MAP

2025.06.06 Partecipanti ai Capitoli Generali: Società delle Missioni Africane, Terz'Ordine Regolare di San Francesco e Formatori dei Servi del Paraclito

Leoni XIV: falni, që të gjithë të mund të gjejnë mëshirë kudo

Duke pritur pjesëmarrësit në kapitujt e përgjithshëm të Shoqërisë së Misioneve Afrikane, të Urdhrit të Tretë të Shën Françeskut dhe formuesve të Shërbëtorëve të Paraklitit, Papa i quajti pendesën, misionin dhe mëshirën "përmasat e ndritshme" të Kishës. Ftoi, pastaj, për të përqafuar "marrëzinë e Kryqit", edhe mes keqkuptimeve e "talljes së botës". Citoi edhe Shën Augustinin dhe "ilaçin për të keqen": faljen

R.SH. - Vatikan

Angazhimi i kthesës, entuziazmi i misionit dhe ngrohtësia e mëshirës: këto janë tri përmasat "e ndritshme" të Kishës, të cilat Papa Leoni XIV i kujtoi në fjalën e tij sot, 6 qershor, në Sallën e Koncistorit, gjatë audiencës për pjesëmarrësit në kapitujt e përgjithshëm të Shoqërisë së Misioneve Afrikane, Urdhrit të Tretë Rregulltar të Shën Françeskut dhe edukatorëve të Shërbëtorëve të Paraklitit.

Papa Leoni XIV pret pjesëmarrësit e kapitujve të përgjithshëm të Shoqërisë së Misioneve Afrikane, Urdhrit të Tretë të Shën Françeskut dhe Formuesve të Shërbëtorëve të Paraklitit (@Vatican Media)
Papa Leoni XIV pret pjesëmarrësit e kapitujve të përgjithshëm të Shoqërisë së Misioneve Afrikane, Urdhrit të Tretë të Shën Françeskut dhe Formuesve të Shërbëtorëve të Paraklitit (@Vatican Media)   (@Vatican Media)

Bashkëpunoni në veprën e shëlbimit

Papa nënvizoi se ky takim zhvillohet në një "çast të rëndësishëm" për "mbarë Kishën" dhe siguroi se lutet për secilin Institut. Pastaj kujtoi fjalët e Dekretit mbi përtëritjen e jetës fetare “Perfectae Caritatis”, botuar nga Pali VI, me urimin që "duke pasur Zotin si qëllimin e tyre të vetëm dhe kryesor, të bashkojnë kundrimin, me të cilin i kushtohen Zotit me mendje dhe zemër, dhe zellin apostolik, me të cilin përpiqen të bashkëpunojnë në veprën e shëlbimit".

Uniteti, në karizma të ndryshme

Pavarësisht nga larmia e karizmave, konteksteve të zanafillës dhe misioneve të veçanta, këto realitete - vërejti Papa - paraqiten "të bashkuara dhe plotësuese në bukurinë harmonike të Korpit Mistik të Krishtit".

Papa Leoni XIV pret pjesëmarrësit në kapitujt e përgjithshëm të Shoqërisë së Misioneve Afrikane, Urdhrit të Tretë të Shën Françeskut dhe formuesit e Shërbëtorëve të Paraklitit (@Vatican Media)
Papa Leoni XIV pret pjesëmarrësit në kapitujt e përgjithshëm të Shoqërisë së Misioneve Afrikane, Urdhrit të Tretë të Shën Françeskut dhe formuesit e Shërbëtorëve të Paraklitit (@Vatican Media)   (@Vatican Media)

Jeta komunitare, formimi dhe thirrjet

Leoni XIV u ndalua tek çdo Institut, duke filluar nga Rregullorja e të Tretit Urdhër të Shën Françeskut, frymëzuar nga Shenjti i Asizit dhe  themeluar nga Papa Nikolla V. Temat e kapitullit të përgjithshëm të 113-të - nga jeta komunitare - në formim, duke kaluar nëpër thirrje - i flasin "të gjithë familjes së madhe të Zotit". Tema që, saktësoi Papa, duhet të trajtohen në dritën e "karizmës pendestare" të Urdhrit. Vetëm përmes një shtegtimi të vazhdueshëm pendese – kujtoi, duke cituar Shën Françeskun - është e mundur t'u ofrojmë vëllezërve "fjalët me aromën e këndshme të Zotit tonë Jezu Krisht".

