MAP

“Paqja qoftë me ju, Zoti i do të gjithë”, përshëndetja e Leonit XIV drejtuar Kishës dhe botës

Nga Lozha e Bekimeve të Bazilikës së Shën Pjetrit, dukja e parë e Atit të Shenjtë Robert Francis Prevost, deri tani prefekt i Dikasterit për Ipeshkvijtë, i zgjedhur nga kardinajtë në Konklav si Papa i 267-të i Kishës universale. Himne, këngë, lutje, duartrokitje, thirrje “Rroftë Papa” dhe kore ngazëllimi për shpalljen e Habemus Papam nga 100.000 të pranishmit në Sheshin e Vatikanit. Pastaj, mbërritja e Ipeshkvit të Romës, fjalët e para dhe bekimi Urbi et Orbi

R.SH. / Vatikan

Paqja qoftë me ju”, këto janë fjalët e para që Papa Leoni XIV ia drejtoi popullit të Zotit e të gjithë njerëzve nga Lozha e Bekimeve (ballkoni qendror) e Bazilikës së Shën Pjetrit.

Dhe paqja, dhuratë e Krishtit të Gjallë, ishte në fakt fjala e parë e shqiptuar nga Leoni XIV ndërsa doli para një turme të pafund njerëzish, më se 100 mijë, që kishin mbushur Sheshin e Shën Pjetrit dhe via della Conciliazione.

"Paqja qoftë me ju të gjithë. Të dashur vëllezër e motra, kjo është përshëndetja e parë e Krishtit të Ngjallur, Bariut të Mirë që dha jetën e tij për grigjën e Hyjit. Edhe unë do të doja që kjo përshëndetje paqeje të hyjë në zemrat tuaja, të arrijë në familjet tuaja, tek të gjithë njerëzit, kudo që janë, tek të gjithë popujt, në të gjithë tokën”.

“Paqja qoftë me ju! Kjo është paqja e Krishtit të Ngjallur", shtoi Papa i ri Leoni XIV. "Një paqe e çarmatosur dhe një paqe çarmatosëse, e përvuajtur dhe këmbëngulëse. Vjen nga Zoti. Zoti që na do të gjithëve, pa kushte".

Që me përshëndetjen e tij të parë, pra, Papa Prevost tregoi vazhdimësinë me trashëgiminë e Kishës, të dëshmuar, ndër të tjera, edhe në veshje: kësula dhe stola si në traditë e me një thirrje për paqen, që të kujton paraardhësit e tij. Përshëndetja e Leonit XIV nuk ishte e improvizuar, por një fjalim i shkruar (është hera e parë që ndodh kjo), programatik në një mënyrë krejtësisht origjinale, në të cilin Ati i Shenjtë preku temat, që mund të bëhen kryesore e të rëndësishme gjatë papnisë së tij.

Menjëherë pas urimit për paqe, mendimi për Papën Françesku. "Ende e kemi në vesh atë zë të dobët, por gjithmonë të guximshëm të Papës Françesku, që bekoi Romën. Papa që bekoi Romën, ia dha bekimin e tij botës, të gjithë botës, atë mëngjes Pashke". "Më lejoni - vazhdoi Papa i ri Prevost - të vazhdoj me të njëjtin bekim: Zoti na do, Zoti na do të gjithëve dhe e keqja nuk do të ngadhënjejë! Ne jemi të gjithë në duart e Zotit. Prandaj, pa frikë, të bashkuar dorë për dore me Zotin dhe me njëri-tjetrin, le të ecim përpara. Ne jemi dishepuj të Krishtit, Krishti na prin. Bota ka nevojë për dritën e Tij. Njerëzimi ka nevojë për Të si urë për të shkuar te Zoti dhe te dashuria e Tij.

Na ndihmoni edhe ju, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, për të ndërtuar ura me dialog, me takim, duke u bashkuar të gjithë për të qenë një popull i vetëm, gjithmonë në paqe. Faleminderit Papa Françesku!".

“Gjithashtu, dua të falënderoj të gjithë vëllezërit e mi kardinaj, që më kanë zgjedhur të jem Pasardhësi i Shën Pjetrit. Të ecim së bashku me ju si një Kishë e bashkuar, duke kërkuar gjithmonë paqen, drejtësinë, duke u përpjekur të punojmë si gra e burra besnikë ndaj Jezu Krishtit, pa frikë për të shpallur Ungjillin, për të qenë misionarë”.

08 maj 2025, 20:36