Leoni XIV: t? jemi t? m?shirsh?m, Zoti zbulohet sidomos n? njeriun q? vuan!
R.SH. / Vatikan
“Çdo motër dhe çdo vëlla është banesa e Zotit” dhe prania e Tij “zbulohet veçanërisht tek të vegjlit, tek të varfrit dhe tek ata që vuajnë, duke na kërkuar të jemi të krishterë të vëmendshëm dhe të dhembshur”. Duke komentuar Ungjillin e kësaj të diele të 6-të të kohës së Pashkëve (shih Gjn 14:23-29), Papa Leoni XIV na kujton se nuk duhet të mbështetemi te forca jonë, por te mëshira e Zotit që na zgjodhi, edhe nëse jemi të brishtë. Zoti nuk turpërohet për natyrën tonë njerëzore, madje, vjen të banojë brenda nesh dhe na bën mjet të dashurisë së tij për të tjerët, për shoqërinë, për botën.
Papa Leoni XIV e filloi si zakonisht, lutjen mariane të Mbretreshës Qiellore duke i uruar turmës që mbushte përplot Sheshin e Shën Pjetrit edhe në këtë të diel, i pushtuar nga dy emocione të forta: lutje për shpirtin e Papës Françesku dhe brohoritje për dukjen e Papës Prevost në atë dritare, që mbart kujtime të jashtëzakonshme papnore.
Të dashur vëllezër dhe motra, të diel të gëzuar – ishte urimi i zakonshëm i të dielave që ushtoi në Shesh – i pasuar nga breshëria e duertrokitjeve të turmës, që u pasua nga zëri i Papës Leoni.
Të mbështetemi tek mëshira e Zotit
Disa ditë më parë - kujtoi Papa Prevost - fillova shërbesën time ndërmjet jush e, para së gjithash, dua t'ju falënderoj për dashurinë që më tregoni, ndërsa ju kërkoj të më mbështesni me lutjet dhe afërsinë tuaj:
“Në gjithçka që Zoti na thërret, si në rrugën e jetës, ashtu edhe në rrugën e fesë, ndonjëherë ndihemi të pamjaftueshëm. Megjithatë, Ungjilli i kësaj të diele (shih Gjn 14:23-29) na thotë se nuk duhet të mbështetemi te forca jonë, por te mëshira e Zotit që na zgjodhi, të sigurt se Shpirti Shenjt na prin e na mëson gjithçka”.
Jezusi i çliron dishepujt nga çdo ankth
Apostujve që, në prag të vdekjes së Mësuesit Jezus, janë të shqetësuar dhe të pikëlluar dhe pyesin veten se si do të jenë në gjendje të vazhdojnë dhe të dëshmojnë Mbretërinë e Hyjit, Jezusi - kujtoi Papa Prevost - ua shpall dhuratën e Shpirtit Shenjt, me këtë premtim të mrekullueshëm:
"Nëse dikush më do, do ta mbajë fjalën time, dhe Ati im do ta dojë, dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tonë me të" (vargu 23).
Kështu, Jezusi i çliron dishepujt nga çdo ankth dhe shqetësim dhe mund t’u thotë atyre:
“Mos të shqetësohen zemrat tuaja dhe mos ketë frikë” (v. 27). Nëse mbetemi në dashurinë e Tij, Ai vetë banon në ne, jeta jonë bëhet tempull i Zotit dhe kjo dashuri na ndriçon, i bën vend vetes në mënyrën tonë të të menduarit dhe në zgjedhjet tona, derisa të shtrihet edhe drejt të tjerëve e të rrezatojë të gjitha situatat e jetës sonë”.
Zoti më shoqëron me praninë dhe afërsinë e Tij
Ja, pra, vëllezër e motra - vijoi Papa Leoni XIV shpjegimin e porosive të leximebe biblike të kësaj së diele të 6-të të Pashkëve - ky banim i Zotit në ne është pikërisht dhurata e Shpirtit Shenjt, që na merr për dore dhe na bën ta jetojmë, edhe në jetën e përditshme, praninë e afërsinë e Zotit, duke na bërë shtëpinë e vet.
Zoti më shoqëron me Shpirtin e Tij
Është bukur që, duke dëgjuar thirrjen tonë, duke parë realitetet dhe njerëzit që na besohen, angazhimet që kryejmë, shërbimin tonë në Kishë, secili prej nesh mund të thotë me besim:
“…edhe nëse jam i brishtë, Zoti nuk turpërohet për natyrën time njerëzore, madje, vjen të banojë brenda meje. Ai më shoqëron me Shpirtin e tij, më ndriçon dhe më bën mjet të dashurisë së tij për të tjerët, për shoqërinë, për botën”.
Të dashur - e ftoi turmën që e ndiqte Papa Leoni XIV - mbi bazën e këtij premtimi, le të ecim në gëzimin e fesë, për të qenë tempull shenjt i Zotit. Të angazhohemi për ta çuar dashurinë e tij kudo, duke kujtuar se çdo motër dhe çdo vëlla është banesa e Zotit dhe se prania e tij zbulohet veçanërisht tek të vegjlit, tek të varfrit dhe tek ata që vuajnë, duke na kërkuar të jemi të krishterë të vëmendshëm dhe të dhembshur.
“T’ia besojmë të gjithë veten ndërmjetësimit të Marisë së Shenjtnueshme. Përmes veprës së Shpirtit Shenjt Ajo u bë “banesa e shenjtëruar e Zotit”. Me të, edhe ne mund ta provojmë gëzimin e mirëseardhjes së Zotit e mund të bëhemi shenjë dhe mjet i dashurisë së Tij”.