Të rroket "marrëzia e Kryqit"

Shoqëria e Misioneve Afrikane, e themeluar më 8 dhjetor 1856 nga Ipeshkvi i nderuar Melchior de Marion Brésillac, për Leonin XIV është "shenjë konkrete e asaj fryme misionare që rreh në zemër të jetës së Kishës", sipas Papës Françesku në nxitjen apostolike Evangelii gaudium. Besnikëria ndaj karizmës origjinale e lejoi Institutin të kapërcejë "një mijë vështirësi të brendshme dhe të jashtme" dhe të drejtohet nga "horizonte të reja apostolike", jo vetëm në Afrikë, por në mbarë botën.

Është e bukur, në këtë drejtim, nxitja që ju la themeluesi për të qenë besnikë në kumtim, në thjeshtësinë e predikimit apostolik e, në të njëjtën kohë, gjithmonë të gatshëm të përqafoni "marrëzinë e Kryqit": të thjeshtë dhe të qetë, edhe përballë keqkuptimeve e talljeve të botës. Të lirë nga çdo kushtëzim, sepse “përplot” me Krishtin dhe të aftë për t’i çuar vëllezërit ta takojnë Atë, sepse janë të frymëzuar nga një dëshirë e vetme: t’ia shpallin Ungjillin e Tij të gjithë botës. Çfarë shenje e madhe për të gjithë Kishën dhe për të gjithë botën!

Papa Leoni XIV pret pjesëmarrësit në kapitujt e përgjithshëm të Shoqërisë së Misioneve Afrikane, Urdhrit të Tretë të Shën Françeskut dhe formuesve  të Shërbëtorëve të Paraklitit (@Vatican Media)
Papa Leoni XIV pret pjesëmarrësit në kapitujt e përgjithshëm të Shoqërisë së Misioneve Afrikane, Urdhrit të Tretë të Shën Françeskut dhe formuesve të Shërbëtorëve të Paraklitit (@Vatican Media)   (@Vatican Media)

Të gjithë nevojtarë për shërim

Papa në përfundim u përqendrua tek Shërbëtorët e Paraklitit, instituti më i ri, i themeluar në vitin 1942 nga Atë Gerald Fitzgerald.  I kujtoi si...

...shërbëtorë të atij Shpirti që banon në ne nëpërmjet dhuratës së Pagëzimit dhe që shëron “quod est saucium” - domethënë, atë që është plagosur – siç do të këndojmë pas disa ditësh në Sekuencën e Rrëshajëve.

I frymëzuar nga motoja Pro Christo sacerdote, Instituti i kushtohet kujdesit për meshtarët në vështirësi, duke ofruar një “shërbesë afërsie të përulur, të durueshme, delikate dhe të heshtur”. Anëtarët e tij, të pranishëm në vise të ndryshme të botës, ofrojnë kurse terapeutike që kombinojnë “një jetë të thjeshtë dhe intensive shpirtërore, personale dhe komunitare” me “ndihmën profesionale shumë të kualifikuar, të diferencuar sipas nevojave”.

Edhe prania juaj na kujton diçka të rëndësishme: nëse të gjithë ne, ndonëse të thirrur për të qenë shërbëtorë të Krishtit, mjekut të shpirtrave, për vëllezërit dhe motrat tona, jemi, para së gjithash njerëz të sëmurë, që kanë nevojë për shërim.

  (@Vatican Media)

Falja si ilaç për të keqen

Papa më pas citoi Shën Augustinin, themeluesin e urdhrit të tij, i cili - me metaforën e një varke - përshkroi “çarjet” e brishtësisë përmes të cilave “nga valët e këtij shekulli” hyn mëkati. Ilaçi? Falja. “Të falim, pra”,  bën thirrje Leoni XIV, duke cituar Misericordiae Vultus, bulën e shpalljes së Jubileut të Jashtëzakonshëm të Mëshirës, ​​“në mënyrë që kudo, në famullitë tona, në bashkësi, në shoqata dhe lëvizje, shkurt, kudo që ka të krishterë, kushdo të mund të gjejë një oazë mëshire”.

Mjetet e Shpirtit

Papa e përfundoi fjalimin me Bekimin Apostolik dhe me shpresën që, në nëntshen e vazhdueshme të Rrëshajëve, çdo njeri që beson të mund të bëhet “gjithnjë e më shumë” mjet i bindur “i Shpirtit Shenjt sipas planeve të Zotit”.

06 qershor 2025, 12:15