"León de Perú", dokumentar nga mediat e Vatikanit mbi vitet e misionit të Prevost
R.SH. - Vatikan
Misionar, famullitar, profesor, edukator, ipeshkëv, mik. Është shtegtimi në Peru, në gjurmët e Robert Francis Prevost, tani Papa Leoni XIV, që mediat e Vatikanit e paraqesin në León de Perú, përmes një dokumentari, që rindërton vitet e kaluara në vendin e Amerikës Latine.
E realizuar nga gazetarët Salvatore Cernuzio, Felipe Herrera-Espaliat dhe Jaime Vizcaíno Haro, vepra përshkon Chulucanasin, Trujillon, Limën, Callaon, Chiclayon, duke prekur qytete, fshatra, rrethe, periferi, famulli, shkolla, shtëpi fetare të vogla e të mëdha. Në këto vende, Ati i atëhershëm dhe Ipeshkvi i mëvonshëm Prevost festoi, predikoi, dha mësim, formoi rregulltarë, takoi të rinj, festoi ditëlindje, praktikoi bamirësi të gjalla në mes të tragjedive, si përmbytjet e El Niño dhe pandemia e koronavirusit.
Një vepër baritore dhe sociale, për të cilën tregojnë një mori historish njerëz që bashkëpunuan me Papën e ardhshëm dhe që kërkuan një vesh, i cili t’i dëgjonte; një mbështetje e një dorë, që t’i ndihmonte. Dëshmitë e ipeshkvijve, si të pastorëve aktualë të Callao dhe Chulucanas, të vëllezërve augustinianë a të meshtarëve famullitarë, si Don Cristophe Ntaganzwa i ri, në lagjen shumë të varfër të Pachacútec, të goditur dhunshëm nga Covid-19. Në këtë territor, administratori i atëhershëm apostolik i ndihmoi njerëzit pa punë dhe të uritur, duke u dërguar ushqime dhe ilaçe. E edhe ndërhyrje në kohën e duhur, si ajo që ipeshkvi i Chiclayo-s, Imzot Prevost ia ofroi popullsisë, së cilës përmbytjet ia kishin rrëmbyer gjithçka, duke u hedhur me guxim - siç rrëfen Rocío, ndërmjet të mbijetuarve - në rrugët e përmbytura.
E akoma, ende në Chiclayo, dëshmia e Janina Sesa-s, ish-drejtoreshë e Caritas, mbi fushatën e sigurimit të oksigjenit atyre që kishin urgjencë, ose e Bertës, kuzhinieres në një nga komedoret, apo kuzhinat e supës, ngritur në Trujillo nga "el padre Roberto" për të ushqyer familjet në periferi. Pastaj, histori më intime: për shembull, ajo e Sylvia-s, e shpëtuar nga murgeshat nga bota e prostitucionit, që me guximin e saj e frymëzoi Prevostin të krijojë një Komision kundër trafikimit njerëzor, ose ajo e Hector dhe vajzës së tij Mildred, kumbari i pagëzimit të së cilës është Papa aktual.
Secili prej këtyre dëshmitarëve tregon se si e përjetoi mbrëmjen e Habemus Papam më 8 maj dhe i dërgon Papës urimin personal.
León de Perú do të shfaqet së shpejti në kanalet zyrtare të medias së Vatikanit.