ÐÓMAPµ¼º½

Papa Leoni XIV me ambasadorët afrikanë, bashkëpunëtorët dhe anëtarët e familjes pas Meshës së Shtegtimit Jubilar për paqen në Afrikë. Papa Leoni XIV me ambasadorët afrikanë, bashkëpunëtorët dhe anëtarët e familjes pas Meshës së Shtegtimit Jubilar për paqen në Afrikë.

Papa shtegtarëve jubilar për Afrikën: jini shenja shprese në botë

Dje pasdite, më 26 maj, krejt papritur, Leoni XIV përshëndeti në Bazilikën e Vatikanit pjesëmarrësit e Shtegtimit Jubilar për paqen në Afrikë, organizuar nga ambasadorët afrikanë të akredituar pranë Selisë së Shenjtë dhe Italisë. Në fund të Meshës, Papa kujtoi "dëshminë e madhe që kontinenti afrikan i ofron gjithë botës". 

R.SH. / Vatikan

Ky Vit i Shenjtë i fton të gjithë të pagëzuarit "të kërkojnë shpresën, por edhe të jenë shenja shprese" për njerëzimin. Dhe në këtë kuptim, "kontinenti afrikan i ofron gjithë botës" një "dëshmi të madhe". Me këto Papa Leoni XIV iu drejtua dje pasdite pjesëmarrësve të shtegtimit jubilar për paqen në Afrikë, ambasadorëve afrikanë të akredituar pranë Selisë së Shenjtë dhe Italisë, të cilët i takoi papritur në Bazilikën e Vatikanit, në fund të Meshës së kryesuar dje pasdite, pranë Altarit të Katedrës, nga kardinali Francis Arinze dhe bashkëkremtuar nga kardinali Peter Kodwo Appiah Turkson dhe kryeipeshkvi Fortunatus Nwachukwu, sekretar i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin. 

Të ecim së bashku, të bashkuar, në shërbim të të tjerëve

Duke folur pa shkrim në anglisht, Papa theksoi se "është besimi ynë që na jep forcë" dhe "na lejon të shohim dritën e Jezu Krishtit në jetën tonë dhe të kuptojmë sa e rëndësishme është të jetojmë besimin tonë, jo vetëm të dielave, jo vetëm gjatë një pelegrinazhi, por çdo ditë". Për të qenë "plot me shpresën që vetëm Jezu Krishti mund të na japë", për të vazhduar të ecim të gjithë së bashku "të bashkuar si vëllezër e motra për të lavdëruar Zotin tonë" dhe "për të njohur se gjithçka që kemi dhe gjithçka që jemi është një dhuratë nga Zoti dhe për t'i vënë këto dhurata në shërbim të të tjerëve".

Faleminderit që e jetoni fenë tuaj në Krishtin

Leoni XIV përshëndeti ambasadorët, bashkëpunëtorët e tyre dhe të gjithë anëtarët e familjes, duke i falënderuar që e jetojnë fenë e tyre në Jezu Krishtin. Shtegtimi jubilar ka si temë "Shpresa e Paqes në Afrikë" dhe u organizua me rastin e Ditës së 62-të Ndërkombëtare të Afrikës. Në këtë ngjarje morën pjesë rreth pesëqind persona.

27 maj 2025, 10:52