kryeministrja italiane Meloni, Presidenti i Dhomës Fontana dhe Senatori Casini.

Liria fetare dhe dialogu ndërfetar

Papa Leoni XIV, më pas, reflektoi, dhe është pika e dytë, mbi lirinë fetare dhe dialogun ndërfetar: edhe në këtë fushë, "sot gjithnjë e më shumë aktuale" nënvizoi, veprimi politik mund të bëjë shumë ...

...duke promovuar kushtet për lirinë e vërtetë fetare dhe për zhvillimin e takimit respektues dhe konstruktiv ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare. Të besosh në Zotin, me vlerat pozitive që rrjedhin prej Tij, në jetën e bashkësive e individëve, është burim i madh i së mirës dhe i së vërtetës

Papa Leoni XIV citoi, për këtë, Shën Augustinin, që na kujton se për ndërtimin e civitas Dei, një shoqërie në të cilën ligji themelor është bamirësia, njeriu duhet të kalojë "nga dashuria e tij - dashuri egoiste për veten, e mbyllur dhe shkatërruese - në dashurinë e Zotit - dashuri e lirë, e cila e ka rrënjën në Zotin e që të çon në dhurimin e vetvetes".

Ligji natyror dhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut

Çka duhet t'i bashkojë të gjithë në veprimin politik, për Papën, është referenca ndaj ligjit natyror "jo të shkruar nga duar njeriut, por të njohur  e vlefshme universalisht dhe në çdo kohë”. Ajo që Ciceroni e quante "arsyeja e drejtë, sipas natyrës, universale, konstante dhe e përjetshme, e cila me urdhërat e saj fton në detyrë, me ndalimet, largon nga e keqja".

Ligji natyror, i vlefshëm universalisht përtej dhe mbi bindjet e tjera me karakter më të vendosur, përbën busullën me të cilën mund të orientohemi në ligjvënie dhe veprim, veçanërisht në çështje delikate etike që sot shtrohen në një mënyrë shumë më bindëse sesa në të kaluarën, duke prekur sferën personale.

Sot ky ligj, për Leonin XIV, gjen shprehje në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, miratuar në vitin 1948 nga Kombet e Bashkuara, tekst gjithmonë i rëndësishëm që "mund të kontribuojë jo pak për ta vendosur njeriun" në themel të kërkimit të së vërtetës e për t'ia rikthyer dinjitetin atij që nuk ndjehet i respektuar në intimitetin e në kërksat e ndërgjegjes së tij”.

 Sfida e madhe e inteligjencës artificiale

Së fundi, konsiderata e tretë e Papës ka të bëjë me "sfidën e madhe të inteligjencës artificiale", zhvillimi i së cilës do ta ndihmojë shumë shoqërinë, nëse nuk shkel "identitetin dhe dinjitetin e personit njerëzor si dhe liritë e tij themelore". Funksioni i saj, kujton Papa, është "të jetë  mjet për të mirën e qenies njerëzore, jo ta nënçmojë ose të përcaktojë humbjen e njeriut":

"Ajo që përshkruhet, pra, është sfidë e jashtëzakonshme, e cila kërkon shumë vëmendje dhe një vështrim largpamës drejt së ardhmes, për të hartuar, edhe në kontekstin e skenarëve të rinj, stile jetese të shëndetshme, të drejta dhe të sigurta, veçanërisht për të mirën e breznive të reja".

Jeta personale - theksoi Papa Leoni XIV - "vlen shumë më tepër sesa një algoritëm e marrëdhëniet shoqërore kërkojnë hapësira njerëzore përtej modeleve të kufizuara që mund të parapaketojë çdo makinë pa shpirt". Sepse, siç kujtonte Françesku në fjalimin e tij në Sesionin e G7 mbi Inteligjencën Artificiale, qershor 2024, inteligjenca artificiale mbetet e pajisur me një "kujtesë" statike, "në asnjë mënyrë të krahasueshme me atë të burrit dhe të gruas, e cila, përkundrazi, është dinamike, gjeneruese". Kjo është arsyeja pse politika vihet në pikëpyetje, për t'iu përgjigjur shumë qytetarëve që me të drejtë i shikojnë, "me besim dhe shqetësim, sfidat e kulturës së re dixhitale".

Tommaso Moro, shërbëtor i Shtetit me forcën e fesë

Papa e përfundoi fjalimin duke kujtuar se Shën Gjon Pali II, për Jubileun e vitit 2000, kujtoi "si dëshmitar që mund t’i drejtohesh dhe ndërmjetës, nën mbrojtjen e të cilit marrin angazhimin e tyre, Shën Thoma Moron".

"Sir Thomas Moro ishte njeri besnik ndaj përgjegjësive të tij qytetare,  shërbëtor i përsosur i Shtetit pikërisht mbi bazën e fesë së tij, gjë që e shtyu ta interpretonte politikën jo si profesion, por si mision për përparimin e së vërtetës dhe të mirës".

Siç kujtonte Papa Vojtila, martiri i shenjtë anglez "e pati vënë veprimtarinë e tij publike në shërbim të njeriut, veçanërisht nëse ishte i dobët ose i varfër; ai i trajtoi polemikat shoqërore me një ndjenjë të shkëlqyer drejtësie; e mbrojti familjen me një përkushtim të zellshëm; e u kujdes për edukimin e plotë të të rinjve". E flijoi edhe jetën e tij "për të mos tradhtuar të vërtetën", gjë që e bën edhe sot e kësaj dite "martir të lirisë dhe të përparësisë së ndërgjegjes", ndërsa për parlamentarët, "burim frymëzimi dhe veprimtarie”.

21 qershor 2025, 16:41