MAP

Roli i Shën Pjetrit apostull, katekeza e Françeskut në një intervistë të pabotuar

Një regjistrim i vitit 2021, i cili do të përfshihej në një dokumentar, do të transmetohet nga kanali televiziv ESNE "El Sembrador, Nueva Evangelización". Duke medituar mbi fragmentet biblike të dialogut ndërmjet Jezusit dhe dishepullit të tij, Papa shpreh edhe një herë dëshirën që Kisha të jetë shërbëtore e përvuajtur në botë

R.SH. – Vatikan

Besimi i plotë në Zotin, vetëdija e të qenit i brishtë dhe mëkatar, thirrja e re drejtuar meshtarëve për t’u vënë në shërbim të të gjithëve, admirimi i tij për martirët bashkëkohorë dhe shqetësimi  për migrantët janë disa nga temat, që Papa Françesku trajtoi në vitin 2021, në dialog me gazetarin Noel Díaz, në Shtëpinë e Shën Martës. Díaz është themeluesi i shoqatës së besimtarëve “El Sembrador, Nueva Evangelización”, e cila shpall Fjalën e Hyjit përmes televizionit dhe radios.

Thirrja e Jezusit drejtuar Simon Pjetrit dhe kuptimi i shërbimit baritor

Takimi ndërmjet Jezusit dhe Simon Pjetrit është themelor për të kuptuar misionin e Kishës, nënvizon Papa, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit. Jezusi e thërret Simonin nga mesi i popullit dhe ai nuk ndahet e nuk izolohet kurrë. Ky gjest sinjalizon se bariu duhet të qëndrojë ndërmjet deleve, afër njerëzve dhe të mos lartohet në ndonjë pozitë elitare. Pjetri nuk zgjidhet për ndonjë post a pushtet politik, por për të qenë shërbëtor i përvuajtur. Jezusi, shpjegon më tej Ati i Shenjtë, e konfirmon autoritetin e tij me mrekullitë, që kryen para njerëzve, duke e përforcuar besimin e tyre tek ai. Kur Pjetri e kupton brishtësinë e tij dhe ndihet mëkatar, gjunjëzohet para Jezusit me përvujtëri, gjest ky me rëndësi vendimtare. Jezusi e shuguron atë ipeshkëv jo për pushtet, por si bari, për të udhëhequr grigjën, pa u ndarë nga varfëria e origjinës së tij dhe nga shërbimi. Pjetri lë gjithçka për të ndjekur thirrjen, një shembull që Papa Françesku e kujton si model për të gjithë meshtarët.

Deklarata e fesë së Pjetrit dhe prova e udhës së krishterë

Jezusi i pyet dishepujt se kush thonë njerëzit se është ai, por pastaj u bën pyetjen më të rëndësishme: «Po ju, kush thoni se jam unë?» Pjetri përgjigjet duke e njohur Jezusin si atë, që bart zbulesën e Atit, duke e quajtur Mesi dhe Bir të Hyjit. Ky hap, komenton më tej Papa Françesku në intervistë, shënon impenjimin e tij të plotë dhe nxjerr në pah natyrën jo-shkencore, por shpirtërore të asaj sigurie. Kisha është themeluar mbi këtë besojmë, mbi një gur të patundur, pikërisht sepse mbështetet nga fjala e Jezusit. Jezusi u njofton dishepujve dhe veçanërisht Pjetrit, kryqëzimin dhe ringjalljen e tij të afërt. Pjetri, i zënë në befasi nga kjo perspektivë e ashpër, përpiqet ta shkurajojë Jezusin që të mos ndjekë këtë rrugë. Por Jezusi e qorton ashpër, sepse rruga e Mesisë dhe e ndjekësve të tij kalon nëpërmjet kryqit, nëpërmjet përkushtimit dhe flijimit të jetuar me besim në Zotin. Edhe kreu i Kishës, vëren Papa Françesku, mund të bëjë gabime, por ai është i thirrur ta mbajë gjallë fenë, duke larguar gjithçka pengon ndjekjen e planit të shëlbimit.

Forcat armiqësore kundër fesë dhe dëshmia e martirëve bashkëkohorë

Papa Françesku thekson se forcat e së keqes përpiqen ta rrëzojnë Kishën, sidomos kur ajo u hap udhën pushteteve të tjera, si paratë, ose ndikimi i kësaj bote. Këto elemente nuk i rezistojnë forcës së Fjalës së Hyjit zbuluar nga Ati. Vetë Jezu Krishti vuajti fyerjet dhe kryqëzimin si mësues dhe udhëheqës, prandaj, dishepujt e tij duhet të presin përndjekje të ngjashme. Ati i Shenjtë kujton martirët e shumtë të krishterë në botën e sotme, njerëz, që japin jetën, ose vuajnë burgosjen, vetëm për shkak të fesë. Është Kishë dëshmitare, e cila nuk matet me pasuri, por me koherencë dhe sakrificë. Martirizim do të thotë dëshmi: kushdo e zbaton fenë në jetën e përditshme, me përkushtim dhe sakrificë, është martir, thekson Papa në intervistë. Edhe ata që, duke hequr dorë nga diçka, përpiqen të edukojnë fëmijët, ose të jetojnë sipas Ungjillit, e mbështesin bashkësinë e krishterë.

Konfirmimi i misionit dhe bekimi për migrantët e besimtarët

Në kreun 21 të Ungjillit sipas Gjonit, ftesa drejtuar Shën Pjetrit përsëritet tri herë: “Duaje Zotin dhe përforcoi vëllezërit”. Është thirrje e fuqishme, që saktëson qartë misionin e udhëheqjes dhe të kujdesit për Kishën. Pjetri paralajmërohet se rruga nuk do të jetë e lehtë dhe se ai do të ndjekë të njëjtin kryq, si Jezu Krishti. Papa vë në dukje edhe dobësitë e Shën Pjetrit, madje edhe thashethemet e tij, si njeri i zakonshëm, i cili, gjithsesi, e merr forcën nga Shpirti Shenjt për të plotësuar thirrjen. Në përfundim të intervistës me Noel Díaz, Papa Françesku kujton realitetin e migrantëve, shpesh larg atdheut dhe të pritur nga lloj-lloj njerëzish. Këtyre burrave dhe grave në sprovë, u lë një bekim të veçantë, së bashku me bekimin e gjithë besimtarëve, që shohin e dëgjojnë intervistën. Papa e quan veten shërbëtor dhe përcakton lutjen si mbështetje të ndërsjellë për të qëndruar të vendosur dhe besnikë në fenë e Krishtit.

02 maj 2025, 17:43