MAP

Papa Leo XIV pret në audiencë Kardinalin Jaime Spengler, president i CELAM (15 maj 2025) Papa Leo XIV pret në audiencë Kardinalin Jaime Spengler, president i CELAM (15 maj 2025)

Leoni XIV: Celam, shenjë e kolegjialitetit, në shërbim të ungjillëzimit

Në një telegram drejtuar kardinalit Spengler, kryetar i Këshillit Ipeshkvnor të Amerikës Latine dhe Karaibeve, me rastin e 70-vjetorit të krijimit të organizmit, Papa Prevost falënderon për “shërbimin e animacionit misionar” dhe për kujdesin baritor të Popullit të Zotit shtegtar në “kontinentin e dashur”.

R.SH. / Vatikan

Një falënderim ndaj Këshillit Ipeshkvnor të Amerikës Latine dhe Karaibeve (Celam) për "shërbimin e tij të animimit misionar" dhe njohjen e tij si "një shenjë kolegjialiteti, si dhe një organ kontakti, bashkëpunimi dhe shërbimi i konferencave ipeshkvnore". Kështu shprehet Papa Leoni XIV në telegramin, në portugalisht, dërguar kardinalit Jaime Spengler, kryeipeshkëv i Porto Alegres dhe president i Celam, me rastin e Asamblesë së 40-të të Përgjithshme të Rregullt të Këshillit, në të cilën përkujtohet 70-vjetori i Konferencës së parë të Ipeshkvijve të Amerikës Latine dhe krijimit të vetë Këshillit Ipeshkvnor.

Papa thekson se ipeshkvijtë e Amerikës Latine dhe Karaibeve janë “të bashkuar në frymën kolegjiale për të shoshitur dhe dalluar së bashku sfidat që koha e tanishme i paraqet Kishës në Amerikën Latine, dhe për të kërkuar, në bashkësi afektive dhe efektive, iniciativa pastorale që çojnë në zgjidhje sipas kritereve të Shkrimit të Shenjtë, Traditës dhe Magjisterit” të Kishës. Ati i Shenjtë Leoni XIV e përkufizon Celam-in si një organizëm në shërbim të konferencave ipeshkvore “në misionin e ungjillëzimit dhe në kujdesin pastoral të Popullit të Shenjtë besnik të Zotit që shtegton në atë kontinent të dashur”.

Në situatën aktuale historike, “në të cilën një numër i madh burrash e grash pësojnë mundime e vuajnë nga varfëria e shkaktuara nga krizat e vazhdueshme në nivelin kontinental e botëror”, vijon Papa Prevost, kemi nevojë urgjente “të kujtojmë se është Krishti Ngjalluri, i pranishëm në mes nesh, ai që mbron dhe udhëheq Kishën, duke e gjallëruar në shpresë, përmes dashurisë që «është dikuar në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt Zot, që na është dhënë»”.

Papa Leoni XIV fton të kërkojmë nga Krishti “që ta forcojë Kishën në misionin e saj për të takuar sa më shumë vëllezër e motra, për t’u shpallur atyre mesazhin e shëlbimit të Jezusit dhe për t’i bërë pjesëmarrës në gëzimin që lind nga takimi personal me Të”. Dhe përfundon një kërkesë për lutje për t’ia drejtuar Bariut të Mirë, Jezusit “që unë të jem gjithmonë besnik ndaj shërbesës në favor të Kishës universale që ka dashur të më besojë”.

29 maj 2025, 09:57