Leoni XIV: frytshmëria e Kishës varet nga Kryqi, përndryshe është dukje
R.SH. - Vatikan
Një festë tjetër e madhe sot - kemi gëzimin dhe hirin e kremtimit të Jubileut të Selisë së Shenjtë, në përkujtimin liturgjik të Marisë, Nënës së Kishës. Rastësi e lumtur - kujtoi Papa - e edhe burim drite e frymëzimi të brendshëm në Shpirtin Shenjt, i cili dje, ditën e Rrëshajëve, u resh me begati mbi popullin e Perëndisë. E në këtë klimë shpirtërore - vijoi - sot gëzojmë një ditë të veçantë, së pari me meditimin që dëgjuam, e tani, këtu, në Sofrën e Fjalës e të Eukaristisë.
Me këtë përshkrim festiv e nisi sot homelinë e Meshës Papa, për të kujtuar më pas se Fjala e Zotit në këtë kremtim na ndihmon të kuptojmë misterin e Kishës, e në të, të Selisë së Shenjtë, në dritën e dy ikonave biblike të shkruara nga Shpirti Shenjt në faqen e Veprave të Apostujve (1:12-14) dhe në Ungjillin e Gjonit (19:25-34).
Tregimi i vdekjes së Jezusit
Në vijim Papa u ndalua tek historia e vdekjes së Jezusit. Gjoni - kujtoi - i vetmi nga të Dymbëdhjetët e pranishëm në Kalvar, pa e dëshmoi se nën kryq, së bashku me gratë e tjera, ishte nëna e Jezusit (v. 25). E i dëgjoi me veshët e tij fjalët e fundit të Mësuesit, ndër të cilat: "Grua, ja yt bir", e pastaj, drejtuar atij: "Ja nëna jote!"(v. 26-27):
“Amësia e Marisë, përmes misterit të Kryqit, bëri një kërcim të paimagjinueshëm: nëna e Jezusit u bë Eva e re, sepse Biri e shoqëroi atë me vdekjen e tij shëlbuese, gurrë e jetës së re e të amshuar për çdo njeri që vjen në këtë botë. Tema e fekonditetit është shumë e pranishme në këtë liturgji. Lutja ‘përmbledhëse’ e nxori menjëherë në pah, duke na bërë t'i kërkojmë Atit që Kisha, e mbështetur nga dashuria e Krishtit, ‘të jetë gjithnjë e më frytshme në Shpirt’".
Fekonditeti i Kishës, i njëjtë me atë të Marisë
Fekonditeti i Marisë - vijoi Papa - realizohet në jetën e anëtarëve të saj në masën që ata rijetojnë, "vogëlsisht”, atë që e jetoi Nëna, domethënë, duan sipas dashurisë së Jezusit.
I gjithë fekonditeti i Kishës dhe i Selisë së Shenjtë varet nga Kryqi i Krishtit. Përndryshe, është thjesht dukje, nëse jo më keq.
Në vijim Papa citoi një teolog të madh bashkëkohor, që shkroi: “Nëse Kisha është pema që u rrit nga fara e vogël e sinapit të kryqit, kjo pemë, nga ana e saj, është e destinuar të prodhojë fara sinapi; për këtë arsye, fruta që përsërisin formën e kryqit, sepse pikërisht falë kryqit jetojnë” (H.U. von Balthasar, Cordula ovverosia il caso serio, Brescia 1969, 45-46).
Përkimi i Marisë me Krishtin
Frytshmëria e Marisë dhe e Kishës - vijoi Papa - lidhet në mënyrë të pandashme me shenjtërinë e saj, domethënë me përkimin e saj me Krishtin. E më pas, shpjegoi:
Selia e Shenjtë është e shenjtë, ashtu siç është Kisha, në thelbin e saj origjinal, në fibrën e së cilës është endur. Kështu, Selia Apostolike ruan shenjtërinë e rrënjëve të saj, ndërsa ruhet prej tyre. Por nuk është më pak e vërtetë se ajo jeton edhe në shenjtërinë e secilit prej anëtarëve të saj. Prandaj, mënyra më e mirë për t'i shërbyer Selisë së Shenjtë është përpjekja për të qenë të shenjtë, secili prej nesh sipas mënyrës së jetesës dhe detyrës që i besohet”.
