MAP

2025.06.20 Sacerdoti della Pontificia Accademia Ecclesiastica che ritornano dall'Anno Missionario

Leoni XIV për nuncët e ardhshëm: u çoni afërsinë e Papës popujve

Audiencë e Atit të Shenjtë me studentët e Akademisë Kishtare Papnore, që sapo janë kthyer nga viti misionar jashtë vendit, një risi formimi menduar nga paraardhësi i tij Françesku. Papa i falënderoi “për bindjen dhe vetëmohimin”, me të cilin e kanë kaluar këtë vit në zona nga më të ndryshmet e botës

R.SH. – Vatikan

“Çfarëdo detyre t'ju besohet, kudo që të jeni në botë, Papa duhet të jetë në gjendje të mbështetet tek meshtarë, të cilët, si me lutje, ashtu edhe me punë, nuk kursehen për t’u çuar afërsinë e tij popujve dhe Kishave, përmes dëshmisë së tyre”. Me këto fjalë, Papa Leoni XIV iu drejtua meshtarëve të Akademisë Kishtare Papnore, të sapo kthyer nga Viti Misionar, duke i pritur në audiencë sot paradite në Pallatin Apostolik, në Vatikan.

Treqind vjet formim për diplomatët papnorë

Institucioni u themelua në vitin 1701 nga Papa Klementi XI me synimin për të formuar klerikë të rinj për shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë, me një kurs studimesh të veçanta. Në shkurt 2020, Papa Françesku e rishikoi programin e formimit të Akademisë Kishtare, duke vendosur të përfshijë në kurrikulumin e studentëve "një vit kushtuar tërësisht shërbimit misionar" në Kishat e Azisë, Afrikës, Amerikës Latine.

  (@VATICAN MEDIA)

Një vit “stazh jashtë vendit” dashur nga Papa Françesku

Ky vit misionar, në synimin e Françeskut, është një lloj stazhi, përmes të cilit diplomatët e ardhshëm papnorë zgjerojnë njohuritë për realitetet e ndryshme kishtare në botë. Ai plotëson kursin e studimeve e vetë Papa Leoni XIV, sot paradite, ia vuri në dukje dobinë edukative, duke theksuar "vlerën e kësaj intuite formuese të paraardhësit të nderuar" Françeskut, ashtu siç bëri edhe në takimin e 10 qershorit me ata, që janë tashmë përfaqësues papnorë anembanë globit.

Të jeni syri i Papës në të gjitha Kishat

Papa Leoni XIV vuri në pah edhe detyrën e diplomatëve të Selisë së Shenjtë për të qenë - siç shkruan Françesku në Kirografin mbi Shërbimin Pjetrin, kushtuar pikërisht përditësimit të programit të formimit të Akademisë Kishtare Papnore - "syri vigjilent dhe i hapur i Pasardhësit të Shën Pjetrit mbi Kishën dhe botën". “Ruajtja e asaj detyre për të gjitha Kishat, e cila i takon shërbesës që më është besuar, ka nevojë për shërbimin besnik dhe të pazëvendësueshëm të Sekretarisë së Shtetit dhe të përfaqësuesve papnorë, me të cilët do të filloni të bashkëpunoni së shpejti”, vërejti Papa Leoni XIV.

  (@VATICAN MEDIA)

Në fund, duke i përshëndetur meshtarët e shoqëruar  nga presidenti i Akademisë, imzot Salvatore Pennacchio, i falënderoi për zellin misionar gjatë vitit të formimit, që sapo përfundoi: "Ju falënderoj sërish për bindjen dhe vetëmohimin, me të cilin e keni kaluar këtë vit të fundit në kontekstet nga më të ndryshme dhe ju bekoj me gjithë zemër për fillimin e misionit tuaj në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë”, përfundoi Papa.

20 qershor 2025, 12:08