MAP

Kremtimi i Corpus Domini me Papën Françesku më 2024 Kremtimi i Corpus Domini me Papën Françesku më 2024

Corpus Domini: Papa do të kremtojë meshën në Shën Gjonin në Lateran

Më 22 qershor, Papa Leoni XIV do të kryesojë liturgjinë në tremen e Bazilikës së Lateranit. Më pas, procesioni drejt Shën Marisë së Madhe, ku prehet Papa Françesku

R.SH. - Vatikan

Në solemnitetin e Korpit dhe të Gjakut të Krishtit, të dielën, më 22 qershor, në orën 17.00, Papa Leoni XIV do të kremtojë meshën në sheshin para Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, në Romë. Njoftimin e jep Zyra e Vatikanit për Kremtimet Liturgjike.

Mesha do të pasohet nga procesioni eukaristik përgjatë rrugës Merulana deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku prehet Papa Françesku.

Të dielën, siç pati vendosur Papa Françesku

Solemniteti i Corpus Domini, me procesionin e prirë nga Hostja e shuguruar, është një nga festat më të ndjekura në kryeqytetin italian dhe një nga çastet më intensive të lutjes për gjithë besimtarët, kudo në botë. Ky kremtim, që na kujton praninë e vërtetë të Jezusit në Eukaristi, bie të enjten, më 19 qershor, por Kisha e zhvendos të dielën, si zakonisht, për t’u dhënë mundësi sa më shumë besimtarëve të marrin pjesë. Edhe Papa Leoni XIV vijon këtë traditë, filluar nga Papa Françesku në vitin 2017. Për t’u vënë në dukje se Ati i Shenjtë Bergoglio e kremtoi meshën dhe procesionin e Korpit e Gjakut të Krishtit në zona të ndryshme të Romës e në Shën Pjetër, ndërsa në vitin 2024, u kthye në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, ku tani do ta kremtojë këtë festë edhe Papa Leoni XIV, ditën e diel e jo të enjten, siç pati vendosur Papa shenjt Gjon Pali II, në fillim të papnisë së tij.

Gjithsesi, kjo festë kremtohet të enjten në ato vende ku solemniteti është edhe festë civile: në kantonet katolike të Zvicrës, në Spanjë, në Gjermani, Irlandë, Kroaci, Poloni, Portugali, Brazil, Austri dhe San Marino.

Pak histori

Solemniteti i Korpit dhe i Gjakut të Krishtit u themelua më 8 shtator 1264 nga Papa Urbani IV me Bulën “Transiturus de hoc mundo”, pas mrekullisë së Bolsenës, që ndodhi në vitin 1263. Kronikat e kohës tregojnë se, gjatë kremtimit të meshës, një meshtar, i torturuar nga dyshimet për praninë e vërtetë të Krishtit në Eukaristi, pa të rridhnin pika gjaku nga hostja, që mbante në duar. Ndërkaq, tradita e procesioneve për këtë festë u fillua nga Papa Gjoni XXII në vitin 1316.

Corpus Domini është një nga festat kryesore të vitit liturgjik, e lidhur me Rrëshajët. Kremtohet të enjten e javës së dytë pas Rrëshajëve, ose të enjten pas solemnitetit të Trinisë Shenjte.

11 qershor 2025, 10:43