MAP

Kopertina e librit të Stefania Falasca-s "Francesco. La via maestra" Kopertina e librit të Stefania Falasca-s "Francesco. La via maestra"

Papa Françesku dhe kthimi tek gurrat e Koncilit II të Vatikanit

Në një libër nga Stefania Falasca, koordinatat e papnisë në kontekstin e Koncilit të II të Vatikanit. Françesku ishte i pari nga Ipeshkvijtë e Romës që e jetoi tërësisht jetën e tij meshtarake dhe ipeshkvnore në epokën konciliare.

R.SH. / Vatikan

Gjatë dymbëdhjetë vjetëve të papnisë së tij, si e ka vërejtur ndokush, Papa Françesku duket se ka folur më pak sesa paraardhësit e tij për Koncilin II Ekumenik të Vatikanit. E kjo nuk ndodhi për shkak të ndonjë forme harrese, por thjesht sepse Koncili i fundit ishte, në të njëjtën kohë, busulla e pazëvendësueshme për orientimin e, njëkohësisht, kanali natyror brenda të cilit mund të ishte shtrati ku mund të rridhte magjisteri i Pasardhësit të Pjetrit, ardhur "pothuajse nga fundi i botës". Nëse Papët e mëparshëm, nga Pali VI deri te Benedikti XVI, e jetuan nga afër punën e asamblesë së Koncilit të Dytë të Vatikanit dhe iu desh të qeverisin tranzicionin e vështirë në vitet e trazuara të protestave, duke u detyruar së pari të shpjegojnë dhe pastaj edhe të mbrojnë Koncilin II të Vatikanit, Papa Françesku ishte i pari nga Ipeshkvijtë e Romës që e jetoi tërësisht jetën e tij meshtarake dhe ipeshkvore në epokën konciliare.

Koordinatat themelore të mësimdhënies së tij dhe lidhja e tyre me burimet e Koncilit u rizbuluan nga Stefania Falasca - firmë autoritare e gazetës Avvenire dhe komentuese e vjetër, e cila e njohu Jorge Mario Bergoglion që nga koha kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajresit. Ajo bëri një udhëtim të qartë dhe të thellë në librin “Francesco. La via maestra”&Բ;(Edizioni San Paolo).

Një vëllim i çmuar për të kuptuar linjat kryesore të mësimdhënies së Françeskut në rrugën konciliare: kthimin te burimet e Ungjillit, frymën misionare të përtërirë, sinodalitetin si stil dhe formë përbërëse e Kishës dhe e bashkësisë së saj, shërbimin në varfëri, dialogun me bashkëkohësinë, kërkimin e unitetit me vëllezërit e krishterë, dialogun ndërfetar, kërkimin e paqes.

Puna e përpiktë e Falasca-s na ndihmon, para së gjithash, të kuptojmë, falë edhe një interviste që autorja bëri me Kryeipeshkvin e Buenos Ajresit në Aparecida, në vitin 2007, me rastin e Konferencës së Ipeshkvijve të Amerikës Latine, se cili ishte vizioni kishtar i Ipeshkvit të ardhshëm të Romës. Kardinali Bergoglio kontribuoi në hartimin e dokumentit përfundimtar, ku vërehet përpjekja baritore e përqendruar në një Kishë misionare, të varfër për të varfrit, të hapur ndaj mëshirës dhe të gatshme të dalë nga vetja, për t'u takuar me tjetrin. Të gjitha këto janë tema që do të ishin fija e përbashkët e papnisë.

Nga faqet e vëllimit, pra, del qartë se cila ishte busulla e Papës Françesku. “Nuk jam unë”, pohoi Papa në intervistën me Falascën për “Avvenire”, në nëntor 2016. “Kjo është rruga që vijoi që nga Koncili, e që vijon të thellohet. Unë ndoqa Kishën. Nuk nxitova. Ndërsa ecim përpara, udhëtimi duket se ecën më shpejt”.

Ndjekja e magjisterit konciliar dhe zbatimi i tij i plotë u jetuan nga Papa si udhë e natyrshme: "Unë ndjek Kishën". Këto janë fjalë, në thjeshtësinë e tyre, që zbulojnë pikëpamjen e tij për natyrën e Kishës dhe shërbesën e Pjetrit.

Përmes tetë “udhëve kryesore” të Koncilit të dytë kishtar të Vatikanit dhe po aq kapitujve të thelluar, Falasca i radhiti gjestet, fjalët dhe mësimet e Papës argjentinas në vazhdën e kushtetutave konciliare Lumen Gentium dhe Gaudium et Spes, duke u kthyer te Evangelii nuntiandi i Palit VI si dhe dokumenti i lartpërmendur Aparecida, bazë e këshillës së parë apostolike të Françeskut, Evangelii gaudium (2013).

Për Françeskun, shpjegon autorja e librit, ndjekja e Kishës në gjurmët e Traditës, e vazhduar që nga Koncili “nënkuptoi rimarrjen e tout court dhe çuarjen përpara të trashëgimisë së Vatikanit II”, i cili “ishte rilexim i Ungjillit në dritën e kulturës bashkëkohore”. Kjo do të thoshte "rizbulimi i natyrës përbërëse të Kishës, "ilaçi i mëshirës" dhe thirrja për një kthesë misionare të të gjithë popullit të Zotit në sinodalitet dhe në shërbim ndaj të varfërve". Do të thoshte edhe "të ndjekësh rrugën në të cilën Kisha është e thirrur të ecë: dialogun". Të ndjekësh një perspektivë kishtare dhe ekleziologjike, sepse kur themi dialog në Kishë, nënkuptojmë colloquium salutis, besnikërinë ndaj Krishtit në Ecclesiam suam, siç përshkruhet në enciklikën e Palit VI, e cila tregon "mënyrat që duhet të përmbushë sot Kisha në mandatin e saj".

Kjo do të thotë ta çosh përpara detyrën e ekumenizmit: «Që kur u shpall dekreti konciliar Unitatis redintegratio, më shumë se pesëdhjetë vjet më parë, dhe që kur u rizbulua vëllazëria e krishterë e bazuar në një pagëzim të vetëm e në të njëjtën fe në Krishtin, shtegtimi në udhën e kërkimit të unitetit vazhdoi me hapa të vegjël e të mëdhenj e dha edhe fryte. “Unë vazhdoj t’i ndjek këto hapa” - pohoi Françesku - E kjo nënkuptonte ta pranoje dhe ta vazhdoje perspektivën e Nostra aetate, “deklaratë mbi marrëdhëniet e Kishës me fetë jo të krishtera”, e edhe ta vazhdosh  vëllazërinë si dhe përparimin e vëllazërisë universale, të përshkruar nga Koncili. E gjithashtu, përparimin e dialogut me fetë e tjera, në shërbim të vëllazërisë universale për paqen në botë.

Së fundmi, për Papën e parë që mori emrin e Shenjtit të Asizit, Shenjtit të Paqes, kjo do të thoshte "të vepronte pa pushim në kërkim të paqes duke ndjekur modelin e Krishtit", shkruan Falasca, usque ad finem, deri në fund, deri në çastin e fundit.

“Kështu - pohon autorja e librit - i hapi përpara shtigjet e pashlyeshme, nëpër të cilat Kisha sot e përmbush mandatin e saj, shtigjet e një magjisteri që, në rrugën e Koncilit të Dytë të Vatikanit, lë gjurmët e Traditës në kohën tonë”.

02 maj 2025, 11:43