MAP

Leoni XIV: një muaj papnie, në emër të paqes

Më 8 majin e kaluar, në orën 186:07, tymi i bardhë u duk nga oxhaku i Kapelës Sikstine dhe e njoftoi botën për zgjedhjen e Papës së 267-të në histori. Një orë më vonë, në fjalimin e tij të parë, Leoni XIV bëri thirrje për "paqen e Krishtit të Ngjallur". Pas tridhjetë ditësh, në të gjithë magjisterin e Robert Francis Prevost doli në plan të parë tema e pajtimit, për një Kishë që duhet të jetë "fanar" në netët e botës.

R.SH. / Vatikan

"Paqja e Krishtit të Ngjallur, e çarmatosur dhe çarmatosëse, e përulur dhe këmbëngulëse" - Leoni XIV e kujtoi që nga çastet e para të papnisë, kur u duk për herë të parë në Lozhën qendrore e Bazilikës së Vatikanit. Ishte ora 7:23 pasdite, data 8 maj, kur thirrja e tij për pajtim dhe dialog jehoi në Sheshin e Shën Pjetrit dhe, prej andej, në mbarë botën.

"Kurrë më luftë!"

Në tridhjetë ditët që pasuan, e njëjta thirrje u përsërit vazhdimisht, sepse në pothuajse të gjitha fjalimet e tij publike, Papa Prevost vijoi ta përsëriste, pa e harruar kurrë. Të dielën, 11 maj, iu drejtua vendosmërisht të fuqishmëve të botës për të theksuar "Kurrë më luftë!", që në lutjena e tij të parë të Mbretëreshës Qiellore. E, me të njëjtën vendosmëri, kërkoi që në territoret e plagosura nga konflikti dhe nga dhuna, para së gjithash në Ukrainë dhe në Rripin e Gazës, paqja të jetë "e drejtë dhe e qëndrueshme".

Fjalë çarmatosëse, për të çarmatosur Tokën

Pajtimi, i kërkuar "me zemër në dorë" nga Leoni XIV, është ai që ka "dinjitet" dhe bazohet mbi takimin, dialogun, negociatat; ai që i lë pas mosmarrëveshjet, duke zhdukur çdo dëshirë për pushtim; ai që ndërton ura, duke u dhënë të gjithëve një zë, përfshirë të varfërit, të rinjtë, të lënët mënjanë. Paqja arrihet me armëpushim. E jo vetëm me armë, por edhe me fjalë: “Le t’i çarmatosim fjalët, për të çarmatosur Tokën”, nënvizon Papa, duke na nxitur t’i themi jo “luftës së fjalëve dhe pamjeve”, në mënyrë që të krijojmë “hapësira për dialog dhe diskutim” përmes një komunikimi që “nuk është muskulor, por i aftë të dëgjojë”.

Uniteti i krishterë, premtim për paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme

Ky objektiv - kujton Papa Prevost - nuk i përket vetëm katolikëve, por përfaqëson një angazhim të përbashkët, si ndërfetar, ashtu edhe ekumenik, përgjegjësi e lirë nga kushtëzimet politike dhe ideologjike. Konkretisht, në një botë të torturuar nga lufta, uniteti i krishterë luan rol jetik, sepse na lejon të çojmë përpara premtimin e paqes së vërtetë dhe të qëndrueshme, e t’i shërojmë plagët e së kaluarës, “që të ndërtojmë një ardhmëri të re, përmes guximit për të dashur”.

Mospërdorimi i dhunës si metodë dhe stil

Ajo që bën Leoni XIV, është kryesisht të na nxisë “të mospërdorim dhunën si metodë e si stil” që karakterizon çdo vendim, çdo marrëdhënie dhe çdo veprim. Vetëm në këtë mënyrë - shpjegoi - mund të ndërtojmë një “ne”, që mund të përkthehet në institucione dhe vetëm në këtë mënyrë mund të jemi “të pranishëm në brumin e historisë, si një majà uniteti, bashkësie dhe vëllazërie”.