Në vijim Papa mori si shembull një prift, që personalisht mbart një kryq të rëndë për shkak të shërbesës së tij, por megjithatë shkon në zyrë çdo ditë dhe përpiqet ta bëjë punën e tij sa më mirë që mundet me dashuri dhe besim - ky prift merr pjesë dhe kontribuon në frytshmërinë e Kishës. E kështu edhe ati a nëna e një familjeje, që në shtëpi jetojnë një situatë të vështirë, me një fëmijë që shkakton shqetësime, ose një prind të sëmurë, e që e kryejnë punën me përkushtim, ai burrë dhe ajo grua janë të frytshëm me frytshmërinë e Marisë dhe të Kishës.
Ikona e Shën Lukës
Papa e vijoi homelinë duke u ndaluar tek ikona e dytë, ajo e shkruar nga Shën Luka në fillim të Veprave të Apostujve, e cila përshkruan nënën e Jezusit së bashku me Apostujt dhe dishepujt në Dhomën e sipërme (1:12-14). Na tregon amësinë e Marisë për Kishën e sapolindur, amësi "arketipike", e cila mbetet aktuale në çdo kohë e në çdo vend. E, mbi të gjitha, është gjithmonë fryt i Misterit të Pashkëve, i dhuratës së Zotit të kryqëzuar dhe të ringjallur.
Fryti i Kishës lidhet me hirin që rrjedh nga Zemra e Krishtit
Shpirti i Shenjtë, që zbret me fuqi mbi bashkësinë e parë – vijoi homelinë Papa - është i njëjti që Jezusi e çliroi me frymën e tij të fundit (shih Gjn 19:30). Kjo ikonë biblike është e pandashme nga e para: frytshmëria e Kishës është gjithmonë e lidhur me Hirin që rrjedh nga Zemra e shporuar e Jezusit së bashku me gjakun dhe ujin, simbol i Sakramenteve (shih Gjoni 19:34).
Maria dhe Apostujt
Maria, në Çenakull, falë misionit amëtar që mori rrëzë kryqit, është në shërbim të bashkësisë që po lind: është kujtesa e gjallë e Jezusit, dhe si e tillë është, si të thuash, poli i tërheqjes që harmonizon ndryshimet dhe siguron që lutja e dishepujve të jetë në harmoni.
Edhe Apostujt, në këtë tekst, renditen me emër e, si gjithmonë, i pari është Pjetri (shih v. 13). Por ai vetë, madje i pari, mbështetet nga Maria në shërbesën e tij. Në mënyrë të ngjashme, Kisha Nënë mbështet shërbesën e pasardhësve të Pjetrit me karizmën Mariane. Selia e Shenjtë e jeton në një mënyrë shumë të veçantë bashkëjetesën e dy poleve, Mariane dhe Petrine. E është Maria që siguron frytshmërinë dhe shenjtërinë Petrine me amësinë e saj, dhuratë e Krishtit dhe e Shpirtit.
Ta lavdërojmë Zotin për Fjalën e tij
Të dashur - vjoi Papa - ta lavdërojmë Zotin për Fjalën e tij, llambë që ndriçon hapat tanë, madje edhe jetën tonë të përditshme në shërbim të Selisë së Shenjtë. E të ndriçuar nga kjo Fjalë, ta përtërijmë lutjen tonë.
Në këtë ditë të madhe të përkujtimit liturgjik të Marisë, Nënës së Kishës, Leonit XIV e përfundoi homelinë me lutjen drejtuar Atit:
“Bëj, o Atë, që Kisha jote, e mbështetur nga dashuria e Krishtit, të jetë gjithnjë e më e frytshme në Shpirt, të gëzohet në shenjtërinë e bijve dhe të mbledhë në gjirin e saj të gjithë familjen njerëzore” (Lutja Përmbledhës