MAP

Shkatërrimet e luftës në Ukrainë Shkatërrimet e luftës në Ukrainë

Bisedë telefonike e Papës Leoni XIV me presidentin rus Vladimir Putin

Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë konfirmoi telefonatën e pasdites së djeshme. Papa i bëri thirrje Rusisë të bëjë një gjest, që favorizon paqen dhe theksoi rëndësinë e dialogut ndërmjet palëve për të kërkuar zgjidhje për konfliktin

R.SH. – Vatikan

         Pasditen e djeshme (4 qershor), “Papa Leoni XIV pati një bisedë telefonike me presidentin Putin”. Ky ishte konfirmimi, që dha në mbrëmje drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni. “Gjatë telefonatës, përveç çështjeve me interes të ndërsjellë”, raportoi Bruni, “vëmendje e veçantë iu kushtua gjendjes në Ukrainë dhe paqes. Papa i bëri thirrje Rusisë të bëjë një gjest, që favorizon paqen, nënvizoi rëndësinë e dialogut për realizimin e kontakteve pozitive ndërmjet palëve dhe për kërkimin e zgjidhjeve për konfliktin”. Të dy liderët folën edhe “mbi gjendjen humanitare, mbi nevojën për të favorizuar ndihmat aty ku është e nevojshme, mbi përpjekjet e vazhdueshme për shkëmbimin e të burgosurve dhe mbi vlerën e punës, që po kryen kardinali Zuppi në këtë drejtim”.

         “Papa Leoni - përfundoi Bruni - iu referua Patrikut Kirill, duke e falënderuar për urimet e marra në fillim të papnisë së tij dhe duke nënvizuar se vlerat e përbashkëta të krishtera mund të jenë dritë, që ndihmon në kërkimin e paqes, në mbrojtjen e jetës dhe në kërkimin e lirisë së vërtetë fetare”.

Kujtojmë se Ati i Shenjtë i telefonoi edhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky disa ditë pas zgjedhjes së tij dhe e takoi me rastin e meshës për fillimin e papnisë, më 18 maj. Leoni XIV  ka bërë gjatë gjithë kësaj periudhe thirrje të ndryshme për paqen në Ukrainë.

05 qershor 2025, 09:07