MAP

Sakristia Papnore Sakristia Papnore

Puna e Augustinianëve në Sakristinë e Papës

Me dëshirën e Klementit VI, që nga shekulli i 14-të, rregulltarët e Urdhrit të Shën Agustinit merren me përgatitjen e paramenteve a veshjeve liturgjike, të kupave, kelshejtave dhe gjithçkaje tjetër të nevojshme për kremtimet papnore. Bashkëpunojnë edhe Motrat Augustiniane Oblate të Krishtit Fëmijë, që lajnë e hekurosin kazulat, stolat dhe mbulesat e bardha apo biankeritë për altarët. Në Konklav janë angazhuar edhe dy sivëllezër, nën mbikëqyrjen e Mjeshtrit të Kremtimeve Liturgjike Papnore.

R.SH. / Vatikan

Ata kujdesen për kapelat papnore të Pallatit Apostolik, për “thesarin papnor” dhe për Lipsanotekën, dhomën e relikeve, nën përgjegjësinë e Mjeshtrit të Kremtimeve Liturgjike Papnore. Për Sakristinë Papnore janë përgjegjës rregulltarët augustinianë, detyra kryesore e të cilëve është të përgatisin gjithçka të nevojshme për kremtimet e Papës: petkat, kelkshejtat, tabernakujt. Një bashkësi e vogël, e tyrja, jeton ndërmjet dhomave  të kishës, pranë Kapelës Sikstine, për të kryer një mision të padukshëm, të zellshëm dhe nganjëherë shumë të kërkuar, veçanërisht kur Papa kryeson liturgji solemne ose ngjarje të mëdha.

Të angazhuar në Konklav

Dy prej tyre angazhohen në Konklav, shpjegon Sekretari i Përgjithshëm i Urdhrit të Shën Augustinit, Atë Pasquale Di Lernia e, ashtu si ceremonierët papnorë, rrëfyesit, pastruesit, mjekët dhe infermierët, të hënën e kaluar, më 5 maj, premtuan dhe u betuan në Kapelën Pauline, para Kardinalit Kevin Joseph Farrell, Kamerleng i Kishës së Shenjtë Romake, "të mbajnë sekret absolut me këdo që nuk bën pjesë në Kolegjin e Kardinalëve Zgjedhës, dhe këtë, përgjithmonë", përveçse kur marrin "autorizim të veçantë të dhënë drejtpërdrejtë nga Papa i zgjedhur ose pasardhësit e tij", mbi atë që po ndodh në Qytetin e Vatikanit këto ditë.

Sakristia Papnore
Sakristia Papnore

“P貹Ա”

Krahas rregulltarëve augustinianë, punojnë në heshtje edhe disa motrave rregulltare: janë Motrat Oblate të Krishtit Fëmijë, të cilat gjithashtu respektojnë Rregullën e Shën Augustinit. Ato kujdesen për veshjet e Papës, shpjegon Atë Di Lernia. Quhen "papaline". Gjatë viteve, Motrat Oblatet kanë hekurosur dhe ngrirë me nisheste petkat e Piut XII, Gjonit XXIII, Palit VI, të dy Gjon Palëve, Benediktit XVI e Françeskut. Tani janë katër prej tyre që hekurosin dhe rregullojnë shtrojet në Sakristinë Papnore, ndërsa në bashkësi, në qendër të qytetit, kanë dhomën e tyre të lavanderisë dhe të hekurosjes, ku stolat dhe shtrojet e altarit mbërrijnë gjithnjë në arka të mëdha dhe rikthehen gjithmonë në Vatikan bardh si dëbora. Falë duarve të tyre të stërvituara, gjurmët e dyllit, të vajit a të verës zhduken. Dhe kështu veshjet dhe paramentet liturgjike janë gati për t'u përdorur me rastin e festimeve papnore.