“Në  të vetmin Krisht, jemi një”

Krahas temës së fortë të paqes, që në muajin e parë të papnisë të Robert Francis Prevost, Papës së parë augustinian në histori, duket edhe një pamje e saktë e Kishës, që dëshironte: Kisha e unitetit, para së gjithash, siç mund të shihet nga motoja papnore “In Illo uno unum&Բ;–&Բ;Në një Krisht jemi një”:   citat i Ekspozimit të Psalmit 127 nga Shën Augustini, për të shpjeguar se “edhe pse ne të krishterët jemi shumë, në një Krisht jemi një”.

Kisha është majà harmonie e fener i botës

Një Kishë e themeluar mbi dashurinë e Zotit, “një shenjë uniteti dhe bashkësie, që bëhet majà për një botë të pajtuar” - këtë shpresonte, e shpreson Leoni XIV; Kishë “misionare”, që ia hap krahët botës, që shpall Fjalën, që lejon veten të shqetësohet nga historia dhe që bëhet majà harmonie për njerëzimin”. E, pastaj, përsëri një Kishë “gjithnjë e më shumë qytet i vendosur mbi mal, arkë shpëtimi që lundron nëpër valët e historisë, një far që ndriçon netët e botës”, e ndriçuar nga ana tjetër nga bukuria e tri përmasave të saj: angazhimi i konvertimit, entuziazmi i misionit dhe ngrohtësia e mëshirës.

Kapërcimi i kufijve, për të ndarë së bashku bukurinë e Ungjillit

 Kishë e bashkuar në mënyrë të vetëdijshme, që e percepton veten si “anëtare e Korpit të Krishtit” - thekson Ipeshkvi i Romës - është ajo që hapet natyrshëm për universalitetin e misionit ungjillëzues, që është i saji, duke kapërcyer kufijtë e famullive, dioqezave dhe kombeve, për të “ndarë me çdo vend e me çdo popull madhështinë e njohjes së Jezu Krishtit”. Sepse dashuria dhe uniteti janë dy përmasat e misionit, që Jezusi ia besoi Pjetrit.

Familja është shenjë paqeje e ardhmërie

Uniteti i Kishës-familje e Zotit është gjithashtu uniteti i Kishës familje-shtëpiake: Leoni XIV e përsërit këtë, duke bërë thirrje për atë "bashkim universal" që është "shenjë paqeje" dhe e "ardhme e popujve". Sepse bota e sotme ka nevojë për aleancën martesore që të "njohë dhe të mirëpresë dashurinë e Zotit e të kapërcejë, me forcën e saj që bashkon dhe pajton, forcat që shpërbëjnë marrëdhëniet dhe shoqëritë". Hiri sakramental i martesës duhet të dëshmohet, nxit Papa, sepse jeta e krishterë është "përvoja e mrekullueshme e takimit me Jezusin", e jo "një sërë parimesh që duhen respektuar" ose "një fe moraliste, e rëndë, jo tërheqëse dhe, në disa mënyra, e paarritshme në konkretësinë e jetës së përditshme".

Dhembshuria, një çështje e njerëzimit

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, është tema e dhembshurisë: nga 8 maji deri më sot, Leoni XIV theksoi: "Përpara se të jetë çështje fetare, dhembshuria është çështje e njerëzimit!". E kujtoi: "Përpara se të jemi besimtarë, thirremi të jemi njerëz". Për këtë arsye, “dhembshuria shprehet përmes gjesteve konkrete”, duke qenë afër të tjerëve. Nëse doni të ndihmoni dikënd - tha Papa - “nuk mund të mendoni të mbani distancë, duhet të përfshiheni, të ndoteni, e ndoshta edhe të ndotni… sepse tjetri nuk është paketë që duhet dorëzuar, por dikush për të cilin duhet kujdesur”. Dhembshuria mësohet nga zemra e Jezusit, theksoi Leoni XIV,  e edhe me të ndërtohet paqja.

07 qershor 2025, 13:14