MAP

Papa dje në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran: nuk jemi vetëm në jetë

Leoni XIV hyri dje zyrtarisht në Katedralen Romake si Ipeshkëv i Romës. Papa i ftoi të gjithë ta jetojnë “fenë, veçanërisht gjatë këtij Jubileu, duke kërkuar shpresë, por duke u përpjekur të jemi ne vetë dëshmia, që i jep shpresë botës”. Në mesditë, për herë të parë nga studioja e Pallatit Apostolik, lutja e Mbretëreshës Qiellore, me thirrjen për paqe dhe dialog. Para hyrjes në bazilikën e Lateranit, takimi me kryetarin e bashkisë e rreth orës 19.00, vizita private në Bazilikën e Zojës së Madhe

R.SH. – Vatikan

"Për ju dhe me ju jam romak". Dje pasdite, Papa Leoni XIV mori zyrtarisht në dorëzim Katedrën Romake në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran dhe, gjatë rrugës ndërmjet Vatikanit dhe bazilikës, u ndal në Piazza dell'Aracoeli, rrëzë Kapitolit, për të përshëndetur kryetarin e bashkisë së qytetit, Roberto Gualtieri. Papa i fundit, që pati bërë këtë gjest, ka qenë Gjon Pali I në vitin 1978. "Duke filluar zyrtarisht misionin si bari i kësaj dioqeze, ndiej përgjegjësinë e rëndë, por edhe apasionuese, për t'u shërbyer të gjithë anëtarëve të saj, duke pasur në zemër, para së gjithash, fenë e popullit të Zotit dhe të mirën e përbashkët të shoqërisë", theksoi Papa pas nderimit nga ana e kryetarit të bashkisë. "Jemi bashkëpunëtorë, secili në sferën e tij institucionale", shtoi ai.

Mbretëresha Qiellore: thirrje e re për paqe dhe dialog

Para se të shkonte në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, në mesditë, Papa Leoni XIV tha lutjen e Mbretëreshës Qiellore - për herë të parë nga dritarja e studios së tij në Pallatin Apostolik – gjatë së cilës bëri një thirrje të re për paqe dhe dialog ndërmjet palëve, në konfliktet e shumta, që sfilitin botën. "Lutja jonë përqafon të gjithë popujt që vuajnë për shkak të luftës": "i kërkojmë Zotit guxim dhe qëndresë për ata, që impenjohen në dialog dhe në kërkimin e sinqertë të paqes".

Kisha e Romës është trashëgimtare e një historie të madhe

Ndërkaq, pasdite, në Bazilikën e Lateranit, ku hyri zyrtarisht si Ipeshkëv i Romës, Ati i Shenjtë nënvizoi se pikërisht Kisha e Romës është "trashëgimtare e një historie të madhe, të rrënjosur në dëshminë e Shën Pjetrit, të Shën Palit dhe të martirëve të panumërt. Ajo ka një mision unik, dëshmuar më së miri nga ç’shkruhet në fasadën e katedrales: të jetë ‘Mater omnium Ecclesiarum’, nëna e të gjitha Kishave".

Shpirti Shenjt na mbështet dhe na tregon rrugën

Në homelinë e tij, Papa theksoi se në bashkësitë e hershme të krishtera ishte dëgjimi i zërit të Zotit ai, “që e bënte të mundur gjithçka tjetër”. Vetëm kështu, “çdo njeri mund të dëgjojë brenda vetes zërin e Shpirtit Shenjt, që thërret: ‘Abba! Atë!’ dhe, rrjedhimisht, t’i dëgjojë e t’i shohë të tjerët si vëllezër”. “Në vendimet e jetës nuk jemi vetëm – vijoi më tej Papa Leoni XIV. - Shpirti Shenjt na mbështet dhe na tregon rrugën, që duhet të ndjekim, duke na mësuar dhe duke na kujtuar gjithçka tha Jezu Krishti”. Në fund të kremtimit, Ati i Shenjtë i përshëndeti të pranishmit e shumtë nga lozha e Shën Gjonit në Lateran: “Të dashur vëllezër dhe motra, bashkësi e Romës – shprehu ai afërsinë dhe mirënjohjen për besimtarët e kryeqytetit italian - jam shumë i kënaqur që ndodhem këtu me ju sonte, në këtë akt liturgjik, që kremtuam, fillimin e shërbesës si Ipeshkvi juaj i ri i Romës. Faleminderit të gjithëve”. Së fundi, Papa i ftoi të pranishmit ta jetojnë “fenë, veçanërisht gjatë këtij Jubileu, duke kërkuar shpresë, por duke u përpjekur të jemi ne vetë dëshmia, që i jep shpresë botës, një bote që vuan kaq shumë dhimbje nga luftërat, dhuna, varfëria”.

Në Bazilikën e Zojës së Madhe, në lutje para Shën Marisë

Më pas, me papamobil, Ati i Shenjtë shkoi në Bazilikën e Zojës së Madhe për një vizitë private. U ndal në lutje para fugures së Shën Marisë Salus Populi Romani, duke ia besuar Zojës shërbesën e tij dhe qytetin e Romës. Edhe këtu, i përshëndeti e i bekoi të gjithë nga lozha e Bazilikës. "Është rast i bukur për të ripërtërirë këtë devocion ndaj Shën Marisë Salus Populi Romani, e cila e ka shoqëruar shpesh popullin e Romës në nevojat e tij", pohoi Papa, duke i kërkuar Zotit, me ndërmjetësimin e Nënës së tij, t'i bekojë të gjithë, familjet, të afërmit dhe t’i ndihmojë të ecin së bashku në Kishë, të bashkuar si familja e vetme e Zotit. Në bazilikë, Papa u lut edhe tek varri i paraardhësit të tij, Papës Françesku, i cili – siç dihet - deshi të varrosej pikërisht në Bazilikën e Zojës së Madhe.

26 maj 2025, 09:52