Angelo Rocca, sakristan i shquar

Augustinianët shërbejnë në Pallatin Apostolik që nga shekulli i 14-të, kur Papa Klementi VI, në vitin 1352, vendosi të zgjidhte sakristanin e tij nga radhët e rregulltarëve të Urdhrit të Shën Augustinit. Kishin për detyrë të ruanin orenditë dhe reliktet e Sakrariumit Apostolik dhe të ndihmonin Papën gjatë kremtimeve solemne. Për më tepër, sakristanët apo rojtarët augustinianë të objekteve me vlerë, ishin ipeshkvij, pastaj u jepej titulli ipeshkvnor, duke nisur nga Papa Klementi VIII.

Sakristia Papnore
Sakristia Papnore

Gjatë shekujve, punonjës të ndryshëm të sakristisë së Papës u dalluan për dëshminë duke dhuruar edhe jetën. Ndërmjet tyre ishte edhe Atë Angelo Rocca i cili, përpara se të bëhej sakristan, në vitin 1595, me urdhër të Sikstit V, ishte korrektori i Tipografisë së Vatikanit dhe sekretari i Kongregatës së Indeksit. Vetë Papa e caktoi në projektin e madh kulturor, që përfshinte krijimin e bibliotekës së parë të madhe në botën katolike, Bibliotekës së Vatikanit, dhe më pas e deshi edhe si bashkëpunëtor në rishikimin e Biblës Vulgate. Megjithatë, me iniciativën e tij, Atë Rocca krijoi bibliotekën e parë publike në Romë, Biblioteca Angelica, në fillim të shekullit të 17-të.

Frati përkrah Gjonit XXIII

Ndërmjet të shuguruarve të Urdhrit Agustinian në shërbim të Sakristisë Papnore, ia vlen të kujtohet Vëllai Federico Belotti, gjithnjë përkrah të  Papëve: të Piut XI, Piut XII, Gjonit XXIII dhe Palit VI. Imzot Loris Capovilla, sekretar i Papës Roncalli, shpallur kardinal në vitin 2014 nga Papa Françesku, e quajti “i përvuajtur, i qetë, i përkushtuar dhe i përzemërt”. “Nuk vërejta asnjë të metë në shërbimin e tij të zellshëm. Nuk kërkoi asnjëherë medalje, as libër, as nderim. Pranoi shenjat e shpeshta të mirësisë së Papës; e i mbajti edhe ato për vete”, shkroi për të Capovilla. Belotti ishte frat i vogël, që shkonte çdo ditë në kapelën private të Papës për të ndihmuar Meshë.

Sakristia Papnore
Sakristia Papnore

Papa Gjoni XXIII, që i besoi disa vepra mëshire, i drejtohej gjithnjë në mënyrë konfidenciale. I kërkoi edhe ta ndiqte në Castel Gandolfo gjatë pushimeve të verës e të shëtiste me të përgjatë kopshteve të vilës papnore. E të bën të qeshësh kërkesa që i bëri një ditë Papa, i cili i dhuronte nga 10,000 lireta secilit prej të afërmve, që vinin nga Sotto il Monte. I kërkoi, pra, 70 mijë lireta me kredi. “Shenjtëria Juaj, këtë herë nuk mund t'ju kënaq”, u gjegj rregulltari - kërkojani Imzot Thomas Ryeare, mësuesit tuaj të anglishtes, i cili do t'jua japë hua me kënaqësi”.  Por nuk është vetëm kjo! Ka shumë anekdota që të kujtojnë miqësisë e augustinianit me Gjonn XXIII, të cilat flasin vetë për njerëz të thjeshtë e të vërtetë, për biseda dhe dialogë të përditshëm, për dashuri vëllazërore dhe të anasjelltë, por edhe ngjarje qesharake. Si ajo kur frati, i cili flinte në një dhomë ngjitur me atë të Papës, ra në një gjumë të thellë dhe nisi të gërhasë me zë të lartë. I zgjuar nga tingulli i një zileje, bërtiti sa mundi nga frika: "Shenjtëria Juaj! Shenjtëri!". E Papa, i argëtuar pa masë, gjegji: “Qetësohu, vëlla Federiko. Qetësohu! Ti po i bije borive, unë, kambanave!”.

Sakristia Papnore
Sakristia Papnore
08 maj 2025, 11:55