Leoni XIV në Shën Marinë e Madhe lutet te varri i Papës Françesku
R.SH. – Vatikan
Gjesti i parë ishte gjunjëzimi dhe vendosja e një trëndafili të bardhë – në kujtim të Shën Terezinës, për të cilën Papa Bergoglio kishte shumë devocion – në pllakën e mermertë ku është gdhendur emri Franciscus. Papa Leoni XIV, pas largimit nga Gjenacani, ku pasdite u lut në shenjtëroren e Nënës së Këshillit të Mirë, nuk u kthye në Vatikan, por shkoi në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe për t'i bërë homazhe paraardhësit të tij Françesku.
Mbërritja në Bazilikë
Në orën 19.05, pas mbylljes për vizitat, Papa mbërriti në sheshin jashtë Bazilikës Liberiane ku besimtarët ishin gati të zinin vendet për Rruzaren e mbrëmjes. U bllokuan hyrjet dhe kalimet e kjo ishte shenja e parë, që i vuri në alarm njerëzit, të cikët panë më pas makinën me Papën Leoni XVI. Shpërthyen duartrokitjet dhe brohoritjet. Besimtarët vrapuan brenda Bazilikës dhe përshëndetën Papën e qeshur, të qetë, me dorën e djathtë të ngritur lart për të përshëndetur këdo. Leoni XIV shkoi para fugures së Zojës Salus Populi Romani, ku u ndal për disa çaste në lutje dhe vendosi një buqetë me trëndafila në altar. Së bashku me të, kardinali Rolandas Makrickas, kryeprifti i baziliës dhe kardinali argjentinas Angel Sixto Rossi. Së fundi, Papa përshëndeti një grup murgeshash dhe disa gra e fëmijë.
Në lutje, para "Francisus"
Më pas, Papa Leoni XIV e ktheu vështrimin drejt varrit të Papës Françesku, ku një fashë drite ndriçon kryqin e Bariut të Mirë, që Jorge Mario Bergoglio mbajti në qafë për më se 12 vjet. Papa Prevost u gjunjëzua dhe vendosi një trëndafil të bardhë – shenjë e Shën Terezinës – mbi varr. Pastaj, në heshtje, u lut për disa minuta.
Dy Papë - njëri në gjunjë, tjetri shpirtërisht nga qielli - takoheshin në një hapësirë të vogël, të thjeshtë, krejtësisht të bardhë. Një fotografi, që bëri shumë përshtypje.
Leoni XIV shkoi pastaj në Kapelën Pauline dhe u ndal për pak kohë me njerëzit pas kordoneve. Pastaj, drejt sakristisë, me njerëzit, që e përshëndesnin, filmonin, bënin fotografi, të lumtur që kishin qëlluar aty, pikërisht kur ishte Papa. Më në fund, Ati i Shenjtë u nis për në Vatikan.