MAP

2025.06.05 Superiori e Officiali della Segreteria di Stato

Leoni XIV: Papa nuk ecën përpara i vetëm, puna e Sekretarisë së Shtetit është e çmuar

Audiencë me anëtarët e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, reformuar nga Papa Pali VI si pikë lidhjeje dhe koordinimi ndërmjet Dikastereve të Kuries Romake dhe Institucioneve të Selisë Apostolike. Rol, i përforcuar nga Praedicate Evangelium. Duke cituar Montini-n, Papa Leoni XIV i nxit anëtarët të mos "ndoten nga ambiciet dhe antagonizmat, por të jenë bashkësi feje". Pastaj, shpreh mirënjohjen për punën, shpesh të padukshme, bërë për jetën e Kishës dhe për mbështetjen e misionit të tij

R.SH. – Vatikan

         “Më ngushëllon të di se nuk jam vetëm dhe se mund ta ndaj përgjegjësinë e shërbesës sime universale me ju”.

Fjalë mirënjohjeje, ato të Papës Leoni XIV për Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, të cilën e priti sot në audiencë në Sallën Klementine. Një bashkësi e larmishme, që ofron "një shërbim të çmuar për jetën e Kishës", duke e ndihmuar edhe Papën "ta çojë përpara misionin", që i është besuar. Kështu u tha Ati i Shenjtë anëtarëve të këtij Institucioni të lashtë, që daton duke filluar nga shekulli XV e që ka marrë gjithnjë e më tepër "një fytyrë universale", duke u zgjeruar e duke marrë përsipër detyra të reja, në përgjigje të "nevojave të reja", si "në sferën kishtare", ashtu edhe "në marrëdhëniet me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare".

“Aktualisht pothuajse gjysma prej jush janë besimtarë laikë. E gratë, laike dhe murgesha, janë më shumë se pesëdhjetë”, vërejti Papa.

  (@Vatican Media)

"Papa nuk mund të ecë përpara i vetëm..."

Ati i Shenjtë i falënderoi të gjithë, duke filluar me Sekretarin e Shtetit, kardinalin Pietro Parolin, i cili e hapi audiencën me një përshëndetje: faleminderit për "bashkëpunimin e vazhdueshëm, që më ofroni, ndërsa bëj hapat e para" të papnisë, pohoi Leoni XIV. Pastaj, la mënjanë tekstin e shkruar për të përsëritur mirënjohjen e tij ndaj kësaj Zyre, të cilën Papa shenjt Pali VI e reformoi si pikë ndërlidhjeje në Kurien Romake.

“Në këto pak javë - ende nuk është mbushur muaji i shërbimit tim në këtë mision pjetrin - është e qartë se Papa nuk mund të ecë përpara i vetëm dhe se është e nevojshme, është shumë e nevojshme, të mbështetet në bashkëpunimin e shumë njerëzve në Selinë e Shenjtë, por në mënyrë të veçantë, tek të gjithë ju të Sekretarisë së Shtetit. Ju falënderoj nga zemra”.

Një bashkësi feje

Papa përmendi pikërisht shën Palin VI, duke huazuar një thirrje nga fjalimi i tij drejtuar Kuries Romake në vitin 1963:

“Ky vend të mos ndotet nga ambiciet, ose nga antagonizmat; përkundrazi, jini një bashkësi e vërtetë feje dhe bamirësie, bashkësi vëllezërish dhe bijsh të Papës, që punojnë me bujari për të mirën e Kishës”.

  (@Vatican Media)

Ati i Shenjtë vuri në dukje se Papa Pali VI u frymëzua nga Koncili II i Vatikanit, duke i dhënë Sekretarisë së Shtetit një formë të re, që i jepte mundësinë të shërbente si koordinim ndërmjet dikastereve të ndryshme të Kuries Romake, por edhe t’u përgjigjej më mirë sfidave të epokës. Rruga e nisur prej tij, vërejti Papa Leoni XIV, përbëhej nga dy përmasa: “mishërimi në kohë dhe vizioni universal”. Kjo rrugë u vazhdua edhe nga Papa shenjt Gjon Pali II me kushtetutën “Pastor Bonus” e nga Papa Françesku, me kushtetutën aktuale “Praedicate Evangelium”, që përcakton normat e punës së Kuries e të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit.

“Është një bashkësi e madhe, që punon krah Papës: së bashku ndajmë pyetjet, vështirësitë, sfidat dhe shpresat e Popullit të Zotit të pranishëm në mbarë botën”.

Detyra sfiduese

 “Përpiqemi gjithmonë – shtoi Ati i Shenjtë - të ruajmë një këndvështrim katolik, universal, i cili na jep mundësinë të vlerësojmë kulturat dhe ndjeshmëritë e ndryshme”. Kështu, “mund të jemi forcë lëvizëse”, që favorizon “bashkimin ndërmjet Kishës së Romës dhe Kishave lokale, si dhe marrëdhëniet miqësore me bashkësinë ndërkombëtare”.

Këto janë detyra “shumë të vështira” dhe, nganjëherë, “mund të mos kuptohen mirë”, pranoi Papa. Prandaj, shprehu afërsinë e tij: “Faleminderit për aftësitë, që vini në dispozicion të Kishës, për veprën tuaj gati gjithnjë të padukshme dhe për frymën ungjillore, që e nxit atë”. Faleminderit, përsëriti Ati i Shenjtë, “sepse e di që çdo ditë luteni për mua. Shpresoj që ta bëni këtë”.

  (@Vatican Media)

Fjala hyrëse e kardinalit Pietro Parolin

Në fjalën e tij hyrëse, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, nënvizoi dashurinë e anëtarëve të Sekretarisë së Shtetit për Papën, siç u dëshmua nga "duartrokitjet e gjata dhe të pafundme" në fillim të takimit. Prelati renditi disa shifra të Institucionit: 246 punonjës, nga të cilët 181 në Seksionin për Çështjet e Përgjithshme, 59 në Seksionin për Marrëdhëniet me Shtetet dhe 6 në Seksionin për Përfaqësitë Papnore. Tre seksione me personel, që vjen nga anë të ndryshme të botës dhe nga kategori të ndryshme të popullit të Zotit: ipeshkvij, meshtarë, burra dhe gra rregulltare, laikë. «Me të vërtetë, duam të jemi gjithnjë e më shumë në shërbimin tuaj - theksoi Sekretari i Shtetit – duke ripërtërirë besnikërinë dhe angazhimin tonë, në mënyrë që ju të çoni përpara, edhe me gëzim, përveçse me efikasitet, shërbesën tuaj të bashkimit dhe të përforcimit në fe, në krejt Kishën universale».

05 qershor 2025, 12:12